“Jam e pafajshme, kam kryer vetëm detyrën”, sekretarja e përgjithshme e MSH-së kundërshton akuzat e GJKKO-së për korrupsion

115
Sigal

GJKKO cakton ‘arrest në burg’ për Joana Duron dhe Laura Shteton, dy zyrtaret e akuzuara për korrupsion.

Joana Duro, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë akuzohet se mori 330 mijë lekë të reja për të favorizuar kompaninë “DRICONS” në një tender të hapur nga Ministria për supervizimin për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës.

NOA

Në seancën e sotme, Duro nuk e ka pranuar akuzën dhe ka deklaruar se ka kryer vetëm detyrën. Avokatja ka thënë se nuk duhet të hetohet nga SPAK sepse posti i sekretares së përgjithshme të ministrisë nuk është zyrtar i lartë.

Ndërkohë avokati i Shtetos ka deklaruar se klientja e tij nuk është në gjendje të qëndrojë në burg për shkak të problemeve shëndetësore, por gjykata ka kërkuar ekspertizë dhe nuk e ka pranuar kërkesën e tij.
Dy zyrtaret janë dërguar në burgun e grave në Ali Demi.

Në agjencinë e prokurimit publik shihet se përkundër vlerës prej 805.872.23 lekë të vendosur si fond limit nga ministria për tenderin, kompania fituese ka ofruar 672.457.60 lekë. Shuma prej 330 mijë lekësh u gjet në zyrën e Joana Duros.

Duro doli ditën e sotme para Gjykatës së Posaçme, ku u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”. Edhe specialistja e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Luara Shteto është lënë në burg.

Dy zyrtaret akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”. Hetimet e SPAK për korrupsionin me tenderin e Ministrinë e Shëndetësisë kanë çuar edhe në ndalimin e administratorit të kompanisë, ‘DRICONS’, Vladimir Topi dhe inxhinierin Silvi Shehi.