Ja si u zbulua firma fantazmë e ish-kryebashkiakut Niko Peleshi

1458
Sigal

Uzina e instrumenteve e regjistruar si shoqëri aksionere me aktivitet. Uzinës i ka mbetur vetëm trualli, pronarëve u mbahet peng prona

KORÇË- Që prej disa vitesh uzina e instrumenteve në Koçë (UIK) nuk ekziston më. Objektet e saj të dikurshme, të lëna në mëshirë të fatit, u rrënuan vit pas viti. Dëmtimet dhe vjedhjet nuk reshtën asnjëherë, ashtu sikurse edhe denoncimet në shtyp nuk munguan kurrë. Megjithatë, as kush; as Bashkia e Korçës që e kishte në administrim, as ndonjë institucion tjetër shtetëror dhe as agjencitë e zbatimit të ligjit nuk bënë qoftë edhe lëvizjen më të vogël për ta shpëtuar nga vdekja këtë korpus të madh ndërtesash, trojesh dhe pajisjesh me një kapital të konsiderueshëm, ose për ta tjetërsuar atë në një aktivitet tjetër, kur uzina ishte ende ishte gjallë dhe kur asgjë nuk ishte shembur ose vjedhur. Sot nuk ekziston më asgjë, por përgjegjësia nuk rëndoi kurrë mbi askënd, njësoj sikur uzina të kishte qenë mall pa zot. Edhe pse ka ndodhur kështu, administratorët e saj vijojnë të mbeten të pacenuar nga ligji edhe sot e kësaj dite. Ndoshta të paprekshëm do të mbeten edhe në të ardhmen. Historia e kësaj masakre nisi që nga koha kur në krye të Bashkisë Korçë ishte Niko Peleshi, zëvëndëskryeministri i sotëm i vendit. Por çuditë nuk përfundojnë këtu. Ajo që do të sjellim më poshtë përveç çudisë është edhe e pabesueshme në të njëjtën kohë

 ÇUDIA

Janë pronarët e trojeve të uzinës ata që na rrëfyen mbi çudinë e radhës që ndodh në qytetin e Korçës. Prej tyre u informuam se kjo uzinë paska qenë e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ( QKR), si shoqëri aksionere “Korça 2008”, me aktivitet prodhues, përpunues etj, me punonjës, me bilanc, ndoshta edhe me sigurimet shoqërore, (të paguara ose jo, ende nuk e dimë). Madje e regjistruar si shoqëri aksionere me aktivitet, viojn të jetë edhe sot e gjithë ditën, kur në të vërtetë uzinës nuk i ka mbetur asnjë relikt. Çudia, sigurisht, është e madhe. Askush nuk ka parë punonjës që të shkojnë në punë te këto ndërtesa të shembura apo të kthehen që andej në përfundim të turnit si një herë e një kohë. Atje nuk gjen as banja për nevojat personale, as ujë, as energji elektrike dhe asgjë tjetër. Mbi të gjitha atje nuk gjen këmbë njeriu. Gjithçka është e heshtur e shkretë dhe e zymtë totalisht. Territori i uzinës së instrumenteve tashmë është shndërruar në një banjo të stërmadhe publike, ku gjithçka kundërmon nëpërmjet një ajri mbytës e të padurueshëm, ku as nuk mund të flitet për një shoqëri aksionere me aktivitet prodhes e përpunues etj, siç pretendohet nga Bashkia e Korçës

 “KORÇA 2008”, E PAFALIMENTUAR!

Siç e theksuam edhe më sipër, tashmë uzina e instrumenteve funksionon vetëm si një banjë e stërmadhe publike, por edhe pse është kështu, drejtuesit e Bashkisë Korçë nuk kujdesen as për të shpallur falimentin e kësaj shoqërie aksionere të ashtuquajtur “Korça 2008”, (sepse që nga viti 2008 paska nisur aktivitetin e saj). Për ta kjo shoqëri vazhdon të prodhojë dhe të përpunojë ashtu si edhe më parë, që do të thotë se njerëzit vazhdojnë të shkojnë në punë, vazhdojnë të marrin rrogat,(në të vërtetë ne nuk e dimë nëse janë paguar ose jo), por përderisa punohet, deyrimisht që paguhet, veçse nëse këta punonjës kanë shërbyer vullnetarisht. Pra, duket se drejtuesit e bashkisë Korçë shohin ëndrra me sy hapur, nga që u duket sikur uzina ende është në funksion, sepse në të vërtetë, të vetmit frekuentues të uzinës janë një lukuni qenësh që vërtiten herë pas herë në këto troje të mbetura pa zot e pa njeri. Megjithatë  për pronarët e trojeve ku ngrihej uzina e instrumenteve, bashkia e Korçës nuk shikon ëndrra me sy hapur, sepse shoqëria e sajuar “Korça 2008” është mënyra më e mirë për të mbajtur peng moskthimin e këtyre trojeve te pronarët, dhe kjo gjë,- thonë ata,- është sërish një mënyrë antiligjore e përdorur, që nuk duhet të ndodhë në një shtet demokratik, ku ligji është i barabartë për të gjithë dhe drejtësia nuk duhet të mungojë.

 ORGANET KOMPETENTE

Ndërsa, përsa i përket aktivitetit ekonomik dhe financiar të shoqërisë “Korça 2008” u takon organeve kompetente të kryejnë investigimet e duhura mbi këtë shoqëri për të parë nga afër se deri ku shkonte aktiviteti i saj prodhues e përpunues, sa punonjës ka patur, a janë paguar sigurimet shoqërore, sa ka qenë vlera e asaj që është prodhuar, përpunuar etj, a janë paguar detyrimet ndaj shtetit, sa është vlera e energjisë elektrike që është shpenzuar, sa është vlera e ujit të përdorur, çfarë është prodhur konkretisht, përse është përdorur malli i prodhuar, cili ka qenë tregu i shitjes, sa ka qenë shuma e të ardhurave etj, apo ka qenë një biznes fantazmë?! Të gjithë këto pikëpyetje ngrihen nga gjithkush që njihet me këtë informacion, madje edhe nga vetë pronarët e trojeve. Sipërfaqja e truallit të uzinës shkon në 22 mijë metra katorë, që do të thotë një vlerë e konsiderueshme Pronarët e saj janë mjaft, por ne po përmendim një pjesë të tyre, si Pvllo Troka, Aleko Pandi Foto, Sabri Ahmet Barçi, Edi Barçi ose trashëgimtarë të tjerë që rrjedhin nga fiset  Shosho, Theodhosi e të tjerë. Sipas tyre, kto troje kanë qenë të trashëgura në tre breza, por cetë ata nuk mundën t’i gëzojnë dot, edhe pse e kishin pritur me shumë ankth mbërritej e demokrasisë dhe të drejtën e kthimit të pronës. Shoqëria aksionere “Korça 2008” mban peng të drejtën e kthimit të pronës së tyre

 NË GJYQ…

Nisur nga rrëfimi i pronarëve të truallit, mësojmë vijimin e kësaj ngjarje që pasohet nga çudira të tjera. (Me to do t’u njohim më poshtë). Me qenë se objektet e uzinës së instrumenteve ishin shembur totalisht dhe asnjë gjurmë nuk kishte mbetur më, atëherë ata vendosën të kërkojnë në gjykatë kthimin e trojeve. E kërkonin këtë të drejtë, pasi pronarët e truallit e kishin regjistruar këtë pronësi të tyre në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që nga viti 1994-95 dhe, sigurisht, që ishin të bindur që prona do t’u kthehej. Fal kësaj iniciative, duke qenë të pranishëm si në  Gjykatën e Shkallës së Parë Korçë, ashtu edhe në Gjykatën e Apelit ata mësuan për herë të parë se uzina e instrumenteve paskësh qenë një shoqëri aksionere me aktivitet prodhues, përpunues dhënie dhe marrje me qira. Vendimi për shoqërinë aksionere ishte marrë nga Këshilli i Bashkisë dhe fill pas këtij vendimi, më 29.07.2008 shoqëria e krijuar ishte regjistrur edhe në Qendrën Kombëtare te Regjistrimit. Nga pyetje-përgjigjet që ishin bërë në të dy gjykatat, (gjatë gjykimit të çështjes), pronarët e trojeve kishin mundur të kuptonin se që të regjistrosh një shoqëri aksionere, së pari duhet të paraqitësh një bilanc, një plan biznes, të kesh fuqi punëtore, të paguash sigurimet shoqërore, punonjësit duhet të jenë të regjistruar në Zyrat e Punësimit si dhe një sërë kërkesash të tjera. A i përmbushte të gjitha këto kritere bashkia e asaj kohe, e drejtuar nga ish-kryebashkiaku Niko Peleshi? Përgjigja nuk është e lehtë, por përderisa uzina nuk është më dhe asnjë gjurmë nuk i ka mbetur, kurse shoqëria funksionon, prodhon dhe përpunon, kuptohet qartë se për çfarë shoqëri aksionere bëhet fjalë. Vetëm organet kompetente mund të japin përgjigjen e duhur. Shpresojmë që të ndodhë  kështu

  PRONARËT DALIN TË HUMBUR

Nga gjykimi i kësaj çështjeje gjyqësore,- na thonë pronarët e trojeve të ish-uzinës së instrumenteve, – ne dolëm të humbur. Bashkia e Korçës, në vitin 2012 kishte mundur të nxirrte çertifikatën pronësie. Si kishte ndodhur kjo gjë, për momentin nuk mundemi ta shpjegojmë dot konkretisht. Realisht nxjerrja e çertifikatës së pronësisë nga ana e Bashkisë duhej të ishte e pamundur, sepse, siç e sqaruam edhe më sipër, trojet tona ne i kemi regjistruar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që nga viti 1994-95. Atëherë si është e mundur që ZRPP lëshon çertifikatë pronësie edhe në emër të Bashkisë Korçë? Sigurisht, që të gjitha këto do t’i ndjekim në rrugë ligjore, përpjekjet tona nuk do të reshtin asnjë çast deri në kthimin e plotë pronave tona te ish-uzina, të cilat po na mbahen peng nga bashkia e Korçës. Jemi të bindur gjithashtu se edhe organet kompetente nuk do të qendrojnë indiferentë përballë situatave të tilla. Objektet e ish-uzinës u lanë të shembeshin, spse ne si pronarë trojesh kishim të drejtën e parablerjes dhe nga sa shihet sot, kjo gjë nuk ishte e dëshiruar asnjëherë nga ana e drejtuesve të bashkisë, ndaj dhe i lanë të shembeshin, në të kundërt, ato ndërtesa do të ishin në këmbë edhe sot e kësaj dite

 ÇUDIA E RADHËS

Gjykata e Apelit nuk na dha të drejtë, por pikërisht në këtë gjykatë ndodhi edhe një nga çuditë e mëdha. Ndërsa ne gjithë të tjerët nuk fituam të drejtën e kthimit të pronës, njëri prej nesh e fitoi atë. Si është e mundur, do të pyesni ju? Në Shqipëri çudirat nuk kanë të sosur. Fitues i çështje gjyqësore rezultoi vetëm Aleko Foto. Sigurisht, që ne e përgëzuam për fitoren, por çudirat janë edhe më të mëdha se kaq. Ishte i njëjti trup gjykues që mori në shqyrtim të njëjtën çështje gjyqësore, ai që  rrezoi kërkesën tonë dhe që njohu kërkesën e Fotos. Edhe fituesi i kësaj çështjeje e ka pronën e tij te ish-uzina e instrumenteve, madje është edhe kufitar me ne. Ndoshta ai e fitoi sepse kishte vetëm 300 metra truall, por ligji duhet të jetë i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë, ndryshe padrejtësitë nuk do të njihnin kufi. Gjithsesi, ne jemi të bindur që do t’ia dalim mbanë kësaj çështjeje. Dalja në shesh e të vërtetave për shoqërinë aksionere “Korça 2008”, besojmë se do të jetë edhe piknisja e shumë të vërtetve. Kjo shoqëri aksionere, përveç të tjerave që kemi renditur më sipër, ka paraqitur gjithashtu edhe një kapital mjaft të rritur.  Fillimisht shoqëria u regjistrua me një kapital prej 87. 929.000 lekë, ndërsa më pas duket se kapitali i saj ishte rritur ndjeshëm në 407.129. 000 lekë, pra duke shënuar kështu një rritje prej 310. 920.000 lekë, gjë që do të thotë se kjo shoqëri ende është në punë edhe pse nuk ka në dispozicon asnjë ambient te ish-uzina e instrumenteve. U kërkojmë organeve kompetente zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje