Ja si u grabitën 2.7 miliardë lekë në Durrës

1094
Sigal

Firma fituese:E akuzoj për pazare në kurriz të parave të taksapaguesve! Kryebashkiaku Dako: Denoncuesi nuk zbatonte kriteret

Eshtë paditur në Prokurori, nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, njëherësh edhe kryetari komisionit tenderues për investimin e rrugës paralele të portit detar, Zhylien Varfi. Në një prononcim për “Telegraf”, administratori i firmës fituese “Varaku E” të  tenderit  2.7 miliard lekë për aksin rrugor mjaft të rëndësishëm për qytetin, Shpëtim Varaku u shpreh se: “Jam befasuar kur kam vajtur për të nisur procedurat për nisjen pa asnjë ditë vonesë të punimeve, kur kam mësuar spostimin, me arsyetimin banal se nuk e realizon dot projektin, në një kohë kur unë kam jo vetëm makineritë, por edhe mundësitë e tjera për ta ndërtuar aksin rrugor me standarde europiane, ashtu siç kam ndërtuar gjithë akset e tjera në Durrës”. Më tej zoti Varaku tha se, “unë akuzoj direkt  nënkryetarin e Bashkisë, i cili si gjithmonë është edhe kumbari i tenderave, e akuzoj për pazare dhe afera korruptive me firmën e cila nuk plotësonte asnjë prej kritereve profesionale dhe teknike siç i  plotësonte firma jonë”. Ai tha se, “nisur nga këto shkelje flagrante i jemi drejtuar me një padi penale Prokurorisë, ku kërkojmë nisjen e hetimeve urgjente ndaj këtij personi, që është bërë problematik me tenderat e Bashkisë dhe firmat që marrin pjesë duke ushtruar presione mbi ato e duke favorizuar firmat fantazmë që shpërdorojnë e abuzojnë me paratë e taksapaguesve  shqiptarë”.  Sipas zotit Varaku, “dëmi financiar që i shkaktohet shtetit llogaritet në mbi 550 milion lekë vetëm nga spostimi, që nënkryetari Bashkisë Zhylien Varfi u ka bërë firmave pjesëmarrëse në tender. Administrator Varaku dhe avokati tij, kanë marrë takime me prokurorinë e Durrësit dhe kanë bërë prezent  shqetësimin dhe padinë e tyre ndaj kryetarit të komisionit tenderues të Bashkisë. Varaku tha se, “jo vetëm nisjen e hetimeve bazuar edhe mbi regjistrimet me zë dhe figurë që ne i kemi gjithë procesit të tenderit që u zhvillua, por ne kërkojmë edhe vendosjen e drejtësisë dhe zhdëmtim moral pasi prej 2 javësh, nuk marrim një përgjigje zyrtare nga ai njeri, por vetëm citate telefonike, duke u tallur me emrin dhe dinjitetin tonë”. Jo në pak raste drejtues të Bashkisë dhe më konkretisht kryetarë komisionesh në tendera, janë bërë objekt i denoncimeve nga firma dhe individë duke i akuzuar ata për pazare dhe afera, të cilat kanë dëmtuar rëndë interesat e qytetarëve të Durrësit dhe financat e shtetit. Varaku tha se, “çështjen do ta ndjek deri lart, kemi 7 vjet që persekutohemi nga drejtuesit e komisioneve tenderuese të Bashkisë, shteti dhe strukturat e drejtësisë duhet të ndalin babëzinë e zyrtarëve të denoncuar dhe të korruptuar”. Rruga paralele e portit, mbetet nevoja më urgjente, e cila duhej të ishte ndërtuar prej vitesh, por ka mbetur peng i makinacioneve dhe pazareve mes Bashkisë dhe Drejtorisë Përgjithshme të Hekurudhave. Ky aks mbetet shumë i nevojshëm, pasi çliron trafikun e rënduar nga makinat që ka Durrësi përgjatë gjithë vitit.

Prononcimi i Kryetarit të Bashkisë Durrës, z. Vangjush Dako

Lidhur me këtë problem, i cili ka trazuar ditët e fundit edhe organet e drejtësisë pas denoncimit të firmës fituese e cila vetëm pas 48 orëve u spostua nga vendi i parë tek i pesti, ka dhënë prononcimin e tij edhe kryetari Bashkisë Vangjush Dako. I pyetur nga “Telegraf”, zoti  Dako tha se, “firma Varaku E e cila pretendon se ka fituar vendin e parë në tenderin e zhvilluar për ndërtimin e rrugës dytësore të portit, mendoj se nuk kishte kondicionet e duhura për ta zbatuar projektin dhe tjetra që është më kryesore, ajo firmë e kishte ulur afro 48 për qind vlerën e zbatimit të punimeve, gjë e cila na bëri të dyshojmë  se ajo nuk e realizon plotësisht raportin e punimeve. Gjithashtu mendoj, se në rast se “Varaku E” pretendon të ketë fituesin, duhet futur në burg ose ai ose hartuesi projektit, ndërsa unë personalisht mendoj dhe kam bindjen se projekti është hartuar dhe realizuar nga njerëz kompetentë brenda të gjitha kushteve teknike duke paraqitur tek ne një aks rrugor me parametra europian dhe kjo padyshim kërkon financime serioze dhe jo punime me çmime shumë të ulëta. Është në të drejtën e tij të bëjë ankimime dhe denoncime”. Por, nga burime të sigurta zyrtare nga Prokuroria e Durrësit, mësohet se dje paradite dy hetues të saj, kanë vajtur në Bashkinë e Durrësit, pas denoncimit nga firma “Varaku E” dhe kanë bllokuar gjithë dosjet, praktikat dhe proces-verbalet e zhvillimit të tenderit, duke nisur de fakto hetimin. I kontaktuar me telefon nga “Telegraf”, nënkryetari Bashkisë njëherësh edhe kryetari komisionit të tenderave në këtë institucion, Zhylien  Varfi, u shpreh se “lidhur me këtë problem dhe denoncimin e bërë nga firma pretenduese, do të flas pasi të jem kthyer nga jashtë shtetit ditën e martë”.