Ja si pacientët shqiptarë kanë të varur jetën në dorën e matrapazëve të politikës dhe lokaleve

46

Në vend që të dërgohej në burg, Beqaj që njohët si firmëtari i koncesioneve abuzive në shëndetësi është emëruar nga qeveria si pjesë e grupit negociator për negociatat e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Beqaj në detyrën e re do na e zbardhë faqen para Europës me eksperiencën e tij të vyer në luftën kundra korrupsionit, edhe pse është një ndër më të përfolur për afera korruptive.

Sigal

Historia e dyshimtë e kompanisë, që fitoi koncesionin 86 milionë USD të hemodializës

Ka ditë që kompania Dia Vita sh.p.k , që ka aktualisht koncesionin e hemodializës me një afat 10 vjeçar, e ka shitur PPP-në tek një kompani suedeze. Kompanitë e përfshira në këtë transaksion Evita sh.p.k dhe Amerikan Hospital që kanë krijuar që në fillesa Dia Vita kanë kërkuar miratim të përqendrimit nga ana e Autoritetit të Konkurrencës

Shitësit: Evita SHPK, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Shqipërisë me NIPT L31714005J. Evita SHPK zotëron 85% të aksioneve të shoqërisë target Dia Vita SHPK. American Hospital SHA, është një shoqëria me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Shqipërisë me NIPT K61821002C. American Hospital SHA zotëron 15% të aksioneve të shoqërisë target Dia Vita SHPK.

Target: DiaVita SHPK, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Shqipërisë. Objekt i aktivitetit të kësaj shoqërie është zbatimi i kontratës së koncesionit/PPP “Për shërbimin e hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhe, Korçë, Vlorë dhe Elbasan”.

Transaksioni: Më datë 25 qershor 2019, është nënshkruar “Marrëveshja për shitblerjen e aksioneve”, midis palës blerëse Diaverum International AB dhe shitësve American Hospital SHA e cila zotëron 15% të kapitalit dhe Evita SHPK e cila zotëron 85% të kapitalit të shoqërisë DiaVita SHPK. Transaksioni do të sjellë përfitimin nga Diaverum International AB të 100% të kuotave të DiaVita SHPK, një shoqëri, që ofron shërbimet e hemodializës për pacientët me sëmundje të veshkave në Shqipëri nëpërmjet pesë qendrave të kujdesit të shëndetit” detajohet në njoftimin e Konkurrencës.

01

Kush fshihet pas lokalit bar-kafe të Beratit, i cili mori koncesionin 70 milion euro të hemodializës ?

Aleksandra Bogdani, Besar Likmeta | BIRN |

Por çfarë pëfaqëson në vetvete kompania Dia Vita sh.p.k, kush janë përfaqësuesit e saj? Kush fshihet pas Dia Vita sh.p.k ? Dhe do të nisë hetimi i SPAK me fatin e rreth 85 miliard lekëve, që ju hoqën nga buka e gojës taksapaguesve shqiptar për të financuar PPP-në e hemodializës. Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë një koncesion 10-vjeçar shumë-milionësh një kompanie pak të njohur dhe pa eksperiencë, pronarja e së cilës ka lidhje farefisnore me drejtuesin e Spitalit Amerikan, por jeton me të ardhura e një bar kafeje në Berat.

Bar kafeja pa emër e familjes Fetiu në lagjen Barrikada në Berat | Foto nga: Besar Likmeta

Në rrugën “Barrikada” në periferi të Beratit, një bar- kafe pa emër mban dyert hapur në pritje të klientëve të paktë. Lokali në ngjyrë gri dhe çadra ngjyre violë është bosh mesditën e së mërkurës, me përjashtim të një tavoline mbi trotuar, ku qëndron i ulur me një shishe birre në dorë pronari-Sali Fetiu dhe një bashkëmoshatar i tij. I ndërtuar në gjurmët e një ish-gomisterie disa vjet pas rënies së regjimit komunist, lokali ushqeu shpresat e familjes së Sali Fetiut për më shumë se një dekadë, si i vetmi burim të ardhurash. Megjithatë, kjo kafe modeste në qytetin e Beratit është sot origjina e kompanisë “Evita” sh.p.k, fituese e freskët e njërit prej koncesioneve për partneritet publik-privat më të mëdha në historinë e mjekësisë shqiptare. Më 20 tetor, Ministria e Shëndetësisë e shpalli “Evita shpk” fituese të koncesionit për “shërbimin e hemodializës”, duke i dhënë asaj një kontratë 10 vjeçare me vlerë rreth 8.6 miliardë lekë (86 milionë dollarë) në total.“Evita” sh.p.k është një kompani produktesh farmaceutike me qendër në Tiranë, e themeluar më 14 maj 2013 në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, QKR, me pronare të vetme Majlinda Fetiun dhe administratore Elona Saraçin.

BIRN tentoi të kontaktonte me aksioneren Majlinda Fetiu përmes telefonit të shtëpisë dhe atij celular, pa mundur ta arrijë atë. Në lokalin e familjes në periferi të Beratit, bashkëshorti i saj, Sali Fetiu shpjegoi se Majlinda kishte ikur në Tiranë, për shkak të problemeve shëndetësore. Sali Fetiu pranoi që kompania në emër të bashkëshortes kishte fituar koncesionin, por refuzoi të jepte shpjegime në lidhje me aktivitetin e saj. “Fola shumë dhe kaq. Unë me 6 klasë shkollë jam,”- tha ai duke tundur dorën me bezdi. E pyetur për eksperiencën dhe kapacitetet e kompanisë fituese, “Evita” shpk, edhe administratorja Elona Saraçi gjithashtu nuk pranoi të jepte shpjegime. “Sipas draft kontratës që jemi duke lidhur me autoritetin kontraktor (Ministria e Shëndetësisë), çdo informacion rreth kësaj procedure/kontrate është konfidencial dhe kusht për humbje kontrate,”- tha Saraçi përmes një mesazhi telefonik. E kontaktuar nga BIRN, Ministria e Shëndetësisë refuzoi të komentonte se cilat ishin avantazhet e “Evita” shpk, që e nxorën atë në krye të garës së koncesionit. E ndërsa mbetet e paqartë se mbi cilat kritere “Evita” shpk u përzgjodh fituese përballë tetë konkurrentëve të tjerë në garë, BIRN ka arritur të zbulojë se pronarja e kompanisë, Majlinda Fetiu, është rezidente në Berat dhe nuk ushtron ndonjë profesion të lidhur me shëndetësinë. Pa lidhje në dukje me fushën e mjekësisë, Majlinda Fetiu rezulton megjithatë të ketë lidhje gjaku me administratorin e Spitalit Amerikan në Tiranë, Klodian Allajbeu. Sipas të dhënave të BIRN, rezulton se Fetiu është vajza e xhaxhait të Allajbeut. Ndryshe nga Majlinda Fetiu, administratorja e kompanisë, Elona Saraçi ka studiuar për Farmaci në Universitetin e Tiranës. Para se të emërohej administratore e “Evita” shpk, Saraçi ka punuar për një kompani farmaceutike dhe për Spitalin Amerikan.

 

Ngjitja e beftë e Evita-s

Sali Fetiu dhe Majlinda Fetiu në një foto familjare | Foto nga: Facebook

Procedurat për dhënien me koncesion të hemodializës u hapën më 25 maj 2015, përmes një thirrjeje që Ministria e Shëndetësisë publikoi në Agjencinë e Prokurimit Publik. Sipas dokumentit të shpalljes, shërbimi do të jepet me koncesion në pesë qendra përveç Tiranës; në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan. Sipas shpalljes në APP, koncesioni do të ketë afat 10-vjeçar me vlerë 8,6 miliardë lekë, të cilat do të mbulohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Kompania “Evita” sh.p.k hyri në garë dhe rezultoi fituese, edhe pse është e paqartë se çfarë ekspertize dhe kapacitetesh zotëron për të realizuar procesin e hemodializës për qindra pacientë kronikë të sëmurë nga veshkat. Sipas të dhënave të QKR, “Evita” është themeluar më 14 maj 2013 nga Majlinda Fetiu me një kapital fillestar prej 100 mijë lekësh. Edhe pse ka jetuar pa shkëputje nga Berati pranë të shoqit që menaxhon lokalin në lagjen “Barrikada”, Majlinda Fetiu duket se ia ka dalë të fuqizojë me shpejtësi kompaninë e saj në Tiranë. Dy vjet pas regjistrimit, kompania deklaron në QKR se zotëron 30 100 000 lekë asete. Në bilancin e saj shënohet se fitimi gjatë vitit 2013 ka qenë rreth 5.8 milionë lekë. Në vitin 2014, ky fitim është rritur në rreth 35 milionë lekë. Edhe pse pak e njohur në tregun farmaceutik dhe atë të mjekësisë në Tiranë, gjurmë të kompanisë “Evita” sh.p.k dalin në tenderat për furnizim me barna të Qendrës Spitalore Universitare. Të dhënat e siguruara nga BIRN në APP tregojnë se kjo kompani ka fituar një tender me fond limit prej 18.8 milionë lekësh dhe është skualifikuar nga një tender i ngjashëm, për shkak të ofertës anomalisht të ulët.“Evita” sh.p.k ka deklaruar në QKR disa adresa të ushtrimit të aktivitetit të saj, ku baza kryesore rezulton të jetë në Kashar, në kilometrin e 8 të autostradës Tiranë-Durrës. Megjithatë, një prej adresave të saj të deklaruara ndodhet në katin e dytë të Spitalit Amerikan në lagjen Laprakë të Tiranës.

I kontaktuar nga BIRN, administratori i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu nuk u përgjigj nëse kompania që ai përfaqëson ka lidhje me kompaninë “Evita shpk”, fituese e koncesionit të hemodializës. Ai refuzoi gjithashtu të jepte shpjegime nëse kishte lidhje familjare me pronaren Majlinda Fetiu.

 

02

Dializa me koncesion

Administratorja e Evita Sh.p.k Elona Saraci | Foto nga: Facebook

Procesi i dializës për të sëmurët me probleme në veshka mbulohet prej vitesh 100 % nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për rreth 900 pacientë që përfitojnë nga ky shërbim. Megjithatë, të sëmurët kronikë janë ankuar vazhdimisht për radhë në dyert e spitaleve apo marrje të shërbimit me turne.

Për të zgjidhur këto anomali, Ministria e Shëndetësisë hodhi një vit më parë idenë e partneritetit publik/privat për të përmirësuar këtë shërbim. Më 25 maj 2015, ideja u shpall publikisht në formën e një koncesioni, që do të përmirësonte kushtet e pesë qendrave të hemodializës dhe do të ofronte një shërbim të standardeve të larta.

E pyetur nga BIRN në korrik të vitit 2015, Ministria e Shëndetësisë sqaroi se projekti i dhënies së këtij shërbimi me koncesion ka si qëllim rikonstruksionin e dy qendrave ku në atë kohë kryhej dializa, në Shkodër dhe Vlorë dhe krijimin e tre qendrave të reja, të cilat do të vendoseshin pranë spitaleve të Lezhës, Korçës dhe Elbasanit.

Një tjetër qëllim sipas Ministrisë së Shëndetësisë ishte shmangia e kostove sociale, pasi pacientët, që kishin nevojë për hemodializë do të kishin mundësi ta bënin atë tre herë në javë pranë vendbanimeve të tyre.“Operatori ekonomik do të mbulojë ndërtimin e 5 qendrave, pajisjen me aparaturat e dializës, bërjen funksionale të qendrave dhe pajisjen me personel mjekësor dhe staf mbështetës. Sistemit shëndetësor në vend do t’i mbeten 5 qendrat funksionale,” i tha BIRN këshilltari për mediat i ministrit Beqja, Thanas Goga.

Sipas Gogës, kompania fituese do të përzgjidhej ajo që ofronte çmimin më të ulët dhe cilësinë më të lartë. Por dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se “Evita” shpk ka ofertën e dytë më të lartë të konkurrentëve në koncesion, ndërkohë që mbetet e paqartë se cilat janë garancitë që ajo ofron për cilësinë e shërbimit të dializës.

Të dhënat e publikuara në APP tregojnë se në garën e koncesionit u përfshinë 9 kompani, tre prej të cilave u skualifikuan në fazën fillestare për shkak se nuk paraqiten ofertë. Gjashtë kompanitë e mbetura në garë janë shoqëria “2T” me ofertë 10.080 lekë për njësi, shoqëria “Blindi” me ofertë 10.458 lekë, “Evita” me ofertë 11.203 lekë, “Diamed Skopje” me 11.095 lekë, kompania italiane “Spindial” me ofertë 13.180 lekë dhe “Hygea Hospital Tirana” me ofertë 10 740 lekë.

Edhe pse u paraqit si risi, partneriteti mes publikut dhe privatit për hemodializën është një praktikë, që ndiqet prej vitit 2012 në vendin tonë. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se për shkak të mbingarkesës, spitalet publike kanë transferuar një pjesë të pacientëve dhe të fondeve buxhetore drejt Spitalit Amerikan dhe Hygea Hospital Tirana përgjatë tre viteve.

Gjatë vitit 2014, spitali Hygea ka kryer 28 transaksione me thesarin e shtetit për shkak të kontratave me QSUT në vlerën e 239 450 910 lekëve. Spitali Amerikan ka marrë tre herë më shumë fonde, për trajtimin e pacientëve me hemodializë.

Të dhënat e siguruara nga thesari i shtetit tregojnë se Spitali Amerikan ka lidhur kontrata me QSUT, Spitalin e Fierit dhe Spitalin Ushtarak, duke përfituar 865 668 286 lekë nga buxheti i shtetit në vitin 2014, vlerë kjo thuajse identike me paratë që “Evita” shpk pritet të marrë në një vit nga koncesioni i sapo-fituar i hemodializës.

 

03

Koncesionet e check-up, dializës dhe sterilizimit, Autoriteti i Konkurrencës nisi hetimin. Pse i ndërpreu fillimet e hetimeve nga SPAK?

Ministri që firmosi gradohet e rritet në detyrë, zv/ministri dhe firma jane në burg dhe një pjesë në arrati. Në vend që të dërgohej në burg, Beqaj që njihet si firmëtari i koncesioneve abuzive në shëndetësi është emëruar nga qeveria si pjesë e grupit negociator për negociatat e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Beqaj në detyrën e re do na e zbardhë faqen para Europës me eksperiencën e tij të vyer në luftën kundra korrupsionit, edhe pse është një ndër më të përfolur për afera korruptive.

Autoriteti i Konkurrencës, pasi ka hartuar një studim në tregun e shërbimeve spitalore, bazuar në gjetjet e një raporti eksperti për konkurrencën në Shërbimin Shëndetësor,  vendosi që të hapë një hetim të Përgjithshëm në Shërbimin Spitalor për një periudhë gati 3 vjeçare, nga janari 2016 deri në 30 shtator 2018.

Në fokus të këtij hetimi rezulton se do të jenë tre koncesionet e dhëna në sistemin e shëndetësisë, ai i check-up dializës dhe sterilizimit, duke parë ndikimin qe kanë sjellë në konkurrencën në treg këto kontrata.

Vendimi për hapjen e hetimit u mor pasi pas vlerësimit të gjetjeve, është e vështirë të konkludohet për konkurrencën në shërbimin shëndetësor në drejtim të rritjes së cilësisë së shërbimit dhe eficensës ekonomike pasi çështjet e trajtuara në studim, që lidhen me konkurrencën në sistemin e shëndetësisë, e lidhur me koncesionet në këtë sektor kanë nevojë për një trajtim më të thelluar dhe më gjithëpërfshirës.

Studimi, sipas raportit të Konkurrencës u mbështet në gjetjet e raportit të ekspertit “Konkurrenca në Shërbimin Shëndetësor” dhe u fokusua në katër çështjet kryesore:

1.Konkurrenca në sektorin e shëndetësisë nëpërmjet rritjes së shërbimeve shëndetësore, e cila do të vlerësohej përmes indikatorëve makro të sektorit të shëndetësisë dhe kryesisht në shërbimin spitalor. Informacioni i ardhur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ishte i mangët duke e bërë të pamundur vlerësimin e treguesve global të zhvillimit të konkurrencës në shërbimin shëndetësor.

1.Politikat qeverisëse në sigurimin e shërbimit spitalor e fokusuar në konkurrencën mes shërbimit privat dhe shtetëror në drejtim të cilësisë së shërbimit. Elementi kryesor në këtë analizë ishte vlerësimi i koncesioneve apo partneritetit publik/ privat, duke analizuar llojet e shërbimeve të përfshirë në këtë formë shërbimi, efektet ne nivelin e cilësisë si dhe ndikimin qe kanë sjellë në konkurrencën në treg këto kontrata.

Nga analiza e informacionit të depozituar u konstatua se janë lidhur kontrata koncesionare për 3 shërbime; Koncesioni i Check –Up, me objekt “Për kontrollin mjekësor bazë 35-70 vjeç nëpërmjet një seti analizash të miratuara si dhe vizita mjekësorë, Koncesioni “Për ofrimin e shërbimeve të integruara të furnizimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikal steril, furnizimin me materiale mjekësorë steril njëpërdorimshëm në sallat kirurgjikale” dhe Koncesioni i Dializës, me objekt ofrimin e shërbimit të dializës sa më pranë vendbanimit të të sëmurit me insuficience renale kronike.

3.Në lidhje më çështjen e konkurrencës nëpërmjet sistemeve të referimit dhe ofrimit të shërbimeve u konstatua se Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor financon katër paketa shërbimesh; paketën e shërbimit të dializës, paketën e shërbimit te të kardiologjisë, paketat e shërbimit të transplantit të veshkës dhe paketën e shërbimit të implantit koklear.

Përfituesi me i madh i fondeve buxhetore është QSUT dhe Spitali Amerikan. Të dy këta ofrues ofrojnë të njëjtat shërbime, por referuar numrit të rasteve të trajtuara vihet re qartë që Spitali Amerikan është i orientuar drejt shërbimit të dializës, kurse QSUT drejt shërbimeve të kontrollit të zemrës. Shërbimi i transplantit të veshkës është ofruar vetëm nga Spitali Amerikan.

4.Në lidhje me çështjen e fundit që ka të bëjë me vlerësimin e përqendrimeve të tregut, apo marrëveshjet vertikale dhe horizontale mes spitaleve privatë, rezulton se Spitali Amerikan është përfituesi i 15% të shoqërisë DiaVita SHPK, shoqëri e kontraktuar në shërbimin e dializës nëpërmjet kontratës së koncesionit. Gjykojmë që pjesa e madhe e tregut në shërbimin e dializës së Spitalit Amerikan mund të jetë e influencuar nga struktura aksionare mes dy shoqërive dhe niveli i ndikimit të kësaj mbivendosje aksionesh kërkon një analizë më të thelluar të kontratës së koncesionit dhe impaktit në treg të saj.

Pas vlerësimit të gjetjeve, është e vështirë të konkludohet për konkurrencën në shërbimin shëndetësor në drejtim të rritjes së cilësisë së shërbimit dhe eficensës ekonomike pasi çështjet e mësipërme kanë nevojë për një trajtim më të thelluar dhe më gjithpërfshirës,- thotë Konkurrenca

Për këtë arsye, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur hapjen e Hetimit të Përgjithshëm në Shërbimin Spitalor. Hetimi do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2016 deri në 30 shtator 2018.