Ja 50 kompanitë koncesionare që fitojnë 720 mln.euro

396
Sigal

Shfrytëzimi pa kriter i pasurive të shqiptarëve si nëntoka, minierat, deti, ajri dhe shërbimeve të luksit po pasuron oligarkët e koncesioneve me 720 milion euro. Kompania e naftës “Bankers Petrolium Albania” dhe ajo e minierave “Albchrom” janë dy kompanitë me fitimet më të mëdha. Ja lista e plotë

/Gazeta TELEGRAF

“Open Data”: Bizneset Koncesionare PPP. Renditje sipas të ardhurave dhe fitimit

“Open Data Albania” po hulumton mbi Performancën Financiare të shoqërive që zbatojnë kontrata koncesionare apo Partneritet Publik Privat PPP, viti 2019. Tregues të Performancës Financiare janë pjesë e Pasqyrave Financiare të shoqërisë, janë të ardhura vjetore dhe fitimi përpara Tatimit.

Për 2019 kanë ushtruar aktivitet 252 shoqëri PPP apo Koncesione. Të llojit PPP koncesione janë edhe 14 shoqëri të cilat rezultojnë të Pezulluara, 7 shoqëri janë me statusin të ç’regjistruar.

“Dy shoqëritë me më shumë të ardhura dhe fitim në Sektorin Koncesionar për vitit 2019, kanë rezultuar shoqëri që shfrytëzojnë nëntokën shqiptare. Vlerën më të lartë Të ardhura viti 2019 e shënon “Bankers Petrolium Albania”, 26.04 miliardë lekë. Në vend të dytë, qëndron po një shoqëri e shfrytëzimit minerar nëntoke, “Albchrome”, me 7.6 miliardë lekë.”

Nga 252 shoqëri koncesionare PPP aktive, nuk janë publikuar sipas detyrimit ligjor Pasqyrat Financiare, për 48 prej tyre, kryesisht shoqëri për operim vepra hidrike. Në 66 raste Aktiviteti dhe të Ardhurat Vjetore janë raportuar në vlerë zero.

138 shoqëri koncesionare PPP, kanë deklaruar të ardhura vjetore jo zero dhe kanë te publikuara pasqyra financiare. Prej tyre na rezulton një total të ardhurash prej 88.599 miliard lekë, afërsisht 720 milionë Euro, ose rreth 872 milionë USD.

Kompanitë aktive që operuan dhe kanë raportuar përmes Pasqyrave Financiare në vitin 2019, shënuan total fitimi para tatimit në masën 16.21 miliardë lekë  (rreth 131.7 milionë euro).

Vlerën më të lartë Të ardhura viti 2019 e shënon “Bankers Petrolium Albania”, 26.04 miliardë lekë. Në vend të dytë, qëndron po një shoqëri e shfrytëzimit minerar nëntoke, “Albchrome” me 7.6 miliardë lekë. Vendi i tretë, sa i takon të ardhurave, “Tirana International Airport” me 6.96 miliardë lekë.

Shoqëria e parë në renditje, “Bankers Petroleum Albania” ka të ardhura të vitit 2019, në vlerën 26.04 miliardë lekë. Kjo shoqëri, renditet e para ndër shoqëri koncesion PPP, për 2019 edhe sa i takon Fitimit me 5.33 miliardë lekë fitim para tatimit. Marzhi i fitimit kundrejt të ardhurave është 20.47%.  Shoqëria në 2019 ka shpenzuar për Burime Njerëzore vlerën 1.62 miliardë lekë ose 6.2% e të ardhurave vjetore. “Bankers Petrolium Albania” zbaton kontratën për Zhvillim dhe Prodhim i Hidrokarbureve në vendburimet e Patos-Marinzës. Më herët shoqëria mbante emrin “Saxon International Energy LTD-Albania Branch”. Shoqëria koncesionare funksionon si degë e kompanisë meme, e cila vepron sipas Ligjeve të Ishujve Cayman. Mëma (në Cayman) është plotësisht në pronësi të “Bankers Petroleum International Limited”, një shoqëri e themeluar në USA dhe e zotëruar plotësisht nga “Bankers Petroleum LTD”, në Kanada. Shoqëri mëmë që zotëron është “Charter Power Invesment Limited” e regjistruar në Hong Kong, kjo vetë është  në pronësi të “Geo – Jade Petorleum Corporatio”, me seli dhe regjistër Tregtar, në Kinë.

Kontrata Koncesionare daton vitin 2004 dhe ka pësuar ndryshime dhe rimiratime në 2008 dhe 2014. Kompania ka raportuar të ardhura për herë të parë në vitin 2006, të ardhurat më të larta janë regjistruar në vitin 2014, prej 53,4 miliardë lekë. Në  2019, ka shënuar një rritje prej 7.2% kundrejt vitit të mëparshëm. Një pasaportë me informacion, të dhëna, vizualizim mbi performancën financiare dhe dokumente për këtë shoqëri, si dhe kontratën koncesionare që ajo zbaton, mund të aksesohet në Regjistrin Koncesionar nga “Open Corporates Albania”. Po aty, është e vizualizuar edhe ecuria e Të ardhura e Fitime ne Vite.

“Albchrome”, ish- “Darfo”, në 2019 shënoi të Ardhura në vlerën 7.617 miliardë lekë. Megjithëse në renditje të mirë sa i takon të ardhurave, “Albchrome” shënoi humbje dhe jo fitim përpara tatimit, prej 786.78 milionë lekë. Paketa kontrolluese e kapitalit të shoqërisë ka ndryshuar disa herë. Marrëveshja daton në vitin 2000, kompania ishte plotësisht nën zotërim të “Darfo srl”. Në datën 20 Nëntor 2010, u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit ndryshimi i emrit të Ortakut themelues të shoqërisë nga “Darfo” në “ACR Holding”. Në vitin 2016, zotëruesja “ACR Holding” ka shitur kuotat që zotëronte tek “Albrome Holding” shpk, kompani e zotëruar nga “Balfin Group Balkan Finance Investmenet Group”. Kjo kompani shfrytëzon me koncesion nëntokën e minierës në Bulqizë, Përrenjas dhe Pojskë në Pogradec, uzinat e Ferro-Kromit në Elbasan dhe Burrel, si dhe impiantin e pasurimit në Klos.

“Nga 252 shoqëri koncesionare PPP aktive, nuk janë publikuar sipas detyrimit ligjor, Pasqyrat Financiare, për 48 prej tyre, kryesisht shoqëri për operim vepra hidrike”

Shoqëria “Aleat” renditet e katërta sa i takon të ardhurave në vitin 2019, me 5.97 miliardë lekë apo rreth 48 milionë euro. Kjo shoqëri ka pozicionin numër tre sa i takon fitimit për 2019. Shoqëria ka marrë me koncesion prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave prej vitit 2008. Dy zotëruesit e saj janë shoqëri të huaja, konkretisht, “Idema Identity” and “Security Frane” më herët “Sagem Securite”, shoqëri e regjistruar në Francë me 75% të kapitalit, dhe “Fondi Shqiptaro -Amerikan i Ndërmarrjeve” si jofitimprurës, i themeluar sipas ligjeve të Delaware në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (me zyrë përfaqësimi ne Tiranë, Shqipëri) me 25% të kapitalit. Kontrata e lidhur në 2008, ka ndryshuar në 2010 dhe 2013 me Afate të zgjatura të koncesionit. Kjo shoqëri në 2019 shënoi fitim të kënaqshëm në vlerën 2.27 miliardë lekë që përbën marzh fitimi kundrejt të ardhurave 38.03%.

“Gjoka 87” është një shoqëri koncesionare themeluar nga “Gjoka Konstruction” dhe zbaton koncesionin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit, kontratë e lidhur kjo me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Të ardhurat totale të raportuara për vitin 2019 ishin 5.6 miliardë lekë. Gjatë vitit 2019 kjo shoqëri ka përfituar nga Thesari i Shtetit pagesa në vlerën 3.78 miliardë lekë.

“Albanian Highway Concession” themeluar në vitin 2016 ka nënshkruar në dhjetor 2016 marrëveshje për ndërtimin, përmirësimin, operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot – Morinë me afat 30- vjeçar. Në fillim kapitali i shoqërisë sipas zotëruesve ndahej në kapital Vendas, Grek dhe Emirate të Bashkuara Arabe. Pas shitjes, zotërues të kësaj shoqërie mbetën kompanitë vendase “Salillari” dhe “Kastrati.” Në vitin 2019 shoqëria shënoi të ardhura në vlerën 2.6 miliardë lekë. Shoqëria ka mbështetje buxhetore dhe pagesa nga Thesari i Shtetit.

“Ayen AS Energji” është shoqëria që renditet në dhjetë shoqëritë koncesionare me më shumë të ardhura në vitin 2019, duke qenë shoqëria me nivelin më të lartë të ardhurave sa i takon sektorit Energjetik. Shoqëria është themeluar në vitin 2011 me kapital Turk dhe Shqiptar. Kjo shoqëri vepron me pesë hidrocentrale përmes kontratave për Projektim, Ndërtimin, Financim dhe mirëmbajtje në Pëshqesh, Ura e Fanit dhe Fangut, zona Mirditë. Në vitin 2019 shoqëria shënoi të ardhura në vlerën 2.3 miliardë lekë.

“Integrated Energy BV SPV” është në renditje numri tetë sa i takon shoqërive koncesionare sipas të ardhurave viti 2019 me 1.7 miliard lekë. Sipas Pasqyrave Financiare ka shpenzuar për Burime Njerëzore në 2019 vlerën 153.5 milionë lekë dhe ka arkëtuar në 2019 nga Thesari i Shtetit 1.07 miliardë lekë. Shoqëria zotërohet nga “Geo Genix” një shoqëri e regjistruar në Holandë. Shoqëria zbaton kontratën koncesionare për Ndërtim Landfilli, Inceneratori dhe rehabilitim të vend depozitimeve ekzistuese të mbetjeve në Tiranë dhe Prodhimit të Energjisë Elektrike.

“Raporti fitim kundrejt të adhura në rastin e koncesioneve, shënon vlera të larta krahasuar me shoqëri të tjera, jo sektori PPP- Koncesione”

“Devoll Hydropower” është krijuar në vitin 2008 dhe që prej vitit 2013 zotërohet nga shoqëria holandeze “Statkraft Markets B.V.” Më parë shoqëria ka qenë në zotërim nga “EVN AG” dhe “Statkraft AS”. Koncesionari ka lidhur marrëveshje me objekt ndërtimin dhe shfrytëzimin e hidrocentraleve në lumin Devoll. Për vitin 2019, “Devoll Hydropower” renditet e nënta me një të ardhur totale prej, 1,6 miliard lekë.

Në vendin e dhjetë për vitin 2019, renditja sipas të ardhurave qëndron shoqëria koncesionare “S2 Albania” me 1.5 miliard lekë.  Shoqëria zbaton Kontratën PPP për Financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve dhe automjeteve të tjera. Kontrata është lidhur Prill 2013 dhe është ndryshuar dy herë gjatë vitit 2015. Shoqëria “S2 Albania” zotërohet nga amerikania e regjistruar në shtetin Kaliforni, “Rapiscan Systems INC” dhe shoqëria shqiptare “ISMS”. Kjo shoqëri shënoi fitim para tatimit në vlerën 274.7 milionë lekë në 2019.

Dhjetë shoqëritë me Fitimit përpara Tatimit më të lartë, për 2019 janë “Bankers Petrolium Albania”; “Tirana International Airoport”; “Aleat”; “Durrës Container Terminal, Alb-Energy”, “SGS Automative Albania”; “S2 Albania”; Shoqëria Koncesionare “Porti MBM “(Multi Buoy Mooring), “Diteko” dhe “GJO-SPA POWER.”

Kompanitë aktive që operuan dhe kanë raportuar përmes Pasqyrave Financiare në vitin 2019, patën një total fitimi para tatimit në masën 16.21 miliardë lekë (rreth 131.7 milion euro).

Shoqëria “Durrës Container Terminal” është mes shoqërive me vlera të larta fitim përpara tatimit, ajo renditet e katërta me 508 milion lekë fitim për 2019 dhe zbatonte kontratën e vitit 2011 për  Menaxhim, Operim, Mirëmbajtje dhe përmirësim teknik  të Terminalit të Kontenierëve në portin e Durrësit. Për këtë shoqëri kontrata e koncesionit është zgjidhur me vendim të Gjykatës Administrative të Apelit Durrës. Sipas vendimit shkak për zgjidhje është mos përmbushja nga ana e koncesionarit e detyrimeve që lindin nga kjo kontratë koncesionare. Shoqëria koncesionare zotërohet nga “Durrës Kurum Shipping” për 99.9% të paketës së kapitalit.

“ALB-Energy” është një shoqëri tjetër që na shfaqet ndër dhjetë shoqëritë me fitim të lartë përpara tatimit pa qenë në të njëjtën renditje sipas të ardhurave vjetore 2019. Shoqëria shënoi fitim në vlerën 305 milionë lekë me marzh të lartë fitimi prej 69.21% të të ardhurave të vitit. Shoqëria është krijuar me kapital vendas dhe zbaton kontrata koncesionare në sektorin e veprave hidrike.

“SGS Automotive Albania” renditet në vendin e gjashtë sa i takon fitimit përpara tatimit. Shoqëria funksionon për zbatim të kontratës për Projektim, Financim, Rehabilitim, Testim, Shfrytëzim dhe Mirëmbajtje të Qendrave të Kontrollit Teknik të Automjeteve. Gjatë vitit 2019 shoqëria shënoi fitim para tatimit 294 milion lekë. Marzhi i fitimit qëndron në 30% të të ardhurave të vitit. Shoqëria është themeluar në 2009 dhe zotërohet nga zvicerania “SGS Societe Generale de Surveillance”.

Shoqëria Koncesionare “Porti MBM” zbaton kontratën për Ndërtim, Operim, Transferim të portit të tipit MBM, Porto Romano. Fitimi para tatimit për vitin 2019 është 255 milionë lekë. Shoqëria është krijuar në vitin 2015, ortakët themelues ishin “Adriatic Petroleum Platform” për 97% të kapitalit dhe “Salillari”, “ATEC srl”, “Mampaey Offshore Industries BV” me nga 1%. Në 2019 shoqëritë “Mampaey” dhe “ATEC” i dhuruan përqindjet e tyre ortakut “Adriatic Petroleum”, dy ditë më vonë, “Adriatic Petroleum” shet kuotat e saj në favor të “Adriatic Bay Investment Group shpk’. Përfundimisht koncesionarja zotërohet nga “Salillari” me 1% të kapitalit dhe “Adriatic Bay Investment Group” me 99% të kapitalit, kjo e fundit zotërohet po nga, “Kastrati Group”.

Një tjetër koncesion për vepra hidrike renditet në dhjetë të parët sa i takon fitimit përpara tatimit. “Diteko” me kapital vendas me fitim në vlerën 234 milionë lekë.

I fundit në dhjetëshen me fitim më të lartë për vitin 2019 renditet “GJO-SPA POWER”, që gjithashtu operon në fushën e veprave hidrike. Fitimi para tatimit për vitin 2019 është 229 milionë lekë.

Të Ardhurat Vjetore përbëhen nga të Ardhura nga aktiviteti i shfrytëzimit plus Të Ardhura të tjera nga Degët, plus Investimet e Kompanisë dhe të Ardhura të tjera Financiare të vitit.

Fitimi Para Tatimit është diferenca të ardhura totale të shoqërisë, me shpenzime totale të saj në atë vit ushtrimor. Këtu nuk është llogaritur shpenzimi për tatimin. Këtë fitim shoqëria mund ta ndajë në formë dividendi, ose ta ri investojë.

Të dhënat mbi performancën financiare, personalitetin juridik, statusin, objektin, çështjet ligjore, menaxhimin financiar, financimin publik ose privat, tarifa koncesioni dhe rregullime ligjore për shoqëri koncesionare janë të plota dhe të publikuara në format të mirë-strukturuara në Regjistrin Koncesionar të “Open Corporates Albania”. Po njësoj në “Open Data Albania” janë të publikuar dhjetëra analiza dhe hulumtime mbi Koncesione.

Regjistri Koncesionar dhe artikulli hulumtues realizohen në kuadër të projektit “Open Data”, “Access and Transparency over sectors to Risk of Corruption”.