IDN/ Zyrtarët e korruptuar, 1 në 3 shqiptar paguajnë rryshfet

58
Sigal

VOA, zbardh sondazhin e përvitshëm “Besimi në qeverisjen 2020” të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim me 2500 të anketuar. Sipas qytetarëve në sektorin publik 1 në 3 shqiptarë paguajnë rryshfet, 84% mendojnë se ministrat janë të korruptuar dhe 87% se administrata kërkon para. 37% vlersojnë reagimin e qeverisë për tërmetin, 70% ndihen të pasigurt nga krimi dhe 44% duan të emigrojnë. Ja vlersimi për gjykatat,prokuroritë, bashkitë etj

 

/Gazeta TELEGRAF

Korrupsioni në sektorin publik është “i përhapur”, 1 në 3 shqiptarë paguan rryshfet

  • 84  %  pohojnë se korrupsioni është i përhapur në nivelet e larta

  • 87  % e shqiptarëve e shohin korrupsionin tek nivelet e ulëta të administratës

  • 44  % e shqiptarëve pohuan se duan të emigrojnë

  • 24 %, gjykatat, 24% parlamenti, dhe 24% prokuroria me besueshmëri të ulët për qytetarët

  • 35  %  mendojnë që këshilltarët e bashkisë mbrojnë interesat e qytetarëve

  • 70 % e shqiptarëve nuk ndihen të sigurt nga krimi

  • 34.6% e shqiptarëve e perceptojnë qeverinë qendrore si transparente

  • 36.8% e perceptojnë bashkinë e tyre si transparente

  • 19.6%, ofrimi i shërbimeve gjyqësore të kënaqshme

  • 32.4%, transporti publik të kënaqshme

  • 32.6% shërbimet policore të kënaqshme

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim publikoi dje, Sondazhin e përvitshëm të opinionit publik “Besimi në qeverisje 2020”. Sondazhi “Besimi në Qeverisje 2020” u krye gjatë muajve nëntor-dhjetor 2020, duke përdorur një kampion përfaqësues kombëtar prej 2500 të anketuarish. Ky është viti i tetë i realizimit të tij, duke përdorur një metodologji, pyetësor dhe mbulim kombëtar të ngjashëm. Raporti i gjetjeve të sondazhit përfshin jo vetëm të dhëna vjetore por dhe një vështrim mbi trendin ndër vite.

Përgjigjet e shqiptarëve

37.9% e shqiptarëve thanë se ishin të kënaqur me reagimin e hershëm të qeverisë qendrore në periudhën post-tërmet dhe 37.5% me atë të qeverisë vendore.

Qytetarët pohuan se besimin më të lartë, afro 70 për qind, e kanë tek institucionet fetare, e më pas vijnë ato arsimore brenda vendit dhe tek NATO, OKB dhe BE jashtë Shqipërisë. Ndërsa institucionet me besimin më të ulët janë partitë politike (20%), gjykatat (24%), parlamenti (24%) dhe prokuroria (24%). Sondazhi zbuloi se gjatë vitit të pandemisë ka rënë besimi te policia, institucionet e kujdesit shëndetësor, media, qeveria qendrore krahasuar me vitin 2019.

84% e qytetarëve: Qeveri e korruptuar

Sipas sondazhit, shumica e shqiptarëve i perceptojnë si jotransparente qeverinë qendrore (64%) dhe bashkitë (62%) si jo transparente. Edhe më i lartë është perceptimi për korrupsionin. Mbi 84 për qind e të anketuarve pohojnë se korrupsioni është i përhapur në nivelet e larta dhe afro 87 për qind e shqiptarëve e shohin tek nivelet e ulëta të administratës. Institucionet më të korruptuara qytetarët renditin gjykatat, spitalet, policinë dhe parlamentin.

70 për qind e shqiptarëve nuk kanë besim në ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë, po ashtu edhe në atë nivelit të ulët, dhe kjo përqindje është rritur nga viti në vit. Po ashtu janë rritur edhe përqindjet e qytetarëve që pohojnë se kanë paguar rryshfet në qeverisjen qendrore dhe atë vendore për të marrë shërbime.

Më tepër se gjysma e qytetarëve të anketuar pohojnë se prokuroria dhe gjykatat janë institucionet më shumë të ndikuara politikisht. Pjesa dërrmuese e qytetarëve besojnë se dëgjesat publike vendore janë formale, ndërsë vetëm 35 për qind mendojnë që këshilltarët e bashkisë përfaqësojnë komunitetin dhe mbrojnë interesat e qytetarëve.

44% e shqiptarëve duan të emigrojnë

Afro 44 për qind e shqiptarëve pohuan se duan të emigrojnë drejt një vendi tjetër, megjithë vështirësitë e lëvizjeve prej pandemisë.

Mbi 70% e shqiptarëve të anketuar nuk ndihen të sigurt në jetën e përditshme për shkak të kriminalitetit, padrejtësive, pasigurisë në vendin e punës si dhe shëndetësisë pa cilësi e pa standard. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim kryen sondazhe periodike për marrëdhëniet mes qytetarëve dhe institucioneve, dhe mbi perceptimet për shkallën e demokracië apo të korrupsionit në Shqipëri.

Për shumë institucione të vlerësuara, duke përfshirë qeverinë qendrore, parlamentin dhe institucionet ndërkombëtare, trendi ndër vite tregon se niveli i besimit u ul midis viteve 2017 dhe 2020. Teksa niveli i besimit në sistemin gjyqësor (prokuroria dhe gjykatat) perceptohen më rrallë si të besueshme. Gjetjet e sondazhit të vitit 2020 tregojnë se institucionet fetare (69.8%) konsiderohen si institucionet më të besuara vendase. Organizatat ndërkombëtare, si NATO, OKB dhe BE, renditen si institucionet më të besuara.

Ndërkohë, 40.3% e të anketuarve raportuan se ishin “të kënaqur” ose “shumë të kënaqur” me transparencën e vendimmarrjes së qeverisjes qendrore, 43.7% u shprehën se ishin të kënaqur me ofrimin e alternativave elektronike në marrjen e shërbimeve dhe 34.5% me respektin e treguar ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut përgjatë pandemisë COVID-19.

34.6% e shqiptarëve e perceptojnë qeverinë qendrore si transparente dhe 36.8% e perceptojnë bashkinë e tyre si transparente. Për sa i përket llogaridhënies, 34.5% e shqiptarëve e perceptojnë qeverinë qendrore si të përgjegjshme (që jep llogari), teksa 36.6% e konsiderojnë bashkinë e tyre si të përgjegjshme. Ende, shumica e shqiptarëve nuk e perceptojnë qeverinë si transparente ose llogaridhënëse.

Qytetarët shqiptarë besojnë se organizatat ndërkombëtare (74.5%) janë më efikase në kërkesën e llogarisë ndaj qeverisë në krahasim me institucionet vendase.

Krahasuar me vitin 2016 dhe 2017, sipas gjetjeve, Parlamenti, Partitë Opozitare, Avokati i Popullit dhe Media perceptohen më pak efektive në kërkesën e llogarisë ndaj qeverisë. Secili prej mekanizmave të llogaridhënies ka humbur të paktën 10 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2016. Për më tepër, pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët (86.7%) dhe korrupsionin e nivelit të lartë (84.1%) si fenomene të përhapura ose shumë të përhapura në shoqërinë shqiptare.

Në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike, mesatarisht 38% e shqiptarëve janë të kënaqur ose shumë të kënaqur me shërbimet publike bazë në vitin 2020, pavarësisht kufizimeve të pandemisë. Shërbimet e arsimit publik (48.6%) dhe shërbimet e pastrimit (48.5%) konsiderohen si më të kënaqshmet, teksa ofrimi i shërbimeve gjyqësore (19.6%), transporti publik (32.4%), dhe shërbimet policore (32.6%) si më pak të kënaqshme. Në lidhje me shërbimet publike administrative, perceptimi i publikut është i ndryshëm në varësi të faktit nëse është përdorues apo jo. Kështu, mesatarisht 32.8% e shqiptarëve e vlerësojnë ofrimin e shërbimeve administrative si të kënaqshëm, shifër e cila rritet në 44.7% mes atyre që i kanë përdorur këto shërbime. Ndërkohë, 73.4% e qytetarëve që kanë vizituar një sportel shërbimi të ADISA-s (Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara) ishin “të kënaqur” ose “shumë të kënaqur” me shërbimet e ofruara atje.

Somario

84  %  pohojnë se korrupsioni është i përhapur në nivelet e larta

87  % e shqiptarëve e shohin korrupsionin tek nivelet e ulëta të administratës

44  % e shqiptarëve pohuan se duan të emigrojnë

24 %, gjykatat, 24% parlamenti, dhe 24% prokuroria me besueshmëri të ulët për qytetarët

35  %  mendojnë që këshilltarët e bashkisë mbrojnë interesat e qytetarëve

70 % e shqiptarëve nuk ndihen të sigurt nga krimi

34.6% e shqiptarëve e perceptojnë qeverinë qendrore si transparente

36.8% e perceptojnë bashkinë e tyre si transparente

19.6%, ofrimi i shërbimeve gjyqësore të kënaqshme

32.4%, transporti publik të kënaqshme

32.6% shërbimet policore të kënaqshme