Ismail Kadare: Çfarë mendoj për Ruçin, Lubonjën dhe Skënderbeun

603
Kadare: Çfarë mendoj për Ruçin, Lubonjën dhe letrën për Enverin
INTERVISTA/ Shkrimtari i njohur flet për debatin mbi kthimin e figurave të komunizmit dhe “mbulimin” e Skënderbeut
Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, në një intervistë ekskluzive për gazetaren Eni Vasili rrëfeu momente të veçanta nga jeta e tij. Në emisionin “Studio e Hapur”, Kadare foli për herë të parë për letrën e tij drejtuar Enver Hoxhës dhe kërkesën për hapjen e dosjeve. Ai ka treguar arsyet se përse letrën duhet ta shkruante me dorën e tij dhe të mos linte asnjë kopje apo gjurmë të saj. Gjithashtu, Kadare foli për politikën shqiptare, debatin për rikthimin e figurave të komunizmit dhe sulmoi ashpër Fatos Lubonjën.

Le ta fillojmë me një letër që është botuar së fundmi në shtyp dhe që ka të bëjë me motrën tuaj, një letër që i drejtohej udhëheqësit. A mund të na thoni diçka më shumë rreth kësaj?
“Po unë kam kërkuar vite më parë që të hapen arkivat e fshehta dhe më kujtohet një kritik, studiues i njohur francez, i cili njihet si eksperti numër një i komunizmit në botë, autori i librit që mund të gjendet edhe në shqip “Libri i zi i komunizmit”, ka një enciklopedi të diktaturave komuniste; më intervistoi dhe më pyeti: Z. Kadare a e keni menduar mirë që kërkoni këtë hapjen e arkivave, se ndodh që njeriu lë kudo ndonjë gjurmë, dhe mbase edhe ju keni lënë ndonjë dokument që s’do donit të hapej. Ndërsa unë në përgjigje i thashë se këtë gjë e kam menduar shumë mirë, dhe nuk jam aq thjesht nga mendja sa të harroj gjëra të tilla të mëdha. Ai më tha është qëndrim i adhurueshëm për mua, dhe e botoi këtë. Kur e botova këtu në Shqipëri 5-6 vite përpara shumë njerëz kanë rendur nëpër arkiva se kanë menduar të shikojë ky se ç’kemi për t’i nxjerrë ne. Dhe kjo është e vetmja letër që gjatë 40 viteve unë i kam bërë Enver Hoxhës. S’ka tjetër, dhe po e përsëris sot te juve këtë: Nuk ka letër tjetër që unë t’i jem drejtuar liderit absolut, tiranit absolut shqiptar gjatë 40 viteve, është vetëm kjo. Kjo letër është shkruar me dorën time, sepse kur kërkova t’i bëj një letër Enver Hoxhës, sekretari i tij më tha: Shoku Kadare ka disa kushte që ai ka dhe juve duhet t’i pranoni. Letrën duhet ta shkruani me dorën tuaj, të mos mbani kopje, të mos lini kopje askund dhe të mos lini gjurmë askund të kësaj letre. Dhe unë e shkrova letrën me dorën time, e besova këtë, se kujtova se diktaturat nuk kanë ndonjë forcë mbinjerëzore për të verifikuar gjërat, por kujtoja se verifikonin ndoshta çdo gjë. Dhe letrën e pashë tani kur u botua në shtypin shqiptar”.

Ju e mbanit mend së pari?
“E mbaja mend si letër. Diku edhe Elena, ime shoqe, në kujtimet e saj e ka thënë që unë i kam bërë një letër për shkak të motrës sime, sepse jam thirrur zyrtarisht në Komitetin Qendror, për të më njoftuar se motra ime ka vite që hetohet nga sigurimi i shtetit. Dhe unë si shkrimtar i njohur, i “privilegjuar” sipas disave, duhet ta dija këtë gjë, dhe mundësisht të isha i ndërgjegjshëm për këtë gjë”.

Sipas dokumenteve të botuar në shtyp, Lubonja në gjyqin e tij ka implikuar babanë dhe emrin tuaj gjithashtu, si frymëzues të leximeve të fshehta, të mendimeve të gabuara, etj. Dokumenti i fundit që është botuar, është një dëshmi e babait të Lubonjës i cili hedh poshtë këto ide, duke u shprehur se nuk i ka thënë apo biseduar këto me të birin. Së pari, çfarë e konsideroni gjithë këtë polemikë që keni me Lubonjën, në lidhje me këtë çështje?
“Nga ana ime është absurde, këtë njeri e kam njohur shumë pak, pothuajse nuk e kam njohur fare, kam njohur vetëm babain e tij, është e parëndësishme, absurde, dhe pa kuptim. Ai është historian, unë jam shkrimtar. Besoj një farë shkrimtari është, i rëndomtë, nuk dua ta fyej, s’po përdor fjalën mediokër, por është krejtësisht i rëndomtë si shkrimtar. Dhe me sa duket krijon legjenda të tilla për ta bërë tepër interesant emrin e vet. Nuk jam përzier në punët e tij asnjëherë, me Todi Lubonjën unë kam pasur shoqëri, miqësi, dhe po ju them, kur ai u fut në burg si komplotist, të gjithë njerëzit që njiheshin me të, që rrinin me të, janë pyetur për të thënë atë çka dinin për këtë “armik”. Se kështu ishte stili atëherë, kur arrestohej një njeri, një turmë e madhe njerëzish, të afërm shokë, miq, të gjithë pyeteshin. Unë jam pyetur në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve, zyrtarisht. Deklarata ime për Todi Lubonjën është e dokumentuar, me datë, me vulë, me të gjitha. Dhe kam thënë: unë nuk kam kuptuar ndonjë gjë armiqësore te Todi Lubonja, veç shakave që bënte shpesh të tepruara, por që ishin në formë humori. Gjëja kryesore që kam thënë, është se ai më lavdëronte mua në mënyrë të tepruar. Ndoshta më ka bërë dëm si çdo njeri, kur lavdërohet shumë, dëmtohet. Kanë qeshur ca, ca s’kanë qeshur. Kjo ka qenë e vetmja dëshmi. Ndërsa del tashti, dhe me një kuriozitet unë kam parë dokumentet, që i biri i tij ka mbajtur tjetër qëndrim. Sipas këtyre dokumenteve, po e përsëris sipas këtyre dokumenteve, ai e ka akuzuar babanë, e ka zhytur thellë e më thellë. Këtu është ndoshta edhe armiqësia, ndaj e quaj absurde. Unë isha miku i tij, ai vendosi të godasë babanë. Por s’kishte punë me mua, s’kishte pse ta theksonte këtë. Le të më zbulonin të tjerët nëse isha armik si i atij i tij”.

Ka një debat për zgjedhjen e Ruçit, ish-ministër i 91-shit, apo zgjedhja e bij të etërve, etj, etj. Kryesisht akuza nga PD. I shikoni të lidhura këto çështje apo janë thjeshtë politike?
“Nuk e kam ndjekur fort mirë kohët e fundit politikën dhe nuk ndjehem mirë përpara publikut të them këtë gjë. Se do thonë njerëzit, që mirë mo zotëri, pse vetëm me fantazitë letrare merresh, por nuk kam asnjë interes, as me njërën parti, as me tjetrën, as kam armiqësi, as acarim, dhe nuk jam në gjendje t’ju jap përgjigje të saktë”.

Po për promovimin e tyre, me poste të larta, ministrore…
“Ka përvojë në botë, gjermani që ka qenë mjaft i rreptë, kjo rreptësi s’ka ndonjë gjë të keqe, por ka qenë sistemi nazist ka qenë shumë i pamaskuar dhe shumë lehtë në Gjermani të dënoheshin këta. S’e di sa e kanë marrë këtë model shqiptarët. Por s’jam në gjendje të bëj një koment. Se publiku pret shumë nga shqiptarët se thonë që unë trilloj gjithë ato shkrime, por s’bëj dot një koment të tillë”.

Ju ka shqetësuar debati për Skënderbeun?
“Është shqetësues, po. Por jo në atë shkallë sa të jetë katastrofë. Kam dëgjuar deklaratat e drejtuese të Komunitetit Mysliman, kanë qenë korrekte. Për shembull, myftiu i Tiranës përjashtoi çdo fyerje të myslimanëve nga figura kinse e ‘krishterë’ e Gjergj Kastriotit. Tha është i joni është i të krishterëve. Domethënë është korrekt shpjegimi i saj zyrtar. Duhet shteti jonë të bëjë të mundur që harmonia fetare të gjejë edhe mjediset ku të zhvillohet normalisht. Duhet të marrë masa”.
Sigal