Komiteti Ushtarak i NATO-s zbarkon në Tiranë

773
Komiteti Ushtarak i NATO-s në Tiranë, vijnë 38 delegacione
Në fokus të diskutimeve siguria në rajon e Misioni i KFOR-it në Kosovë. Dje Presidenti Meta ka zhvilluar takime me disa përfaqësues të këtij komiteti
Shefat e Shtabeve të vendeve anëtare të NATO-s janë duke zhvilluar në Tiranë, Komitetin Ushtarak të kësaj aleance, ku marrin pjesë 38 delegacione. Ky takim nisi ditën e djeshme dhe përfundon të dielën në 17 shtator. Komiteti kryesohet nga komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën, gjeneralin Curtis M. Scaparrotti dhe kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneral Petr Pavel. Krerët e ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s, do të diskutojnë për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe do të japin rekomandime për vazhdimësinë e misionit ‘Resolute Support në Afganistan’ dhe KFOR Kosovë. Gjithashtu, ata do të zgjedhin kryetarin e ardhshëm të Komitetit Ushtarak të NATO-s, i cili do të marrë detyrën në verën e vitit 2018.
Përpara nisjes së punimeve të Komitetit, krerët e NATO-s kanë zhvilluar takime me presidentin Ilir Meta dhe ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Meta me Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s: Politika e ‘Dyerve të Hapura’ i shërben Ballkanit
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti ditën e djeshme në një takim të veçantë Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Gjeneralin Petr Pavel. Presidenti i Republikës, Ilir Meta i uroi mirëseardhjen dhe i shprehu mirënjohjen Gjeneralit Pavel për kontributin e tij në organizimin e Konferencës së Komitetit Ushtarak në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një ngjarje historike për Shqipërinë dhe një aktivitet shumë i rëndësishëm për Aleancën. Presidenti vlerësoi angazhimet e NATO-s në kuadër të sigurisë globale, rolin e saj të pazëvendësueshëm për paqen, stabilitetin, zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin në Ballkan. Presidenti Meta e siguroi Gjeneralin Pavel për angazhimin e tij në përmbushjen e detyrimeve të vendit tonë ndaj NATO-s, në procesin e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përmirësimin e buxhetit për mbrojtjen. Gjenerali Pavel vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në kuadër të Aleancës, veçanërisht pjesëmarrjen e Forcave të saj të Armatosura në misionet e rëndësishme në vende të ndryshme. Presidenti i Republikës dhe Gjenerali Pavel ndanë pikëpamjen e njëjtë mbi politikën e “Dyerve të Hapura” për vendet e Ballkanit dhe u dakortësuan se rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet siguria globale dhe ajo kolektive kërkojnë marrjen e përgjegjësive nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Presidenti Meta shprehu besimin se Takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s në Tiranë do të zhvillohet me sukses.

Me Shefin e Shtabeve të Bashkuara të SHBA-ve, Gjeneralin Joseph Dunford
Në sajë të Konferencës së Komitetit Ushtarak të NATO-s që do të zhvillohet në Shqipëri, presidenti Meta ka takuar kreun e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Gjeneral Petr Pavel, ku shprehu besimin se kjo konferencë do të zhvillohet me sukses. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si të një rëndësie parësore dhe strategjike dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, përballë sfidave të përbashkëta globale si lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm e qëndrueshmëria e sigurisë në rajon. Presidenti i Republikës i shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i ka dhënë Forcave tona të Armatosura në procesin e tyre të transformimit dhe modernizimit duke nënvizuar edhe ndihmën e fundit me mjete speciale transporti të blinduara. Presidenti Meta shprehu gjithashtu mirënjohjen e sinqertë për mbështetjen e SHBA-ve në realizimin e reformave të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, transformimin dhe rritjen e kapaciteteve operacionale, edukimin e Forcave të Armatosura, mbështetjen e institucioneve të inteligjencës, rolin përcaktues të SHBA-së në çlirimin e Kosovës dhe angazhimin e tyre në sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të Ballkanit si dhe mbështetjen kritike për anëtarësimin në NATO. Gjeneral Dunford falënderoi Presidentin Meta për angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë dhe Forcave të saj të Armatosura përkrah ushtrisë së SHBA-së në Afganistan, Irak, dhe vende të tjera dhe vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për ngritjen e nivelit të partneritetit dhe të koordinimit strategjik Shqipëri-SHBA. Bashkëbiseduesit ndanë opinionet mbi sfidat e reja të NATO-s, mbi rëndësinë e sigurisë kolektive dhe mbështetën angazhimin e tyre për vazhdimësinë e angazhimit në përballjen me sukses të tyre, si në planin rajonal ashtu edhe atë global.
Me Shefin e Shtabit të Ushtrisë Italiane, Gjeneralin Claudio Graziano
“Po përballemi me sfida dhe rreziqe të përbashkëta”. Kjo ishte një nga deklaratat e bëra ditën e djeshme nga Presidenti Ilir Meta, gjatë takimit me Shefin e Shtabit të Ushtrisë Italiane, Gjeneralin Claudio Graziano. Presidenti Meta i vlerësoi marrëdhëniet me Italinë në fushën e mbrojtjes të një rëndësie madhore dhe bashkëpunimin mes Forcave të Armatosura shumë të rëndësishëm, si në kuadër të NATO-s, ashtu edhe në planin dypalësh. “Shqipëria dhe Italia janë dy vende fqinjë që përballen me sfida dhe rreziqe të përbashkëta, të cilat kërkojnë bashkëpunim dhe koordinim të suksesshëm mes Forcave të Armatosura”, nënvizoi Presidenti Meta. Presidenti Meta dhe Gjenerali Graziano ndanë pikëpamjen e njëjtë se ruajtja dhe garantimi i kufijve detarë e ajrorë dhe përballimi me sukses i emigracionit, trafikut të paligjshëm dhe terrorizmit mbeten përparësi për sigurinë e Shqipërisë, Italisë dhe të rajonit të Ballkanit. Gjithashtu, Presidenti i Republikës i shprehu mirënjohjen Gjeneralit Graziano për ndihmën e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Forcave tona të Armatosura në ngritjen e tyre profesional edhe mbështetjen në procesin e rritjes së kapaciteteve logjistike dhe përvojës në misionet e tyre jashtë.

Xhaçka takim me krerët e NATO: Shtojmë forcat në Afganistan
Në kuadër të takimit të shefave të Shtabeve të vendeve anëtare të NATO-s, i cili po zhvillohet në Tiranë në datat 15-17 shtator, ministrja e re e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ka pritur dje në takime komandantin Suprem të Forcave Aleate për Europën, gjeneralin Curtis M. Scaparrotti dhe kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneral Petr Pavel. Sipas një komunikate për shtyp nga zyra e shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes, “në takimin me komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropën, gjeneralin Curtis M. Scaparrotti, ministrja Xhaçka e njohu ushtarakun e lartë me prioritetet e saj në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, kryesisht modernizimin dhe stërvitjet. Gjithashtu znj. Xhaçka i shprehu gjeneral Scaparrottit qëndrimin e palëkundur të vendit tonë në mbështetje të misioneve dhe operacioneve në kuadër të NATO-s, duke theksuar gatishmërinë e Shqipërisë dhe Forcave tona të Armatosura për të qenë pjesë e këtyre sfidave”.
“Në këtë kuadër, ministrja Xhaçka informoi ushtarakun e lartë me vullnetin e qeverisë shqiptare për të shtuar me një togë numrin e ushtarakëve shqiptarë në misionin Resolute Support, në përgjigje të kërkesës së strategjisë së re të presidentit amerikan Donald Trump për Afganistanin”, shkruhet në komunikatë. “Gjeneral Scaparrotti vlerësoi kontributin e Shqipërisë në misionet e NATO-s, sidomos ato në Afganistan e Kosovë, dhe përshëndeti vullnetin e qeverisë shqiptare për të rritur kontributin në misionin Resolute Support”, vijon komunikata për shtyp. Gjithashtu në komunikatë shkruhet se shtimin me një togë të kontributit të Shqipërisë në Afganistan, ministrja Xhaçka ia shprehu edhe kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneralit Petr Pavel, i cili gjithashtu e përshëndeti këtë gatishmëri.
Sigal