Ish-gjyqtari Luan Daci: GJKKO më dënoi për “falsifikim intelektual”, kjo vepër nuk ekziston në asnjë legjislacionin penal

272
Sigal

Ish-anëtari i KPA, Luan Daci, akuzon  kolegët e tij gjyqtarë se e kanë dënuar dhe shkarkuar nga detyra në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.

Në një konferencë për mediat këtë fillim viti, Daci tha se për dënimin e tij u shpif norma falsifikim intelektual,  vepër penale kjo që nuk parashikohet në legjislacioni shqiptar.

Luan Daci: Nuk kam falsifikuar asnjë formular dhe asnjë dokument. Kam aplikuar për tre pozicionet e vettingut dhe i kam fituar të treja pas verifikimeve 6 mujore. Të dhënat janë paraqitur në mënyrë korrekte. Jam dënuar pa akt penal, dënim pa ligj. Jam dënuar për një vepër penale nga GJKKO për falsifikim intelektual, nuk ekziston fare në legjislacionin shqiptar si vepër penale. Kjo shpifje juridike nga SPAK dhe GJKKO është fenomeni i parë juridik që kam thirrur këtë konferencë. Gjyqtarët duhet ti nënshtrohen Kushtetutës dhe jo të shpikin vepra penale apo krijojnë norma ligjore si në rastin tim, që është rast unikal.Edhe shkarkimi im është bërë pa ligj, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.Vepra penale falsifikim ekziston vetëm kur kryen veprime konkrete mbi dokument.

Ai tha se është absurde që pas 30 vitesh dëgjon sërish për falsifikim ideologjik dhe mendor.

Daci insiston se është dënuar pa ligj dhe pa një fakt penal.

Kritika pati edhe për Gjykatën e Lartë, e cila nuk mori parasysh rekursin e tij.

Luan Daci u shkarkua si gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në dhjetor të 2021.

Në dhjetor 2020 ai u dënua me 6 muaj burg nga Gjykata e Posaçme, dënim që u konvertua në 12 muaj Shërbim Prove për falsifikimin e kërkesës mes të cilës aplikoi për të qenë pjesë e KPA në vitin 2017.

Sipas SPAK, Daci nuk kishte deklaruar masën disiplinore “largim nga detyra” nga KLD si gjyqtar në vitin 1997. Fajësia e tij u la në fuqi edhe nga Shkalla e Dytë e Gjykatës së Posaçme dhe Gjykata e Lartë në tetor 2021.