Dosja e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë në SHBA për ish-agjentin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, vazhdon të jetë argument kryesor në median tradicionale dhe atë sociale në Amerikë. Ish-e dashura e McGonigal, Allison Guerriero, në një postim në X, tregon se përse e ka publikuar foton e McGonigal me Edi Ramën. Po ashtu ajo thotë se kishte dyshime se McGonigal donte të futej tek pastrimi i parave të drogës përmes Tiranës. ‘Charles McGonigal ka bërë shumë më tepër gjëra nga ç’kam treguar ndonjëherë dikujt. Thuhet se tani është kthyer në një hetim spiunazhi. Të shohim si do shkojnë gjërat. Kur Charlie u kthye nga ai udhëtim në Londër, erdhi direkt nga aeroporti në spital pas mastektomisë sime të dyfishtë. Dy a tre javë më vonë, gjatë një udhëtimi me makinë ku më çonte nga Nju Jorku në Nju Xhersi, filluan dyshimet e mia se kjo ishte shumë më tepër sesa thjesht marrje ryshfeti.’



















