INUK prish 28 banesa në Korçë, padrejtësi të panumërta

670
Sigal

Banorët e “Don Gjon Buzukut” shpërthejnë në lot: “Haram votat që të dhamë!”

 Zotërinj, mos e merrni rrëmbyer, nëse Shqipëria do të bëhet një ditë, ju do të jepni llogari

KORÇË- Mëngjesin e së mërkurës mjetet e rënda të INUK-ut hynë në qytetin e Korçës për të rrafshuar 28 banesa në rrugën “Don Gjon Buzuku”, pasi Bashkia ka planifikuar zbatimin e një projekti për rikonstruksionin dhe zgjerimin e kësaj rruge. Por sipas banorëve të rrugës në fjalë, padrejtësitë ndaj tyre, veçanërisht përsa i përket masës së dëmshpërblimit kanë qenë të panumërta. Madje ishte kjo arsye, që jo vetëm banorët që do t’u prisheshin shtëpitë, por edhe komshinjtë e tyre shpërthyen në lot, duke u shprehur: “Haram votat që të dhamë z. Rama!” Ata përsërisnin vazhdimisht se padrejtësitë ndaj tyre kishin qenë të mëdha dhe denigruese, ndaj prishjen e shtëpive nuk kishin për ta harruar kurrë. Dhe nëse një ditë Shqipëria do të bëhet dhe drejtësia do të funksionojë, atëherë zotërinjtë që përgatitën këtë “masakër” do të japin llogari. Cilat janë padrejtësitë e pretenduara nga banorët po i rendisim më poshtë.

 PËRMBLEDHJE DENONCUESE

1. Më dt. 7 nëntor të vitit 2014, Këshilli i Bashkisë Korçë mori një vendim të papritur: 28 familjeve që banonin në rrugën “Don Gjon Buzuku” të qytetit të Korçës do t’u prisheshin shtëpitë. Projekti u miratua vetëm me votat e të të majtëve. Të djathtët votuan kundër. Sigurisht, vendimi hyri në fuqi. Që nga kjo ditë kalvari i gjatë i mundimeve përfundoi tragjikisht për banorët e kësaj rruge. Ata mbetën mes katër udhëve, ndërsa dëmshpërblimi ishte qesharak.

2. Vendimi i mësipërm, synonte prishjen e banesave dhe bizneseve përgjatë rrugës “Don Gjon Buzuku”, ose të lagjes nr. 5. Kjo lagje ishte dhe mbetet një nga lagjet më të vjetra të Korçës. Ajo zë fill që nga lindja e këtij qyteti më 1486, kur themeluesi i Korçës Iljaz bej Mirahori vendosi gurin në Xhaminë e Madhe, të cilën e përfundoi më 1496, gjë që do të thotë se kjo lagje ka një origjinë 500-vjeçare. Ajo shtrihet mbi ndërtesën e bashkisë së sotme, e cila fillimisht ka qenë Prefekturë. Pikërisht në këtë vend ka ekzistuar edhe administrate e vjetër e qytetit e para viteve 1912. Ndaj në këtë lagje banonin kryesisht  mësonjës, tregtarë, avokatë, administratorë, nëpunës etj

3. Por edhe pse ishte një nga lagjet më të vjetra të Korçës, ajo u la qëllimisht pa investime për 25 vjet me radhë. Sheshi që gjendej përballë radiotelevizionit të Korçës, i cili deri më dje shërbente edhe si shesh i kësaj zone, mbulohej i gjithi nga uji dhe balta. Nuk u shtrua asnjë rrugë me kalldrëm ose asfalt dhe nuk u gjelbërua asnjë cep i saj. Zona mbeti për çerek shekulli në errësirë të plotë. Investime për ndriçim nuk u bënë asnjëherë. Ndërsa  krejt ndryshe ndodhte në lagjet e “Varoshit”, ku banojnë ortodoksët, atje të gjitha lagjet u shtruan me kalldrëm, u kryen investime madhore, rrugët u ndërtuan dhe u rindërtuan disa herë me radhë. Shumë mirë që u bënë, por duhej të ishin bërë edhe këtej nga ne, ku jetojnë myslimanët, shpreheshin banorët.

4. Gjithçka që ndodhi në këtë lagje ishte një veprim absurd. Siç e thamë edhe më sipër, plani i prishjes së 28 shtëpive të rrugës “Don Gjon Buzuku” nuk ekzistonte. Ai u sajua krejt papritur. Fillimisht projekti ishte parashikuar të realizohej në rrugën “6 Dëshmorët”, madje ky projekt mori edhe miratimin në vitin 2012, por gjithçka ndryshoi papritur sepse përgjatë rrugës “6 Dëshmorët”  kishin banesat e tyre tre miq të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi dhe ai nuk mund t’ua prishte dot shtëpitë. Një nga këto banesa, ( 5-katëshe), ishte pajisur me lejen e ndërtimit nga vetë drejtuesit e Bashkisë. Kjo është e vërteta.

5. Deri më 25 shtator 2014, për lagjen nr. 5 ekzistonte një plan tjetër. Banorëve të “Don Gjon Buzuku”-t do t’u jepej mundësia të investonin. Kush kishte troje mund të ngrinte shtëpi banimi 3-katëshe. Por vetëm 5 ditë më pas, u përhap lajmi se plani kishte ndryshuar. Kjo ishte çudia tjetër e radhës. Si ishte e mundur!? Shtëpitë përgjatë rrugës “Don Gjon Buzuku” nuk prekeshin as nga plani urbanistik i hartuar nga studioja gjermane. Atëherë, përse ishin shpenzuar fonde të mëdha për hartimin e projekteve të tilla, kur nuk respektoheshin?!

6. Plani ndryshoi dhe të gjitha veprimet u kryen në fshehtësi të plotë. Punonjësit e urbanistikës vinin në orët e vona të mbrëmjes, matnin, fotografonin, llogarisnin dhe iknin përsëri tinëz ashtu siç kishin ardhur. Edhe mbledhjet bëheshin në orë të vona. U dha urdhër për pezullimin  proceseve të legalizimit. Familjarëve të 28 shtëpive nuk duhej t’u jepej asnjë mundësi për kryerjen e veprime të tjera mbi pronat e tyre.

7. Veç sa më sipër, banorët e rrugës “Don Gjon Buzuku” u mbajtën në errësirë të plotë informacioni. Askush prej tyre nuk dinte sa do të ishte çmimi për metër katror. Ndërkaq, kishte nisur të qarkullonte edhe një shprehje e frikshme: “Kush del kundër projektit do të mbetet me gisht në gojë, dëmshpërblimi për të do të jetë minimal”. Bashkëpunimi mes 28 familjeve dhe drejtuesve të bashkisë mungoi totalisht.

8. Gjithashtu, banorët e rrugës “Don Gjon Buzuku” pajtuan me shpenzimet e veta një nga studiot më të mira të vendit, me qëllim rikonceptimin edhe një herë të projektit për rikonstruksionin dhe zgjerimin e rrugës, “Don Gjon Buzuku” dhe sipas studios në fjalë, ishte tërësisht e mundur që së paku 11 shtëpi të mos shembeshin, por edhe këtë përpjekje të tyre bashkia nuk e mori parasysh. Drejtuesit e bashkisë këmbëngulnin në absurditetin e vet. Kjo lagje nuk ishte prekur as nga plani urbanistik i hartuar nga italianët në vitin 1930, ashtu siç nuk u prek as nga studioja gjermane.

9. Për shkak të këtij qëndrimi refraktar të drejtuesve të bashkisë, banorët e “Don Gjon Buzukut” u detyruan të dalin në protesta, por ndërkaq, organizatori i kësaj proteste, shqiptaro-amerikani Petrit Xhelollari, u arrestua. Ndaj tij u ngrit një akuze e paqenë. Gjykata doli në përfundimin se arrestimi kishte qenë i paligjshëm dhe Xhelollari u la i lirë në sallën e gjyqit. Edhe ky fakt flet qartë për këmbënguljen absurde të drejtuesve të bashkisë Korçë, e cila, nga sa shihet, ishte e vendosur që prishjen e 28 shtëpive ta realizonte me çdo çmim.

10. Nga investigimet e kryera nga vetë banorët e rrugës “Don Gjon Buzuku”, rezultoi se Bashkia e Korçës mban në fshehtësi të plotë një projekt tjetër për realizimin e ndërtimeve shumëkatëshme mbi rrugën “Don Gjon Buzuku”, gjë që do të thotë se lagjja nr. 5 do të rrafshohet e gjitha. Bashkia është duke pritur çastin më të volitshëm për realizimin e këtij projekti “madhor”. Pra, drejtuesit e bashkisë Korçë nuk po përpiqen për të mirën e banorëve, siç trumbetohet prej tyre, por si e si të fitojnë më shumë.
11. Megjithatë, çështja e dëmshpërblimit të banesave mbeti pjesa më e nxehtë e problemit. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nëpërmjet një shkrese zyrtare, dt. 14.10.2014, nr. 5862 prot., referuar shitjeve në tre muajt e fundit, dha këto çmime: 1) Vlera mesatare e truallit për zonën kadastrale 8563 ishte 13.630 lekë për metër katror. 2) Vlera mesatare e banesave, 45.230 lekë për metër katror. 3) Dhe vlera mesatare e njësive tregtare, 65.481 lekë për metër katror, por banorët konstatuan me keqardhje se këto çmime të ofruara nuk i përgjigjeshin tregut. Patën ankesa, por përsëri nuk i dëgjoi askush.

12. Dëmshpërblimet e banesave u përllogaritën tri herë me radhë, por sa herë që llogariteshin aq më shumë humbnin banorët e “Don Gjon Buzukut”. Në llogaritjen e parë për banesën e Agim Tefikut dëmshpërblimi u vlerësua në masën 9.205.720 lekë, në të dytën 7.505.720 lekë, ndërsa në llogaritjen e tretë në 7.361.678 lekë, pra 1.844.042 lekë më pak. E njëjta gjë ndodhi edhe me banesat e banorëve të tjerë. Ose, nëse  shtëpia e shqiptaro-amerikanit Petrit Xhelollarit, me çmimet e tregut vlerësohej në 1 milionë e 300 mijë euro, ndërsa bashkia  i dha vetëm 8% të kësaj shume.

13. Manipulimet me dëmshpërblimet ishin të mëdha, vetëm e vetëm që banorët e “Don Gjon Buzukut” të dëmshpërbleheshin sa më pak që të ishte e mundur. Më konkretisht: çmimi i truallit bazohej në nenin 1 të VKM-së, kurse çmimi i ndërtimit nenit 2 të VKM-së, që do të thotë se shteti punonte me dy standarde, sepse çmimi për truallin i referohej ligjit, kurse çmimi për ndërtimin i referohej vlerës mesatare të llogaritur nga ZRPP-së. Ndërkaq në fletoren zyrtare nr.130, datë 15 gusht 2014, thuhej se për Korçën vlera e ndërtimit ishte 47.000 lekë për metër katror, ashtu sikurse në fletoren zyrtare nr. 118, datë 31 korrik 2014, për truallin, sipas zonës kadastrale 8563, çmimi ishte 7.535 lekë metri katror. Kakofonia e çmimeve dhe vlerësimeve ishte e paimagjinueshme, por gjithnjë në dëm të banorëve.

14. Korça është e ndarë në 4 zona kadastrale, por vetëm zona kadastrale 8563, ku gjenden banorët e “Don Gjon Buzukut” ka çmimin me të ulët, 7.535 lekë për metër katror edhe pse gjendet në qendër të qytetit. Pse ndodh kështu?!  Askush nuk na dha ndonjë përgjigje. Ndërsa zonat e tjera kanë këto çmime: zona kadastrale 8562 ka çmimet e shitjes së truallit 8.413 lekë, zona 8561 ka çmimet e shitjes së trojeve 8.537 lekë për metër katror, ndërsa zona kadastrale 8586, i ka çmimet e shitjes 8.537 lekë për metër katror. Diferenca e çmimeve është e qartë.

15. Veç sa më sipër, nga ana e bashkisë, për miqtë e tyre, jepeshin porosi: “Mos e ngrini zënë dhe ne do t’ju dëmshpërblejmë edhe për një kat më shumë”. Pra, për këto familje dëmshpërblimi do të bëhej edhe për katet e pahipotekuara. Kjo gjë mund të verifikohet lehtësisht duke iu referuar listës së dëmshpërblimeve. Banorët pretendojnë se deri më tani kishin mundur të identifikonin 4 raste të tilla. Që të gjitha këto e bën të dëshpëruar jetën e banorëve dhe aq më shumë ditën e mërkurë, kur e panë veten pa shtëpi dhe mes katër udhëve. Andaj dhe urimi i tyre ishte: “Haram votat që të dhamë z. Rama!”

Nga Vepror Hasani