Intervistë me Klaidi Çitozi: Rritja e tregut të sigurimeve do të jetë e lidhur me rimëkëmbjen ekonomike

233
Sigal

Rritja e tregut të sigurimeve do të jetë e lidhur ngushtë me rimëkëmbjen ekonomike

Intervistë me Klaidi Çitozi, drejtor i përgjithshëm i Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group

Klaidi Çitozi, drejtor i përgjithshëm i Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group (SIVIG), thotë se tregu i sigurimeve ishte ndër segmentet më të prekura të tregut financiar.

Sipas tij, efektet e krizës u ndien sidomos në portofolin e sigurimit të aksidenteve dhe pronës, për shkak të pezullimit të punës në disa sektorë të industrisë, si dhe te kartoni jeshil, polica kufitare, sigurimi i avionëve dhe anijeve, për shkak të kufizimit të lëvizjeve.

Megjithatë, ai thekson se pavarësisht situatës, tregu i sigurimeve është i qëndrueshëm dhe i mirëprovigjonuar. Z. Çitozi mendon se ecuria e tregut për vitin 2021 do të jetë e lidhur ngushtë me rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritjen e investimeve, konsumit, remitancave dhe kërkesës për eksporte.

Si do ta vlerësonit performancën e tregut të sigurimeve në vitin 2020? Sa u ndien pasojat e krizës dhe në cilat drejtime ato ishin më të prekshme?

Kriza e shkaktuar nga COVID-19 është kriza më e madhe në nivel shëndetësor dhe ekonomik me të cilën është përballur vendi ynë. Ajo nuk ka kursyer pothuajse asnjë vend të botës, sigurisht me efekte dhe intensitete të ndryshme. Tregu i sigurimeve në Shqipëri ishte ai që u prek më shumë në sistemin financiar jobankar të vendit dhe pësoi një rënie prej 5% në prime dhe rreth 30% në numrin e kontratave.

Portofolat që u ndikuan më shumë nga pandemia, ishin sigurimi i aksidenteve dhe ai i pronës, për shkak të pezullimit të punës në disa sektorë të industrisë, si dhe kartoni jeshil, polica kufitare, sigurimi i avionëve dhe anijeve për shkak të kufizimit të lëvizjeve. Por vëmë re një ndërgjegjësim në rritje për sigurimin e shëndetit, gjatë këtij viti, pasi ky portofol është rritur me 13.5%.

Gjatë këtij viti ka vazhduar trajtimi dhe pagesa e dëmeve nga tërmeti, dhe vetëm 7% e kërkesave të tregut kanë mbetur pa u paguar ende, për shkak të disa procedurave ligjore. Kjo bëri që dhe dëmet të kenë një rritje me rreth 31%. Pavarësisht situatës, tregu i sigurimeve është i qëndrueshëm dhe i mirëprovigjonuar. Sigma Interalbanian ka mbështetjen e grupit VIG, si dhe të partnerëve të fuqishëm në risigurime, dhe kjo bën që të ketë likuiditete të mjaftueshme për t’u përballur me rreziqet që merr përsipër.

 

Cilat do të jenë sfidat kryesore dhe faktorët që do të ndikojnë ecurinë e biznesit të sigurimeve në vitin 2021? 

Është mjaft i dukshëm përkeqësimi i mjedisit ekonomik në vend dhe faktor i rëndësishëm është edhe rënia e kërkesës së jashtme për prodhime industriale dhe eksporte. Masat që u morën për parandalimin e përhapjes së virusit, shkaktuan krizë të madhe në sektorin e shërbimeve siç janë turizmi, hoteleria, shërbimi i transportit, etj. Duke qenë se industria jonë është e lidhur ngushtë me ecurinë e të gjithë sektorëve të ekonomisë në përgjithësi, rimëkëmbja e investimeve, kërkesës për eksporte, remitancave si dhe konsumit do të ndikojë dhe në rritjen e kërkesës për sigurime.

 

Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2021? Prisni një rimëkëmbje të shpejtë apo vijimësi të ndjeshme të efekteve të krizës pandemike?

Ne ende vazhdojmë të kemi një situatë të paqartë në lidhje me pandeminë. Rimëkëmbja e vendit varet shumë nga niveli i infektimeve, si dhe nga vaksinimi i popullatës. Si të gjithë, shpresojmë që kjo situatë të mos zgjasë shumë pasi kjo sjell dhe dobësim të financave publike dhe ulje të investimeve. Ne presim që të ketë dobësim të krizës shëndetësore dhe përmirësim të situatës epidemiologjike në Shqipëri. Me fillimin e lëvizjes së lirë, transportit, turizmit, do të kemi rritje të ekonomisë dhe rrjedhimisht do të rritet edhe nevoja për sigurime.

Kjo do të rrisë besimin e konsumatorëve dhe investitorëve, dhe në këtë mënyrë pritet të kemi një ndryshim ekonomik pozitiv gjatë vitit 2021. Uroj që njerëzit të ndërgjegjësohen për domosdoshmërinë e sigurimeve, dhe pas kësaj që kaluam, të gjithë e dinë rëndësinë e shëndetit, por mbi të gjitha, sa e domosdoshme është të kesh në çdo moment mjetet e duhura për të përballuar shpenzime të larta spitalore.