Intervista/ Spartak Topollaj: Pashallarët tanë modern e kanë dorëzuar ‘timonin e Rilindjes’ tek oligarkia e majmur duke shitur edhe interesat kombëtare

174
Sigal

Intervistë me diplomatin Spartak Topollaj

Stekat e vjetra të “Drejtësisë” së Diktaturës, shpopullimi masiv dhe  ndërkombëtarët e Tiranës dhe pse Amerika dhe jo Sorosi do të mbetet aleate e përjetëshme strategjike e Kombit Shqiptar

 

Intervistoi Biora Vojka

Shpopullimi me ritme të frikshme i Shqipërisë, largimi i të rinjve dhe mplakja e popullsisë, tranzicioni 32 vjeçarë, që po kalon vendi ynë, demokracia e brishtë shqiptare, rikthimi i sistemit monist si në pushtetin qëndror, por edhe atë lokal, ngjarjet e tmerrshme të 8 janarit 2022 brenda opozitës, qëndrimi i njëanshëm i qeverisë dhe disa ndërkombëtarëve në jetën e brendshme politike, janë disa nga çështjet mbi të cilat Gazeta “Telegraf.al ” zhvilloi me diplomatin dhe opinionistin Spartak Topollaj. Në analizën e tij të hollësishme diplomati Topollaj flet edhe për situatën e rëndë në Kosovë, politikat antikombëtare me çështjen e ‘Detit’, Porteve, Investitorët Strategjikë të Rilindjes, paralajmërimet e organizmave ndërkombëtare për Pasaportat e Arta, Amnistia Fiskale, PPP, tenderat abuziv, dështimi i Reformës në Drejtësi etj. Ja opinioni i plotë që diplomati Topollaj dha në këtë fillim viti  2023 për Gazetën Telegraf.

“Reforma në Drejtësi, nuk mund të ketë sukses, teksa në krye të institucioneve të saj, vendosen ish hetues, gjykatës apo prokurorë të regjimit enverian, apo motra, vëllezër, kunetër, baxhanakër dhe kushërinj qeveritarësh e deputetësh të së majtës luksoze rilindase…”

Si do e konsideroni vitin 2022 që sapo mbyllëm. Nisën me situatën e tensionuar të 8 janarit në selinë e demokratëve dhe përfundoi në fund të dhjetorit në mënyre simbolike me trokitje  gotash ?

Regjimi totalitar dhe karikaturë i diktatorëve Hoxha dhe Alia, e la Shqipërinë pa Opozitë, për gati gjysmë shekulli, se edhe ata pak deputetë opozitarë të dalë nga zgjedhjet e para të pasluftës, të 2 Dhjetorit 1945, i arrestoi, i gjykoi dhe ekzekutoi, si agjentë të anglo-amerikanëve. Këto misione komunizmi i mbylli dhe i përzuri nga Shqipëria, edhe pse ndihma e tyre për Frontin ANÇl. ishte e madhe dhe e gjithanshme, kur BRSS-ja staliniane solli vetëm një major (Ivanov) dhe një kapter që e shoqëronte! Edi Rama, në vitin e dhjetë në pushtet, nuk ka lënë rast pa humbur, për ta përçarë, fyer dhe sulmuar egërsisht me arsenalin vulgar, banal e batutist, tashmë të njohur të tij, deri edhe mundësisht për ta asgjësuar atë, me të gjitha mjetet, dhe me të tëra mënyrat, duke blerë deputetë, duke iu dhënë privilegje, favore dhe benefite me tendera, konçesione, PPP, leje ndërtimi për kulla e pallate, apo duke shantazhuar, kontrolluar dhe blerë media vizive dhe të shkruara, dhe në fund duke ngritur edhe Ministrinë e Trushplarjes (Dezinformimi e Propaganda me ERTV ) në krye me Gëbelsin, apo më saktë Zhdanovin e tij ! Viti që sapo u mbyll, 2022-shi pra, duhet pranuar, që ishte më i vështiri i 32 viteve pluralizëm, për opozitën në përgjithësi dhe PD -në në veçanti, madje më i vështirë se edhe viti i mbrapshtë 1997! Askush, deri dhe enveristi më i sëmurë, nuk mund as ta ëndërronte atë përçarje të PD-së, apo blindimin si bunker antiatomik i Selisë Blu, ndaj vetë demokratëve të paepur, si edhe prapsjen e të cilëve me policinë e qeverisë Rama, thirrur nga vetë ish-drejtuesit e PD-së, Basha e Alibeaj ?! Takimi me drekën e Xhelal Mziut, ishte shenjë e vullnetit të mirë të atyre, që Kuvendi plebishitar në stadiumin Air Albania, kish vërtetuar botërisht, se kush e kishte me vete, shumicën dërrmuese të anëtarësisë, mbledhur nën kryesimin e liderit historik, Prof. Dr, Berisha! Loja me dopio-kandidaturat e Alibeajt, është e shtirur dhe çon ujë në mullirin me erë të Ramës ?!

Situata në Kosovë vazhdon të jetë e nderë. Duket sikur ka një mosdakortësi mes politikës së Tiranës zyrtare dhe asaj të Prishtinës ?

Përgjigjja këtu është fare e thjeshtë : Nuk mund të kesh në të njëjtën kohë mik Albin Kurtin (në fakt duhet ta kesh vëlla) dhe po aq mik në mos edhe më shumë, serbin Aleksandar Vuçiç, Gëbelsin e Milosheviçit, kryekasapit të Ballkanit, që dezinformoi botën për gjenocidin, masakrat dhe krimet e luftës në Kroaci, Bosnje e sidomos në Kosovë, ku u vranë 13.000 shqiptarë ( gati 2.000 ende të pa gjetur), e u përdhunuan 20.000 femra e u deportuan me dhunë rreth 750.000  kosovarë !!!

Rama mban një qëndrim të ngrirë në raportet me Kurtin dhe është shumë më i dashur me Vuçiç. Si e vlerësoni deklaraten e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, së Thaçit ia ka propozuar Rama, shkëmbimin e territoreve? 

Që Rama, Thaçi dhe Vuçiç janë trekëndëshi trebrinjishëm sorosian i shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, kjo nuk mund të vihet aspak në dyshim?! Kujtoni pak sekuencat televizive, ku me kolltuqet ngjitur pranë njëri tjetrit, Vuçiç i tha me zë të ulët Thaçit në serbisht: Mos fol, për çka kemi biseduar dhe jemi marrë vesh! Të mos harrojmë , se Thaçi, jo pa miratimin e Ramës ka firmosur projektin pro sorosian për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Veri të Kosovës, duke ia lënë kështu “litarin jashtë varrit “ Kosovës, për të mos folur pastaj për “Ballkanin e Hapur”, këtë tjetër projekt antishqiptar të Sorosit , mbështetur fuqishëm edhe nga Putini!

“Shpopullimi i Shqipërisē , sidomos nga rinia, me ritme edhe më të larta se në vitet ‘90 – ‘91 , apo edhe ‘97 – ‘98, është sa i qëllimshëm , aq edhe alarmant ! Rinia  është vetë progresi, liria dhe demokracia!”

Shpopullimi, është kthyer në plagën më të madhe kombëtare. Qeveria duket më shumë e interesuar për këtë emigrim, vendi  po plaket dhe lindshmëria ka rënë.

Shpopullimi i Shqipërisē, sidomos nga rinia, me ritme edhe më të larta se në vitet ‘90 – ‘91 , apo edhe ‘97 – ‘98, është sa i qëllimshëm, aq edhe alarmant! Rinia, është vetë progresi, liria dhe demokracia! Ajo voton në shumicë progresin dhe ikja e tyre në kuota drastike, përkthehet në mungesë votash për të djathtën sa herë ka Zgjedhje! Nga ana tjetër, remitancat e tyre gati 1 miliard €uro në vit, shërbejnë si amortizatorë dhe i japin mundësi qeverisë, të mos përballet me ankesa dhe protesta të forta të shumicës së varfër këtu në Shqipëri!

Oligarkia, PPP, ‘Investitorët Strategjik’, pastimi i parave, amnistia fiskale po favorizojnë grupet e interesit pranë qeverisë dhe trafikantët e drogës.

“Antioligarku” Rama, kujtohet mirë nga shqiptarët, teksa shantazhonte , madje edhe kërcënonte oligarkët sa ishte në opozitë, por sapo erdhi në pushtet e ndërroi pllakën , madje me çarter, bashkë me më kryesorët e tyre, mori rrugën e largët për në Singapor, Kinë, Hongkong apo Taivan ?! Të gjithë e dijnë, se tani, po deshe të mbyllësh apo të mbarosh punë me qeveritarët tanë, gjeji anën, apo mikun ndonjë megaoligarku dhe kjo është lehtësisht e kuptueshme pse ndodh ! PPP-të në Shëndetësi, si të Beqajt ashtu edhe të Manastirliut , tenderat me një konkurrent të vetëm dhe me fitues të paracaktuar, në çdo dikaster, tenderat sekret deri edhe për letrën higjienike, pastrimi i parave dhe amnistia fiskale, pasaportat e arta etj etj, patjetër që favorizojnë grupe interesi apo klane pranë qeverisë dhe anturazhin e tyre, shpesh të paraqitur si investitorë strategjikë, si rasti skandaloz i Ministres Xhaçka, apo komikut Gaz Paja ?!!! Kulmin e korrupsionit dhe skandaleve e përbën tani historia tej kufijve të imagjinatës, e 3 Inceneratorëve me treshen proverbiale të shndrrimit të tre pabuksave, Zoto, Mërtiri, Gugallja, në miliarderë sa hap e mbyll sytë , të cilët, “çuditërisht” dhe paradoksalisht, edhe pse na i paraqitën si investitorë seriozë e korrektë , u zhdukën andej nga Dubai tre ditë para arrestimit, të lajmëruar me ndonjë korier-postier në trajtë “pëllumbi”! Rruga e Arbërit, Qafë-Thana apo ajo Kardhiq – Delvinë, po përpijnë qindra milionë €uro më shumë nga projektet fillestarë dhe pritet të mbarojnë në kalendat greke me çmime për km. deri 4 herë më të larta se mesatarja europiane ?!!! Ndërtimet pa leje gëlojnë deri në Qendër të Tiranës, por askush s’do të habitej, po të ngrihej kullë edhe në lulishten pas monumentit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ?!

BE, SHBA, Dhoma Amerikane e Tregtisë, FMN, BB, paralajmërojnë qeverinë për nismën e dhënies së Pasaportave të Arta. Po shkojmë drejt një izolimi Euro-Atlantik?

Sado që Qeveria Rama, e një mazhorance socialisto-rilindase, ka patur mbështetjen ose heshtjen e një numri jo të paktë të ambasadorëve në Tiranë, ku dyshimet për kompromentim e korrupsion nuk janë të rastësishme për disa syresh, kjo nuk do të thotë kurrë, se qeveritë respektive nuk kanë informacione dhe dijeni, edhe nga burime të tjera të besueshme !? Sorosianët, kanë një rol të madh në politikën, në diplomacinë amerikane, pse jo edhe europiane, ndaj disa ambasadorë, përfshi dhe zonjën Kim, nuk mund të sillen si governatorë! Prof. Dr. Sali Berishës, liderit historik të demokratëve, njëriut, që ka kontribut të jashtëzakonshëm në përmbysjen e diktaturës staliniste të Enver Hoxhës, këtij antiamerikani e antiperëndimori tē përbetuar dhe intransigjent, nuk mund t’i jepej përcaktimi “ non grata” pa kombinimin okult Rama -Soros?!!! I vetmi politikan dhe shtetar shqiptar, i pritur dy herë zyrtarisht në Zyrën Ovale të Presidentëve Bush ( senjor ) dhe Klinton, si edhe ftuesi dhe mikpritësi i Presidentit të SHBA-ve në detyrë, George Ë.Bush njëriut më të fuqishëm të Botës. Po të ishte Berisha anti-amerikan, si do të vinte në Shqipëri Presidenti Bush (junior) dhe me dorën mbi supin e Berishës të deklaronte : Shqipëria në NATO, shqiptarët pa viza dhe Kosova e Pavarur !!! Është lehtësisht e vërtetueshme, se një President Amerikan, më parë se të vizitojë një shtet tjetër, mbi tavolinën e madhe prej druri të Sekuioa – gjigante , në Zyrën Ovale i vendosen nga 5 burime të ndryshme informacione analitikë sintezë, apo rezyme mbi figurën e personalitetit të lartë shtetëror, që e ka ftuar !

“Kulmin e korrupsionit dhe skandaleve e përbën tani historia tej kufijve të imagjinatës, e 3 Inceneratorëve me treshen proverbiale të shndërrimit të tre pabuksave, Zoto, Mërtiri, Gugallja, në miliarderë sa hap e mbyll sytë  të cilët, “çuditërisht” dhe paradoksalisht, edhe pse na i paraqitën si investitorë seriozë e korrektë  u zhdukën andej nga Dubai, tre ditë para arrestimit.”

Si e gjykoni thyerjen e embargos ndaj mallrave ruse nga oligarkët e qeverisë, heqja e vizave me Kinën, orjentimin drejt botës arabe, anashkalimi e detyrave të Integrimit me BE, dhe detyrimeve ndaj NATO-s ?!

Alibi të shumta përdoren për të justifikuar thyerjen e embargos ndaj mallrave Ruse apo Mikut serb Vuçiç, i duhet bërë ndonjë nder, e po kështu kryeministrit shqiptar të Malit të Zi, zhgënjyesit Dritan Abazoviç, i cili, kush dreqin e di pse, u ngatërrua në një marrëveshje të errët me Kishën Ortodokse Serbe ?! Nga ana tjetër, heqja e vizave me Kinën, bash në kohën kur atje ka shpërthyer një valë e re infektimi me virusin vdekjeprurës pandemik Covid, ndaj të cilit, edhe vaksina kineze, duket se dha rezultate jo të kënaqshme, ishte e nxituar, e po të shtojmë faktin, që Kina aktuale e Presidentit, tashmë të përjetshëm, Xi Jingping, është në krah të Rusisë ( kujtoni bisedën e gjatë, të ngrohtë e mëse miqësore me Putinin këto ditë ), kupton pse Kina investon miliarda në Serbi dhe këmbēngul kinezërisht, të mos e njohë Kosovën ?! Aferat miliardëshe me Alabaarët dhe Emmarët arabë, për Portin e Durrësit, si edhe takimet miqēsore me Bin Salman, Princin teokratik e despotik trashëgimtar të Kurorës së Mbretërisë Saudite (që arrestoi dhe pasi i mbylli në Hotel 67 kushërinj miliarderë iu a mori paratë, apo urdhëroi vrasjen barbare e makabre të gazetarit me pasaportë amerikane Gammal Kashogxhi , brenda Konsullatës Saudite në Stamboll ), lënë shumë për të dëshiruar, për Shqipërinë, pjesë e NATO-s, dhe që mëton të hyjë dhe integrohet në BE ?!

Reforma e dështuar në Drejtësi, kapja e saj si dhe të gjitha institucioneve të pavarura , së bashku me pushtetin monist lokal duket se na riktheu në monizëm?

Reforma në Drejtësi u mirëprit nga të gjithë shqiptarët, madje Pozitë e Opozitë, e votuan 100 % atë ( të 140 deputetët në Kuvend ), por i vetmi rezultat që kemi parë live deri më sot, ishte puthja pasionante në Lozhë e Ambasadorit amerikan Lu me ambasadoren flokështëllungë të BE -së e përfolur për afera !!! Reforma në Drejtësi, nuk mund të ketë sukses, teksa në krye të institucioneve të saj, vendosen ish hetues, gjykatës apo prokurorë të regjimit enverian, apo motra, vëllezër, kunetër, baxhanakër dhe kushërinj qeveritarësh e deputetësh të së majtës luksoze rilindase ! Kulmi u mbërrit, kur u konsiderua Dvorani, stekë e vjetër e “drejtësisë” së Diktaturës, kampion i antikorrupsionit, i cili krejt “rastësisht” kishte “harruar” t’i deklaronte në ILDKPI, 100 milionë lekë në xhepin e xhaketës së kostumit të vjetër terital ?! Madje Ambasadorja Kim, u investua personalisht, që Dvoranit, t’i jepej edhe një medalje teneqeje e galvanizuar nga sorosianët në Ëashington ! Shumë gjykatës e prokurorë i kapi Vetingu selektiv, se iu gjet mospërputhje në çmimin e blerjes, apo shitjes së ndonjë autoveture të lodhur personale, kur boll të tjerë posedojnë nga 13 apartamente, vila në bregdet, apo troje buzë Jonit e Adriatikut, pa iu hyrë ferrë në këmbë ?!

Opozita Shqiptare ende ndodhet e përçarë dhe e tradhëtuar nga shumë elementë opozitar, të joshur nga qeveria e Rilindjes. Si e shikoni zgjidhjen për ballafaqimin në zgjedhjet e 14 Majit 2023 .

E thashë edhe më lartë, që është fakt përçarja e Opozitës ! Mazhoranca dhe vetë Rama, s’kanë lënë gur pa lëvizur në të gjitha format, e mënyrat për ta thelluar atë ! Zgjedhjet e pjesëshme lokale në 7 Bashki , treguan qartë , se ku fle lepuri! Përjashtuar Shkodrën e pamposhtur demokrate në 32 vite pluralizëm, bashkitë e tjera i fitoi mazhoranca, që i ka të gjitha pushtetet dhe resurset ! Një dorë për humbjen e Opozitës ia dhanë, për turpin e tyre, ( si atij hoxhës, që ra nga minarja), edhe disa prej deputetëve të grupimit Alibeaj ! Prej më shumë se një viti, në një betejë epike. Lideri historik Berisha, organizoi FOLTOREN, duke ringritur dhe rithemeluar PD-në ! Demokratët duhet të bashkohen të tërë, që të fitohen Zgjedhjet Lokale të 14 Majit! Ata pak demokratë, që patën iluzione për një grusht deputetësh rreth Alibeajt, që mbyti me gazin lotsjellës e neuroparalizues të policisë së Ramës, Çuçit, Veliut dhe Gletis Nanos, aktivistët e palëkundur të 32 viteve pluralizëm, të cilët donin të hynin në Selinë e blinduar të PD -së, është koha të bashkohen, se Rama mundet me votë! Në kënetën e korrupsionit e skandaleve ku është zhytur qeveria dhe administrata rilindase me shefa e drejtoresha që arrestohen përditē, s’e shpëtojnë dot gomerdaret e disa diplomatëve tranzitor në Tiranë. Amerika e vlerave më të larta demokratike është dhe do të mbetet aleate e përjetëshme strategjike e Kombit Shqiptar