Patriotët dhe rilindasit që ideuan dhe krijuan shtetin e pavarur shqiptar, gjithnjë kanë shkruar e porositur që duhen mësuar shqiptarët që të duan më shumë Shqipërinë se sa partinë dhe sundimtarin e vogël të fisit apo qytetit të tyre.
Intervistoi Jakup B. Gjoça
Prof. Dr. Lush Susaj në intervistën për gazetën ‘TELEGRAF‘ thotë se ideja e kryeministrit Rama, për të nxjerrë Shqipërinë nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit është propagandë tallëse e fyese për elitën shoqërore e politike të vendit. Siguria më e madhe për Shqipërinë duhet të mbeten institucionet ndërkombëtare të Drejtësisë.
Prof. Susaj shpjegon se mungesa e dekomunizmit në Shqipëri ka sjellë një vazhdimësi të frikës e nënshtrimit ndaj qeveritarëve.
Prof. Susaj, duke iu referuar premtimeve ekonomike të kryeministrit Rama për rritje pagash në këtë fushatë elektorale, pohon se hedhja e parave në kohë zgjedhjesh është antiligjore dhe dëmton besueshmërinë dhe produktin e zgjedhjeve.
Prof. Susaj këshillon shqiptarët që “në këto zgjedhje, do të mund të tregojnë qytetari, duke u shprehur me votë dhe dashuri për shtetin dhe kombin shqiptar, e duke parë e duke e kërkuar zhvillimin politikë e shoqëror përtej ndasive krahinore, fetare e politike”.
“Për mendimin tim, dalja e Shqipërisë nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit, është propagandë tallëse e fyese për elitën shoqërore e politike të vendit. Siguria më e madhe për Shqipërinë dhe popullin e saj, janë e duhet të mbeten institucionet ndërkombëtare të drejtësisë dhe sigurisë, nga ku buron qëndrueshmëria dhe vetë ekzistenca e kombit dhe shtetit shqiptar.”

– Prof. Susaj, sipas jush, pse heshtin organet e drejtësisë ndaj gjobës 130 milionë euro, që Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit do të detyrojë Shqipërinë, që t’i paguajë Beccetit?
Heshtja është treguesi më i mirë i inekzistencës apo mungesës totale të drejtësisë së pavarur. Pasojat e vendimeve arbitrare e korruptive të qeverisjeve moniste të djeshme e të sotme, gjithmonë i ka paguar dhe do t’i paguajë populli, çdo shqiptar. Kjo nuk duhet harruar, sidomos në periudha zgjedhjesh, ku secili ka kontribuar dhe duhet të kontribojë me votën e tij, ose për demokracinë dhe unitetin shtetërorë e kombëtarë, ose për monizmin, rrugë e mundësi tjetër nuk ka. Në kushtet e një drejtësie të pavarur, nuk do të mund të hartohen e as ekzekutohen vendime arbitrare e antiligjore, kundër sipërmarrjes, pronës e as kundër sigurisë fizike e juridike. Drejtësia e pavarur do të kishte mbushur burgjet me zyrtarë e politikanë të korruptuar e kriminalizuar, e jo sikurse i ka tejmbushur me fakira e viktima të varfërisë së shkaktuar nga hajdutëria dhe korrupsioni shtetëror e politik. Gjoba ndaj Beccetit është goditje ekonomike e radhës, është vetëm maja e ajzbergut, pasi Becceti e të tjerë si ai, e sigurtë që do të marrin një më një të gjitha paratë e njohura nga arbitrazhi ndërkombëtarë. Kjo pasi Shqipëria nuk ka asnjë mundësi që të mund të izolohet e të mund të rrojë as edhe një ditë jashtë strukturave ndërkombëtare të sigurisë dhe drejtësisë. Drejtësia e pavarur nuk funksionon kurrë sipas xhelozisë dhe hakmarrjes së shpirtërave të vegjël të kënetës së fundit të monizmit, e cila duhet tharë e qarkulluar me anë të votës, e jo kurrë me anë të dhunës, sikurse duan dhe presin bandat dhe armiqtë e Shqipërisë. Sikurse dihet, drejtësia e pavarur ekziston dhe funksionon vetëm në demokraci, e në kushtet e mungesës së demokracisë, drejtësia as nukë ka ekzistuar e as nuk mund të ekzistojë. Në këto kushte, askush nuk ka pse të besojë tek propaganda sofiste mbi atë që fatkeqësisht nuk e kemi patur kurrë, e përpasojë akoma nuk ja njohim as shijën e as produktin.
“Është pjesa më e shëmtuar e terminologjisë vulgare dhe tallavasë elektorale me makarona, me qen e me gomerë. Mungesa e dekomunistizimit në Shqipëri ka sjellë një vazhdimësi të frikshme të frikës dhe të nënshtrimit ndaj geneve e grupeve kriminale dhe abuzuese të diktaturës.”

Çfarë mund të (për)fitojë Shqipëria, nëse kryeministri Rama e bën de facto vendimin, që shprehu publikisht, që Shqipëria të “divorcohet” nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit? Po pasojat për Shqipërinë?
Qeverisjet moniste dhe bandat e klanet, që i krijojnë dhe drejtojnë ato, ngjajnë me komitat e cubave që vepronin në kushtet e errësirës së plotë, e që nuk e duan kontrollin ndërkombëtar, as ekzistencën e mediave e të kritikëve, e as të institucioneve të pavarura të drejtësisë. Pas një periudhe të gjatë të izolimit komunist, siguria më e madhe për Shqipërinë dhe popullin e saj, janë e duhet të mbeten institucionet ndërkombëtare të drejtësisë dhe sigurisë, nga ku buron qëndrueshmëria dhe vetë ekzistenca e kombit dhe shtetit shqiptar. Është tjetër gjë errësira që duan sundimtarët e monizmit, e tjetër gjë drita e demokracisë dhe detyrimet kushtetuese që ka shteti shqiptar ndaj partnerëve të BE dhe SHBA. Edhe po të ishte e mundur, dalja nga arbitrazhi nuk e mënjanon dot problemin e pagesës së parave për Beccetin e të tjerë si ai, që sikurse dihet po përfitojnë miljona euro nga gafat e të korruptuarve, injorantëve dhe lugetërve të ekonomisë dhe administrates moniste. Për mendimin tim, dalja e Shqipërisë nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit, është propagandë tallëse e fyese për elitën shoqërore e politike të vendit. Është pjesa më e shëmtuar e terminologjisë vulgare dhe tallavasë elektorale me makarona, me qen e me gomerë. Ata që mund të besojnë në rikthimin e izolimit otomano-komunistë, natyrisht që meritojnë të tallen e të trajtohen si qen, si gomerë, si të dehumanizuar, ndërsa populli dhe elita euroatlantike e Shqipërisë nuk e meritojnë këtë lloj propaganda fyese e përçmuese.
Unë besoj që në këto zgjedhje, shqiptarët do të mund të tregojnë qytetari, duke u shprehur me votë dhe dashuri për shtetin dhe kombin shqiptar, e duke parë e duke e kërkuar zhvillimin politik e shoqëror përtej ndasive krahinore, fetare e politike, e akoma më përtej botës së kafshëve dhe propagandës me qen, me faraonë, me kriminela e me gomerë.
“Shof me shqetësim që një pjesë jo e vogël e popullit, akoma vazhdon që të jetë i dyzuar, e i dashuruar pas sundimit me karaktere injorantësh dhe intolerantësh. Shqipëria nuk ka asnjë mundësi që të mund të izolohët e të mund të rrojë as edhe një ditë jashtë strukturave ndërkombëtare të sigurisë dhe drejtësisë”
Prof. Susaj, një dukuri e kandidaturave për kryebashkiakë të Rilindjes Socialiste është sepse shumica e tyre kanë akuza penale në SPAK për abuzime fondesh dhe shpërdorim detyrash. Gjithashtu, shumë kandidatë për kryebashkiakë të Rilindjes kandidojnë për të 7 herë. Përse përzgjidhen vetëm të njëjtët për kryebashkiakë?.
Me logjikën e shëndoshë të politikës, kjo situatë nuk ka shpjegim, ndërsa me traditën e njohur të kollandrisjes orientale dhe të uzurpimit nepotik e klanor të institucioneve politike e shtetërore të vendit, kjo situatë kuptohet dhe shpjegohet si dukuri që vjen për shkak të kriminalizimit, korrupsionit dhe sundimit mizor të një grupi të vogël njerëzish dhe familjesh me lidhje kriminale dhe nepotike, mbi shtetin dhe të gjithë shoqërinë. Në këtë mjedis dhe atmosferë të zymtë, gjithnjë kërkohen dhe përzgjidhen kamikazët, më të verbërit e të bindurit, ata më besnikët sikurse quhen, e që punojnë për shefat e tyre lart, por edhe që fryhen me thërrimet që ju jep pushteti që uzurpojnë pa moral e pa asnjë meritë. Kjo me kujton atë teorinë shkencore mbi genët kriminalë dhe trashëgiminë e tyre në breza. Më konkretisht, sikurse dihet, kur vdiq babai i mafies botërore, Don Vito Corleone, njerëzit e klanit të mafies, vrapuan dhe ja puthën dorën djalit të tij të mitur, Michael Corleone, duke e pranuar pa asnjë mëdyshje si shef e si kapo të tyre. Mafja nuk mund të quhet frikacake e as injorante, ku pavarësisht nga paligjshmëria e tyre, ata e dinë çfarë duan e çfarë bëjnë. Edhe në këtë rast, mafia botërore puthi dorën dhe pranoi që të udhëhiqet nga ai që trashëgonte paturpësinë dhe genët kriminalë të babait. Në këtë kontekst, mungesa e dekomunistizimit në Shqipëri ka sjellë një vazhdimësi të frikshme të frikës dhe të nënshtrimit ndaj geneve e grupeve kriminale dhe abuzuese të diktaturës, e që në historinë e tyre shoqërore e politike vetëm sa përsërisin vetveten, duke krijuar sisteme moniste e dehumanizuese. Pavarësisht nga propaganda e pushtetit të këtyre 25 viteve, e vërteta është se në asnjë komb të qytetëruar të rajonit dhe botës, nuk do të mund të rikthehej me kaq lehtësi monizmi dhe sundimi kriminal i ekonomisë dhe shoqërisë, sikurse ka ndodhur në Shqipëri. Bota demokratike nuk bën pazarë e as prova me demokracinë, sepse është provuar me kohë që monizmi është vetëdiskreditues, e që nuk mund të funksionojë kurrë, as në Shqipërinë e vjedhur e frikësuar deri në palcë. Është moment historik që populli i bashkive dhe krahinave të Shqipërisë, të zgjohet e të kuptojë domosdoshmërinë e ndryshimit që do të shpetojë Shqipërinë, atdheun tonë të vetëm e të përbashkët. Shqipëria nuk ka nevojë për kolltukofagë, as për kryebashkiakë, që zgjidhen për herë të 7-të, e as për ata të shtrydhurit e të korruptuarit, që nuk pranojnë të hapin rrugën e zhvillimit demokratik të vendit. Kërkohet dalja sa më parë nga sistemi i injorancës, korrupsionit dhe konfliktualitetit.
“Në këto zgjedhje, shqiptarët do të mund të tregojnë qytetari, duke u shprehur me votë dhe dashuri për shtetin dhe kombin shqiptar, e duke parë e duke e kërkuar zhvillimin politik e shoqëror përtej ndasive krahinore, fetare e politike.”

Fenomeni elektoral që deri tani mbizotëron në fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023 është se kryeministri Rama është oratori kryesor dhe i vetëm në çdo bashki, ku prezantohet kandidati për kryebashkiak, ndërkohë, që vetë kandidati për kryebashkiak plotëson thjesht dekorin e show-t elektoral. Ju pyes: Kë voton zgjedhësi?
Patriotët dhe rilindasit, që ideuan dhe krijuan shtetin e pavarur shqiptarë, gjithnjë kanë shkruar e porositur që duhen mësuar shqiptarët që të duan më shumë Shqipërinë se sa partinë dhe sundimtarin e vogël të fisit apo qytetit të tyre. Edhe pse ka kaluar kohë, populli ynë duket që akoma nuk po arrin që të çlirohet nga modelet orientale e të shpëtojë nga kjo traditë e neveritshme e frikësimit, nënshtrimit, mosreagimit, përçarjes dhe gojëkyçjes përballë njerëzve që prodhojnë frikë, varfëri dhe stress ekonomiko- shoqëror. Shkencëtarët amerikanë ( Micozi, Murchie, Javer, etj), mendojnë që tek njeriu funksionojnë 32 shqisa, të grupuara në 5 grupe kryesore. Duke mos u ndalur tek shqisat e barkut, lëkurës, gojës dhe jashtëqitjes, ka ardhur koha që shqiptarët, njëlloj sikurse popujt e tjerë të rajonit dhe të Europës, të kuptojnë nevojën që kanë për të zhvilluar e lartësuar shqisat mendore (antifrikën, antitrishtimin, zgjimin intelektual e shoqëror, etikën e komunikimit, dashurinë,, etj), si dhe shqisat morale e shpirtërore, sikurse janë bashkëpunimi e bashkëjetesa paqësore, aftësia për sakrificën e dobishme, lumturia e të jetuarit në shoqëri, në harmoni e në qytetërim. Qofsha i gabuar, por për të qenë korrekt me të vërtetën që po jetojmë, shof me shqetësim që një pjesë jo e vogël e popullit, akoma vazhdon që të jetë i dyzuar, e i dashuruar pas sundimit me karaktere injorantësh dhe intolerantësh. E pa u zgjatur në këtë pikë, sqaroj që psikologjia dhe filozofia na mësojnë që të tilla karaktere konjukturale, gjithnjë janë dhe sillen si autoritarë, fyes e të dhunshëm. Të tilla karaktere nuk preken fare nga vuajtjet e popullit, për më shumë nuk dëgjojnë zërin e njerëzve, e as nuk e njohin debatin e as kompromisin në shërbim të shoqërisë dhe interesit kombëtar. Shpresoj që të vijë ajo ditë ku populli ynë aq shumë i vuajtur nën diktatura e sundimtarë oriental, të mund të votojë e punojë për interesin më të lartë të tij, kundër monizmit, për demokracinë.