Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Duhet qasje e re, dhënia e drejtësisë është një shërbim publik me impakt të thellë në shoqëri

26
Sigal

Inspektori i Lartë i Drejtësisë përmes mekanizmave të inspektimeve tematike, është aktiv në sistemin e kontrollit të punës së magjistratëve, duke përcaktuar standarde për një sistem drejtësie llogaridhënës, të përgjegjshëm, të paanshëm dhe me integritet.

Përmirësimi i vazhdueshëm i proceseve të punës dhe vënia në funksion e mekanizmave të reja për mbledhjen e informacioneve në funksion të adresimit të tematikave të inspektimit kanë shërbyer në rritjen e numrit të inspektimeve, por edhe të adresimit të çështjeve që sot janë shqetësimi i publikut. Më konkretisht, Inspektori i Lartë i Drejtësisë:

  • Ka ngritur mekanizmin administrativ të monitorimit të veprimtarisë së magjistratëve përmes marrjes së informacionit periodik nga gjykatat dhe prokuroritë. Këto informacione periodike shërbejnë për evidentimin e fenomeneve që lidhen me cilësinë dhe efiçencën e sistemit, të cilat janë përfshirë në tematika inspektimi.
  • Ky mekanizëm konsiderohet si prioritar në evidentimin e problematikave të sistemit, të cilat përbëjnë objekt të inspektimeve tematike. Këtu vlen të theksojmë nevojën për harmonizimin e të dhënave që gjykatat dhe zyrat e prokurorive paraqesin pranë Këshillave dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Ky koordinim dhe harmonizim i mënyrës së raportimit është i nevojshëm për rritjen e efiçencës në mënyrën e raportimit të të dhënave statistikore duke ulur edhe barrën e këtyre institucioneve për të raportuar në formate të ndryshme përpara disa institucioneve.
  • Pjesëmarrja në analizën vjetore të gjykatave duke u njohur nga afër me sfidat e sistemit gjatë vitit.
  • Pjesëmarrja në takime pune me këshillat për të diskutuar dhe forcuar bashkëpunimin përmes propozimeve me tematika

Nga veprimtaria e inspektimeve tematike dhe institucionale Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka siguruar jo vetëm përgjegjësinë e magjistratëve, duke hetuar shkeljet e dyshuara, por edhe adreson sistemin gjyqësor me rekomandime për masa të karakterit rregullator, të karakterit administrativ dhe institucional për t’u ndjekur nga subjektet e inspektimit, si dhe organet e tjera që kanë funksione qeverisëse ndaj sistemit. Rekomandimet e lëna nuk kanë natyrë penalizuese, por synojnë të adresojnë në mënyrë sistematike problematikat me të cilat përballet sistemi i drejtësisë sot.

Përgjatë periudhës Shkurt 2020 – Prill 2025, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka zhvilluar 10 inspektime tematike pranë gjykatave si dhe zyra të prokurorisë. Në total janë propozuar 108 rekomandime të cilat janë adresuar subjekteve të inspektimeve por edhe organeve të tjera.

ILD, përveç rekomandimeve të lëna për subjektet e inspektimit ka dhënë rekomandime edhe për organe të tjera, veprimtaria e të cilave ndikon në performancën e sistemit gjyqësor, siç janë masat për:

  • Propozim për ndryshime të akteve apo nxjerrjen e tyre;
  • Ndryshim të praktikës administrative të ndjekur duke propozuar masa për veprime administrative;
  • Fuqizim të kapaciteteve të burimeve njerëzore duke propozuar ndjekjen e tematikave të caktuara në formimin vazhdues të magjistratëve. Disa metoda në aspektin administrativ mund të zbatohen nga vetë gjykatat për të nxitur përkohësisht përshpejtimin e gjykimit të çështjeve.

Inspektimet tematike kanë nxjerrë në pah edhe veprime apo mosveprime të magjistratëve, ndaj të cilëve Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka filluar verifikimin, rezultatet e të cilit kanë çuar në përgjegjësi disiplinore për disa magjistratë dhe vijon puna për verifikimin e rasteve të tjera. Në vijim po japim një panoramë dhe një përmbledhje të disa prej inspektimeve tematike të realizuara nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

  1. Në fillimet e ushtrimit të veprimtarisë funksionale ILD ka vendosur kryerjen e inspektimit tematik “Për lirimet para kohe me kusht”. Ky inspektim i filluar në vitin 2020 ka trajtuar kërkesat për “Lirim me kusht” nga ana e gjykatave të rretheve gjyqësore, gjykatave të apelit si dhe zyrave të prokurorive pranë tyre, në lidhje me zbatimin e ligjit material dhe procedural penal në fuqi. Inspektimi ka sjellë efekte të ndjeshme në kuadër të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve. Gjatë kryerjes së tij, janë hetuar dhe proceduar disiplinarisht disa magjistratë, ndaj të cilëve Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka caktuar masën disiplinore të shkarkimit nga detyra. Këto masa disiplinore janë lënë në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, me vendimmarrje përfundimtare duke konfirmuar kështu standardin e punës së Zyrës së ILD-së. Përveç këtij rezultati në drejtim të identifikimit të përgjegjësive individuale të magjistratëve, ka patur një efekt të konstatuar në drejtim të përdorimit më të kujdesshëm të institutit të “lirimit me kusht” dhe rritje të cilësisë së vendimmarrjes. Në përfundim të inspektimit janë hartuar disa rekomandime të karakterit normativ, rregullator dhe administrativ për prokuroritë dhe gjykatat përkatëse subjekt inspektimi, Gjykatën e Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Shkollën e Magjistraturës dhe njëkohësisht janë iniciuar edhe verifikime kryesisht për faktet që kanë rezultuar në përfundim të këtij inspektimi.
  2. Inspektimi me objekt: “Mbi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, (Dhoma Civile) dhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë”, për periudhën 01.09.2022-30.12.2022. Duke marrë në konsideratë ngarkesën mesatare të një gjyqtari në Gjykatën e Shkallës së Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Tiranë me 1361 çështje dhe dorëzimin e vendimeve të shpallura në sekretari rezultoi se 89 % e vendimeve janë dorëzuar brenda afatit 120 ditor, duke u konsideruar kështu në shumicën e rasteve, si koha e arsyeshme që i nevojitet gjyqtarit për dorëzimin e vendimit përfundimtar të arsyetuar. Nëpërmjet këtij inspektimi tematik, ILD ka bërë një fotografim të situatës së dorëzimit të vendimeve gjyqësore nga Dhoma Civile e Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Tiranë. Afati 120 ditor rezultoi si koha e arsyeshme që i nevojitet magjistratit të dorëzojë vendimin përfundimtar të arsyetuar, pasi vetëm ky afat mund të bëjë dallimin, si dhe të shërbejë si një kohë e arsyeshme në situatën konkrete të ngarkesës, organikës dhe numrit të magjistratëve, apo tipologjisë së çështjeve të gjykuara, mes nevojës për të arsyetuar dhe dorëzuar të gjitha vendimet gjyqësore sipas afatit të parashikuar në nenin 308 të Kodit të Procedurës Civile dhe mundësisë dhe kapaciteteve aktuale të Gjykatës së e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për të respektuar këtë afat.
    Ky afat nuk zëvendëson në asnjë rast afatin ligjor, por përbën një konstatim nga ILD në momentin e kryerjes së inspektimit, në atë gjykatë, për të vlerësuar ndërmarrjen e nismave të mëtejshme të verifikimit apo hetimit disiplinor për magjistratët që nuk e kanë ndjekur këtë afat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore. Vlen të theksojmë se ngarkesa nuk mund të përdoret për të justifikuar vonesat, të cilat tejkalojnë çdo afat të logjikshëm në arsyetimin e vendimit pasi në këtë rast do të cenohej thelbi i të drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor dhe nocioni i dhënies së një drejtësie të pavarur dhe të paanshme do të humbiste thelbin e saj.
    Rezultatet e këtij inspektimi tematik kanë shërbyer për inicimin e hetimit dhe procedimit disiplinor ndaj një magjistrati i cili është konkluduar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor me një vendimmarrje për rrëzimin e kërkesës për masë disiplinore.
  3. Vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësor si një element që prek thelbin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor kanë qënë në vëmendje të ILD në mënyrë të vazhdueshme. Me inspektimin tematik të kryer gjatë vitit 2024, i janë nënshtruar inspektimit dy gjykata të tjera, respektivisht Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe Shkodër, për periudhën 01.01.2023-01.06.2023. Nga të dhënat e marra nga ky inspektim rezulton se, për Gjykatën e Shkallës së Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Fier 97.8% e vendimeve janë dorëzuar brenda afatit 60 ditor, për Gjykatën e Shkallës së Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Shkodër 80.2% e vendimeve civile janë dorëzuar brenda afatit 60 ditor duke u konsideruar kështu në shumicën e rasteve, si koha e arsyeshme që i nevojitet gjyqtarit për dorëzimin e vendimit përfundimtar të arsyetuar. Edhe në këtë rast afati 60 ditor është vlerësuar si një afat i arsyeshëm në kushtet e situatës konkrete të ngarkesës dhe vakancave në gjykatat respektive dhe një balancë e proporcionale ndërmjet përmbushjes së detyrimit ligjor nga njëra anë dhe kapaciteteve aktuale të gjykatave subjekt inspektimi.
    Nga ana tjetër, ky afat nuk zëvendëson në asnjë rast afatin ligjor por përbën një konstatim nga ILD në momentin e kryerjes së inspektimit, në atë gjykatë, për të vlerësuar ndërmarrjen e nismave të mëtejshme të verifikimit apo hetimit disiplinor për magjistratët që nuk e ka ndjekur këtë afat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore. Gjetjet e këtij inspektimi tematik janë në proces verifikimi nga ILD rast pas rasti, për të vlerësuar nëse ka elementë faktikë dhe juridikë për të filluar hetimin disiplinor kryesisht.
  4. Tematikë tjetër e rëndësishme e përfshirë në planin e inspektimeve për vitin 2024, është edhe informimi i palëve nga gjykata për të drejtën e zgjidhjes së çështjeve me ndërmjetësim. Kjo tematikë është përfshirë si një masë në kuadër të procesit të integrimit dhe udhërrëfyesit për shtetin e së drejtës për këtë qëllim. Ky inspektim tematik është shtrirë në katër gjykata, respektivisht Gjykatat e Juridiksionit të Përgjithshëm të Shkallës së Parë Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Elbasan. Në përfundim të këtyre Inspektimeve ILD ka rekomanduar përdorimin e një qasjeje proaktive nga gjykata, për njoftimin dhe udhëzimin e palëve për mundësinë e zgjidhjes së çështjes me ndërmjetësim, duke dhënë informacion të plotë mbi llojin e procesit dhe përfitimet proceduriale dhe kohore që kanë palët si një mekanizëm për rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë, përshpejtimin e gjykimit të çështjeve dhe uljen e backlog-ut në gjykata.
  5. Në përcaktimin e tematikave të inspektimit një rol të rëndësishëm luan përmbushja e detyrimeve ligjore të parashikuara nga kuadri rregullator në fuqi. Konkretisht inspektimet tematike në lidhje me:
    • Ndarjen e çështjeve me short, si dhe kontrolli elektronik i raporteve të sistemit elektronik;
    • “Mbi praktikën dhe shkaqet e zëvendësimit të prokurorëve;
    • “Mbi caktimin e çështjeve në prokurori.Janë inspektime, të cilat duhet të realizohen çdo vit nga ILD në kuadër të respektimit të parashikimeve ligjore. Në përfundim të këtyre inspektimeve janë lënë rekomandime:
      1. të natyrës rregullatore: ku përfshihen rekomandime për nxjerrjen e akteve nënligjore nga kryetarët e gjykatave apo drejtuesit e prokurorive;
      2.  administrative, ku përfshihen vlerësime mbi aspekte të efiçencës së veprimtarisë; procedurat e brendshme të punës; shpërndarja e punës; respektimi i etikës; disiplina; marrëdhënia me palët/publikun; sistemet elektronike,
      3. disiplinore, ku përfshihen verifikime mbi veprime apo mosveprime të magjistratëve që japin shkak verifikimit apo edhe hetimit disiplinor.
  6. Inspektimi me objekt: “Mbi marrjen e masave administrative dhe procedurale në kuadër të zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm nr. 12, datë 20.07.2020, të Prokurorit të Përgjithshëm “Mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, informimin, transparencën dhe garantimin e pavarësisë në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm”, i ndryshuar. Ky inspektim ka patur qëllim zbatimin e urdhrave të Prokurorit të Përgjithshëm, mbi ruajtjen e qëndrueshmërisë së organit të prokurorisë përmes kohezionit institucional dhe uniformitetit të veprimtarisë në të gjitha prokuroritë, në garantimin e pavarësisë funksionale të prokurorit në vendimmarrje për çështje konkrete. Ky inspektim vlerësohet të vijohet edhe në vazhdim pasi nga monitorimi i zbatimit të rekomandimeve të lëna, por edhe nga verifikimet e kryera në kuadër të procesit të shqyrtimit të ankesave janë konstatuar përsëri problematika.
  7. Nga të dhënat e administruara në kuadër të shqyrtimit të pretendimeve të ankesave, me iniciativë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, është vendosur kryerja e një inspektimi tematik mbi kohëzgjatjen e gjykimit të çështjeve gjyqësore, duke pasur në vëmendje çështje të rritjes së cilësisë dhe efiçencës së sistemit gjyqësor, si prioritet ndaj pretendimeve të publikut. Ky inspektim është vendosur të kryhet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe aktualisht është në fazën e konkludimit të tij me rekomandime konkrete.
  8. Në funksion të rekomandimit të lënë në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, në planin vjetor të inspektimeve për vitin 2025, është vendosur kryerja e një inspektimi institucional, me objekt kontrollin e aspekteve specifike të veprimtarisë në administrimin e dokumentacionit nga momenti i regjistrimit në sekretari e deri në përfundimin e trajtimit të tij. Ky inspektim është vendosur të kryhet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër dhe aktualisht është në fazën e mbledhjes së të dhënave.

Ndjekja e zbatimit të rekomandimeve të lëna sigurohet nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë nëpërmjet mekanizmit monitorues të zbatimit të rekomandimeve të nxjerra. Monitorimi kryhet nëpërmjet marrjes së informacionit nga organet e inspektuara dhe vlerësimit të informacionit të marrë.

Monitorimi i zbatimit të rekomandimeve përbën një sfidë edhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, pasi çdo inspektim kërkon një nivel të lartë të përfshirjes së burimeve njerëzore, përballë thirrjes për rritjen e numrit të inspektimeve cilësore lidhur me cilësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë. Ndjekja e rekomandimeve është një proces që kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe rritje profesionale si në nivelin e burimeve njerëzore ashtu edhe në ngritjen e kapaciteteve, për të cilat Inspektori i Lartë i Drejtësisë, synon t’i përmirësojë në të ardhmen në harmoni me praktikat më të mira evropiane në këtë drejtim.

Si konkluzion, nga të dhënat e mësipërme rezulton se mekanizmi i kontrollit të llogaridhënies ndaj sistemit të drejtësisë është duke funksionuar, me standarde të ngritura dhe të konfirmuara, pa përjashtuar këtu edhe nevojën për fuqizim dhe përmirësim të vazhdueshëm, duke rritur cilësinë dhe efiçencën e sistemit, ndaj individit dhe shtetit të së drejtës.

Në këtë kuadër Inspektori i Lartë i Drejtësisë po synon hartimin e një metodologjie pune që do të rregullojë monitorimin e zbatimit të këtyre rekomandimeve. Në këtë aspekt, kontributi dhe asistenca e projektit EUIVJustice me praktikat dhe standardet më të mira evropiane në draftimin e kësaj metodologjie përbën një vlerë të shtuar.