Ing.Isuf Tushe: Deputeti Erion Braçe dhe qeveria e korruptuar e parties së tij. Ja si u falën vendburimet e naftës me PPP

287
Sigal

 

Si u falën me konҫesion vendburimet ekzistuese të naftës nga kupola politike-qeveritare, degët e korrupsionit, vjedhja dhe emrat e përfshirë

Isuf Tushe

Doktor i Shkencave Gjeologjike

 

Qeveria harxhon gjithë financat e taksapaguesve dhe merr borxhe pa limit, merr donacione nga Evropia, etj. Të gjitha zhduken dhe nuk dihet ku përfundojnë. Nuk bëhet asnjë lloj transparence dhe luan akoma me tërmetin, Covidin 19, krizën energjitike që krijoi vetë, premtimet boshe për “rritje rrogash” dhe “pensionesh”, me puplat e gjelit të detit për vitin e ri

 Erion Braçe “përvëlon” Delina Ibrahimin dhe Edi Ramën: Jeni kapur nga mafia e birrës dhe qumështit, punoni për oligarkët. I nderuar z. Erion Braçe apo ish-zv/kryeministër, gjithmonë populli, e kam fjalën për atë pjesë ku thika e fukarallëkut i ka vajtur në palcë, sepse siç e dini dhe Ju, sipas filozofisë, fjala popull ka një koncept më të gjerë, të vlerëson si një shkëndijë të fortë në mes të errësirës së dendur, që ka krijuar qeverisja mafioze Rama 3 (mazhoranca PS) dhe opozita mafioze aktuale. Ata kanë një bashkëpunim të ngushtë vetëm për të vjedhur dhe ndarë midis tyre gjithçka që ju del para në këtë vend. Kohët e fundit vërehet se vjedhja dhe korrupsioni kanë marrë përmasa të mëdha dhe tepër të frikshme, nga kupola e lartë politike, qeveria dhe gjithë nivelet drejtuese shtetërore, në bashkëpunim me oligarkinë financiare dhe krimin e organizuar, që janë të lidhur ngushtë me ta. Populli shpresonte se kryeministri, në qeverinë e re do përzgjidhte anëtar të rinj me përvojë dhe shkollim profesional, njerëz të ndershëm dhe jo hajdutë, për të zëvendësuar të gjithë ata që ishin përfolur keqas për korrupsion në qeverisjet e mëparshme. Por ndodhi e kundërta: ata të korruptuarit i la në të njëjtën detyrë ose i ngriti në poste më të larta drejtuese qeveritare dhe partiake, përjashtoi atë pakicë të pakorruptuar, që ishin të përkushtuar në punë dhe i zëvëndësoi me njerëz të përfolur rëndë dhe të lidhur me skema mafioze korrupsioni. Pra, ndërtoi një qeveri me anëtarë me eksperiencë në fushën e korrupsionit, ndërsa forumet e Partisë Socialiste heshtën dhe s’thanë asnjë fjalë. Juve, me të drejtë denonconi në tribunën e popullit, se qeveria e Edi Ramës dhe gjithë degët e saj, janë kapur nga mafia e miellit, qumështit pluhur, birrës, kromit, sigurimeve, shërbimeve të ndryshme, oligarkëve etj. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Qeveria harxhon gjithë financat e taksa paguesve dhe merr borxhe pa limit dhe në çdo kohë, merr ndihma jo të vogla nga Komuniteti Evropian, donacione etj. Të gjitha zhduken dhe nuk dihet ku përfundojnë. Nuk bëhet asnjë lloj transparence, dhe ndërkohë qeveria bën propagandë dhe luan akoma me tërmetin, Covidin 19, krizën energjitike që krijoi vetë, premtimet boshe për “rritje rrogash” dhe “pensionesh”, me puplat e gjelit të detit për vitin e ri, uljen e taksave, për rrogat e ulta etj., pallavra që shtohen çdo ditë. Të gjitha këto tregojnë se kryeministri, qeveria, politika dhe organet drejtuese në nivele të ulta janë përfshirë thellë në skema mafioze korrupsioni bashkë me konçesionarët, oligarkët dhe kriminelët. Nuk dëgjojmë qeverinë të prononcohet për vjedhjen marramendëse, që bëjnë kompanitë konçesionare me pasuritë natyrore të naftës, mineraleve apo bizneset e fuqishëm në degët e tjera të ekonomisë, të cilët çdo vit gllabërojnë miliarda euro pasuri publike dhe nuk paguajnë tatim mbi fitimin në shtet, sepse e ndajnë atë bashkë me politikanët dhe qeveritarët.

Zoti Braçe, ju me të drejtë denonconi se qeveria është kapur nga mafia e oligarkëve. Por ju keni qenë disa vite zv/kryeministër! Keni patur rastin të zbuloni gjithë skemat e hajdutërisë, dhe nuk keni bërë asnjë denoncim në SPAK, në kryesinë e Partisë Socialiste, ku ju jeni i zgjedhur apo hapur në publik, por mjaftoheni vetëm me diskutime në parlament dhe nuk e vini gishtin mbi personat hajdutë konkret

 

Ju zotëri keni qenë disa vite në një post shumë të rëndësishëm në qeveri, atë të zv/kryeministrit! Keni patur rastin të zbuloni gjithë skemat mafioze të hajdutërisë midis tyre, njerëzit që marrin pjesë në to dhe nuk keni bërë asnjë denoncim në SPAK, në kryesinë e Partisë Socialiste, ku Ju jeni i zgjedhur apo hapur në publik, por mjaftoheni vetëm me diskutime në parlament dhe nuk e vini gishtin mbi personat hajdutë konkret që keni për rreth. Këto janë njëra anë, që Ju duhet ta përmirësoni, por jo e gjitha, sepse pjesa tjetër më e rëndësishme është ajo që duhet të bëjë drejtësia, si i vetmi organ “roje” i pasurive publike nga qeveritë, politikanët, oligarkët dhe kriminelët hajdutë të lidhur me ta. Para disa javësh, midis të tjerash, Ju deklaruat hapur në parlament se qeveria nuk vjel tatim mbi fitimin në konçesionet e vendburimeve të naftës. Menjëherë unë ju kam drejtuar disa pyetje dhe bashkë me kolegun tim naftëtar kemi bërë një shkrim për këto probleme, që Ju me siguri i keni lexuar në media, por deri tani Ju nuk keni bërë asnjë prononcim publik. Ju si anëtar aktiv i parlamentit bashkë me deputetë të tjerë, që mund t’ju ketë mbetur ende pak dinjitet dhe ndershmëri, nëqoftëse ka të tillë, pse nuk kërkoni një seancë plenare ku parlamenti, të diskutojë publikisht mbi korrupsionin e pasurive natyrore hidrokarbure, minerare dhe në sektorët e tjerë të ekonomisë? Pse nuk diskutohet në parlament, ndotja masive e ambientit dhe derdhja e ujrave të ndotur në Lumin Gjanica nga kompanitë naftënxjerrëse, që po helmon banorët në zonat përrreth tyre dhe në Qytetin e Fierit? Këto janë problemet më të rëndësishme që duhet të diskutojë parlamenti apo deputetët dhe jo e lagu apo se lagu, sa borxhe të marrim për tenderat me PPP etj. Kush do t’i zgjidhë këto probleme po nuk i bëtë Ju? Sa do vazhdojë shteti të marrë borxhe, ku i përdor dhe kush do t’i shlyejë ato? Keni menduar ndonjëherë? Ka transparencë për këto dhe kush duhet ta bëjë? Pyetjet që ju kam drejtuar Juve, para disa ditësh, dhe artikullin, sa për ri-kujtesë i keni më poshtë: I nderuar z. ish-zv/kryeministër. Je një kritik i ashpër dhe për këtë gëzon respektin e popullit të varfër, sepse me këtë qenëri politike-qeveritare që ka kapluar popullin tonë dhe po e çon çdo ditë e më thellë në greminë, vetëm kritika mund të bësh se asgjë për të lavdëruar nuk mund të thuash. Edhe në rastet kur kryeministri shfaq videot 2 herë në ditë për të mashtruar popullin me arritjet e qeverisë së Tij, ato arritje kanë nga pas faturën e kripur të korrupsionit dhe borxhet që merr shteti në bankat e huaja, të cilat ja rrëzojnë fare vlerën atij projekti. E dëgjova me vëmendje diskutimin tënd në parlament, sigurisht atë pjesë ku flet për naftën, sepse nuk jam specialist për gjithçka, dhe me të drejtë bëre shumë kritika ndaj ish- qeverisjes së Partisë Demokratike. Nga diskutimi Juaj po marr vetëm një aspekt, që më bëri shumë përshtypje, ku diskutove për privatizimin e Armos dhe privatizimin e dështuar të Albpetrolit. Ato ashtu janë dhe unë jam plotësisht dakord me Ju. Por pse nuk e çove pak me larg kritikën tënde në kohë dhe në hapësirë për të trajtuar gjithë privatizimet, që janë bërë në industrinë e naftës, sepse jo se falja e Armos Taçit nuk ka rëndësi, ajo ka rëndësinë dhe vlerën e vet, por është një fije floku para privatizimit ose më saktë para faljes me konçesion të vendburimeve ekzistuese të naftës, me vlerë monetare miliarda euro në pasuri rezervash nafte dhe gazi, ku korrupsioni i kupolës politike-qeveritare bashkë me konçesionarët është ulur këmbkryq dhe qeveria juaj vetëm hesht para tij dhe kur vjen momenti e anashkalon problemin e naftës. Unë të bëjë një pyetje pse nuk i denoncon në SPAK gjithë këto abuzime, që janë bërë në privatizime apo falje konçesionarëve dhe secili të marrë atë që i takon? Si nuk përmende faljen e vendburimeve të naftës që i filloi qeverisja e Saliut në 1994, ku i fali konçesionarit Premier Oil, vendburimin më të madh Patos-Marinës. Këtë vendburim Bankers Petroleum u zgjerua kontrata kësaj kompanie duke i falur me konçesion gjithë sipërfaqen e vendburimit Patos-Marinës dhe sipërfaqet më të mira në vendburimin e Kuçovës, si dhe fali me konçesion vendburimin e Visokës dhe gjithë vendburimet e tjera si Visoka, Ballsh-Hekali, Cakran-Mollaj dhe Gorisht-Kocul dhe Delvinë, Arian Tartarit (partneri i deputetes Albana Vokshi) dhe Sotirios Kapotas, që krijuan kompaninë Stream Oil and Gas, duke i futur kështu gjithë vendburimet ekzistuese të naftës në kthetrat mafioze të hajdutërisë konçesionare, dhe kompania nacionale Albpetrol mbajti vetëm ca puse të vdekur rreth Qytetit të Ri dhe të vjetër të Patosit. Pra, gjithë kjo pasuri ka vite që shfrytëzohet barbarisht, shkatërrohet dhe vidhet. Kompanitë raportojnë se punojnë me humbje, dhe shteti sipas deklarimit tuaj para ca ditësh në parlament merr zero tatim mbi fitimin. Përse nuk the një fjalë për këto dhe ti denoncosh në SPAK? P.sh le të përmendim vetëm kompaninë Bankers-Petroleum.

Pse nuk diskutohet ndotja masive e ambientit dhe derdhja e ujrave të ndotur në Lumin Gjanica nga kompanitë naftënxjerrëse, që po helmon banorët , pse nuk e çoni pak me larg kritikën për të trajtuar privatizimet në industrinë e naftës nga kompanitë konçesionare

Me këtë ritëm barbar dhe të pa mëshirshëm në shfrytëzim, kompania konçesionare Bankers Petroleum, i ka bërë mirë llogaritë e saj, që bashkë me përfundimin e marëveshjes hidrokarbure në vendburimet Patos-Marinës-Kuçovë, prej 25 + 5 vjet, të ketë shfrytëzuar dhe shkatërruar tërsisht këtë pasuri rezervash natyrore miliarda dollarëshe, duke e shndërruar atë krejt në një kantier pa vlera ekonomike, në një ambient të ndotur dhe vdekjeprurës, të mbushur me gropa mbeturinash nafte dhe bitumesh, tani i tipit “Cernobil Nafte”, që do të shoqërohet me pasoja të rënda në shëndetin e banorëve në zonat përrreth. Më vonë kompania Stream Oil and Gas, pasi i shfrytëzoi barbarisht për rreth 10 vjet vendburimet Cakran-Mollaj, Ballësh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe Delvinë, pa bërë asnjë investim dhe pa paguar detyrimet kontraktorëve, Albpetrolit dhe shtetit, por vetëm vodhi naftë, gaz, la pas ca borxhe dhe u largua në drejtim të paditur, duke i shitur ato, sikur ishin pronë e saj, tek kompania amerikane Transatlantik Petroleum, Ltd, e cila menjëherë i shiti ato tek një kompani offshore fantazmë, që falimentoi dhe vendburimet Cakran-Mollaj, Ballësh-Hekal Gorisht-Kocul dhe i mori kompania Albpetrol. Ky ishte rasti ideal që këto pasuri shpëtuan nga kthetrat e konçesionarëve grabitqarë dhe shkuan për të shpëtuar kokën tek shteti i tyre. Por menjëherë sikur nuk kishte ndodhur gjë fare, pa mësuar nga dështimet, në një ditë të zezë për naftën, ministri Damian Gjiknuri, i fali ato menjëherë me konҫesion tek oligarkët e tij, me të njëjtën kontratë dhe tani loja vazhdon, ata raportojnë se “punojnë me humbje” dhe s’paguajnë detyrimet, njëlloj si Gjigandi Hajdut Shqiptar, Bankers Petroleum. Për të gjitha këto pse nuk the një fjalë dhe të denoncosh në SPAK këtë vjedhje, korrupsion dhe shkatërrim që po i bëhet kësaj pasurie miliarda dollarëshe? A janë këto pasuri kombëtare? Disa nga ne specialistët e naftës i kemi trajtuar disa her këto probleme, kemi dërguar peticione dhe letra parlamentit dhe kyeministrit Rama, por ҫdo gjë ka rënë në vesh të shurdhër. Tani po ju drejtohem Juve z. Erion, si deputet i parlamentit, A keni mundësi që të kërkoni një diskutim të hapur publik në parlament rreth faljes me konҫesion të vendburimeve ekzistuese të naftës, vjedhjen dhe korrupsionin e tyre nga kupola politike-qeveritare bashkë me konҫesionarët të gjithë kësaj pasurie dhe shkatërrimin e saj? Për më shumë informacion lexoni një shkrim që kemi bërë ne para ca ditësh lidhur me diskutimin tuaj në parlament rreth tatimit mbi fitimin që paguajnë kompanitë e VIP-ve në shtet. Botuar në Gazetën Telegraf, në Shtator 27/2021: https://telegraf.al/…/sado-që-pushtetarët-mundohen-të…/