Imzot Angelo Massafra dorëhiqet si Arqipeshkv, ja mesazhi i tij

16
Sigal

Imzot Angelo Massafra nuk do të jetë më arqipeshkv metropolit i Arqipeshkvisë Shkodër-Pult. Papa Françesku ka pranuar dorëheqjen e paraqitur nga Massafra për shkak të të moshës që imponon ky pozicion, pasi një ditë më parë mbushi 75 vjeç.

Nunci Apostolik në Shqipëri imzot Luigi Bonazzi, përmes një shkrese zyrtare ka njoftuar imzot Massafran për pranimin e dorëheqjes nga Ati i Shenjtë, me një shkresë që mban datën 22 shkurt 2024.

“Shkëlqesi, ju vë në dijeni se Ati i Shenjtë e ka pranuar dorëheqjen nga qeverisja baritore e Arqidioqezës së Shkodër- Pultit, të paraqitur nga Ju në përputhje me Kanunin 401/1 të Kodit të së Drejtës Kanonike, me formulën ‘nunc pro tunc’. Prandaj, Ju lutet që të vazhdoni ta udhëhiqni selinë e Shkodër- Pult derisa të emërohet Pasuesi Juaj.” – thuhet në dokument.

Gjatë meshës për ditën e larit në katedralen “Shën Shtjefni”, Arqipeshkëvi Massafra tha se shumë katolikë në Shqipëri janë në burgje për shkak të përfshirjes së tyre në trafikun e drogës dhe kjo është e papranueshme.

Gjithashtu, ai përmendi edhe rastet e vetëvrasjeve, të cilat po kthehen në një shqetësim për shkak të numrit të lartë. Shpesh herë këto fatkeqësi, shtoi Massafra ndodhin nga pesha e opinionit tek individi.

Angelo Massafra prej 27 vitesh drejton dioqezën Shkodër-Pult duke kaluar kështu një rrugëtim të gjatë mes shumë vështirësive në gjithë këto vite të trazuara për vendin tonë. Ai është shuguruar ipeshkëv nga Papa Gjon Pali i Dytë me 6 janar 1997 në Vatikan.

Arbëresh me origjinë, imzot Massafra tashmë është zyrtarisht edhe shtetas i Republikës së Shqipërisë, dhe deri disa javë më parë, ka qenë President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.