Ikmet Bramo/Jo abuzimit me hidrocentralet

    417
    Sigal

    Ato janë vepra të mëdha monumentale dhe pasuri e madhe kombëtare. Janë resursi më i madh ekonomik me të ardhura të mëdha dhe me kosto të papërfillshme. Veç kësaj, këto vepra bëjnë krenarinë më të madhe të vendit tonë, si në atë kohë kur u ndërtuan edhe sot duke na vënë në raportin më dinjitoz me të gjithë vendet e tjera të Europës. Mos harroni, se në projektimin dhe në ndërtimin e tyre kanë kontribuar dhe kanë vënë firmën e tyre shumë figura të shquara shqiptarësh që gëzojnë edhe sot respekt si brenda dhe jashtë vendit. Dhe mendoni që këta njerëz sot dalin në pension me 20 mijë lekë, ndërkohë që sa deputetë dhe qeveritarë përfitojnë 4-fishin e tyre. Mos harroni punën, sakrificën, gjakun , djersën dhe jetën e humbur të qindra mijëra njerëzve në ndërtimin e këtyre objekteve. Pra, këta njerëz qeveritarë, kushdo qofshin me mandate, 20 % e shqiptarëve, të hipotekojnë si pronë të tyre hidrocentrale dhe t’i shesin apo t’i koncesionojnë kur t’u teket, me një të rënë të lapsit, ndërkohë që duhet t’i shpallin ato monumente dhe të mbrohen nga shteti siç mbrohet një rrap, një selvi, apo një monument antik. Një hidrocentral është vepër shumë komplekse, ka brenda objektin e ndërtimit me goxha vlerë. Ka mijëra hektarë tokë dhe pyje të përmbytura, ka një burim uji natyral etj. etj., të gjitha këto resurse të vendit tonë që duan kujdes në vendimmarrje. Shpesh herë ngre pyetjen: Si ka mundësi që një qeveri e mëparshme, që ne sot e shajmë i ndërtoi këto vepra, mirëmbajti dhe kontrolloi me rigorozitet shpërndarjen e energjisë deri në familje, ndërsa sot qeveritë tona megjithëse shumë të fryra nuk e bëjnë dot një gjë të tillë? Nga ana tjetër, si ka mundësi që një ndërmarrje e sotme, në kushte shumë të vështira ia ka arritur që për tre muaj të sigurojë furnizimin e qytetarëve dhe të shlyejë rreth 250 milion euro borxhe? Pra, me të drejtën e të qenit shqiptar, me të drejtën e fjalës dhe me të drejtën e kontributit tim në ndërtimin e këtyre veprave, i bëj thirrje të gjithë qeveritarëve dhe arsyes së tyre dashamirëse për popullin, të shikojnë vendimmarrjet e tyre. Mos harroni që sot kostoja e prodhimit të energjisë është 5-10 euro, ndërsa populli paguan 100 euro. Mos harroni që një pensionist sot paguan mbi 50 % të të ardhurave vetëm për energjinë.