“Ia mbathi” nga policia dhe la pas makinën me 5 refugjatë brenda, arrestohet pas 3 muajsh DJ-Cherry

58
Sigal

Ditën e sotme është arrestuar ne flagrancë Ardian Kola, 38 vjeç, i njohur ndryshe si Dj Cherry.

Kola ishte duke transportuar emigrantë të paligjshëm ndërsa  policia i ka bërë shenjë të ndalojë automjetin, por 38-vjeçari nuk i është bindur urdhrit dhe ka vazhduar lëvizjen.

Më pas, DJ Cherry ka braktisur mjetin e tij dhe është larguar. Sipas policisë, brenda automjetit dyshohet se ishin 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet e MENA, të cilët po i transportonte drejt Tiranës kundrejt fitimit.

Pas më shumë se 3 muaj hetime, DJ Cherry është arrestuar në Gjirokastër.

Njoftimi i policisë:

Në kuadër të operacionit “Road Guard 27”, ndalohet një shtetas, i dyshuar si autor i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për kapjen e personave, të cilët janë të implikuar në veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, Tiranë, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin A. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ky shtetas më datë 19.06.2022, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin, por ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi dhe më pas ka braktisur automjetin me të cilin dyshohet se po transportonte 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.