I vendosi lëndë plasëse fqinjit në dritare, kush është 60-vjeçari i arrestuar në Tiranë

449
Sigal

Falë reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve profesionale në vendngjarje, identifikohet dhe vihet në pranga autori i vendosjes së lëndës plasëse në dritaren e banesës së shtetasit Petrit Haxhiu.

Mësohet se Haxhiu akuzohet se ka vendosur në dritaren e banesës së fqinjit të tij, një sasi lënde plasëse. Raportohet se një natë më parë të dy fqinjët kishin pirë së bashku, dhe më pas ishin përfshirë në një konflikt.

Njoftimi i policisë:

Sekuestrohen 3 kallëpe me lëndë plasëse, një fitil me detonator dhe 20 metra fitil zjarrpërcjellës.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 4, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Bastar i Mesëm, ku ishte vendosur një sasi lënde plasëse në banesën e shtetasit B. H., bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”, i shtetasit P. H., 60 vjeç, pasi në fshatin Bastar i Mesëm, Njësia Administrative Zall Bastar, dyshohet se ka vendosur një sasi të vogël lënde plasëse në dritaren e banesës e shtetasit B. H., duke i shkaktuar dëme të lehta materiale.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 20 metra fitil zjarrpërcjellës, një detonator dhe 3 kallëpe të dyshuara me lëndë plasëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.