I shërbyen të infektuarës me koronavirus, stafi mjekësor në Fier në pritje të përgjigjes së dytë të analizës

400
Sigal

Sonte në mbrëmje pritet të dalin analizat për stafin mjekësor në Fier, të cilët i shërbyen një personi të infektuar me koronavirus.

Burime bëjnë me dije se janë 18 persona që presin përgjigjen e analizës së dytë, mes tyre 3 mjekë dhe pjesa tjetër infermierë dhe sanitarë. Të gjithë personat ndodhen të vetëkarantinuar në shtëpitë e tyre.

Ende nuk dihet për masat e marra në spitalin e Roskovecit, pasi është konfirmuar se njëri prej mjekëve ka pritur pacienten 62-vjeçare, që më pas shkoi në spitalin e Fierit dhe supozohet se ka rrezikuar stafin. Ky i fundit është vetëkarantinuar në banesë.

Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 51 të prekur. Shkon në 7 numri i mjekëve dhe infermierëve të infektuar, nga Spitali i Durrësit dhe spitali “Shefqet Ndroqi”.

Disa ditë më parë një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit ndërsa deri më tani vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier.