I nderuar zoti Ettore Sequi, Ambasador i BE!

308

LETËR/ Kryesia e Shoqatës “Bregdeti”,  kërkon vendosjen e shtetit ligjor dhe kthimin e pronës tek pronari sipas Kushtetutës

Kryesia e Shoqatës “Bregdeti”, duke shprehur respekt për ju dhe institucionin që përfaqësoni, kërkon nga ju si ambasador i BE-së, që Brukseli të kërkojë nga Qeveria Shqiptare: vendosjen e shtetit ligjor dhe kthimin e pronës tek pronari sipas kushtetutës. Problemi pronave, që Qeveria tenton ta konsiderojë të zgjidhur, është absolutisht i pazgjidhur dhe në rrugë të gabuar. Ligjet dhe vendimet e fundit bien ndesh me standardet europiane dhe ecin në drejtim të kundërt me vendimin pilot të Gjykatës së Strasburgut 31.07.2012.  Maxhorancat dhe kryeministrat që kanë zëvendësuar njëri tjetrin në këto 20 vjet kanë modifikuar ligjet sipas interesave të tyre private duke shkelur brutalisht “Detyrimet Kryesore Kushtetuese” të vitit 1991, nenin 181 të Kushtetutës në fuqi, Kodin Civil, përfshi kodin moral të të gjitha kohërave. Ata nuk kanë të drejtë të shkatërrojnë historinë dhe të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë. Komisionarët e KE-së duhet të kontrollojnë që, peshkaqenët e politikës të mos veprojnë si pronarë të pakufizuar të Shqipërisë, por të veprojnë si drejtues të mandatuar të shtetit sipas parimeve të kushtetutës dhe demokracisë, me ligje që burojnë nga detyrimet kushtetuese. Platforma jonë ka në themel zbatimin e detyrimeve kushtetuese dhe vendosjen e shtetit ligjor. Ajo realizon zgjidhjen e drejtë, të shpejtë dhe pa faturë financiare të problemit të anarkisë së pronave, që deri sot shpërfillen nga “makutët”. Nëse nga BE do të kishte vendosur si kryefjalë “prona sipas kushtetutës”, anëtarësimi i Shqipërisë si vend kandidat në BE do të ishte realizuar kohë më parë, duke i pasur të gjitha kërkesat realisht të plotësuara. Janë relacionet e mefshta, shkaku që prona në Raportin Fyle 2011nga 12 kërkesat është renditur e 11-ta pa vendosur prioritet të kthimit ndaj kompensimit sipas detyrimeve kushtetuese. Fakti që Shteti nuk zbaton as vendimet e Gjykatës së Strasburgut, tregon se prona sipas Kushtetutës duhet cilësuar si problemi prioritar nga BE. Qeveria ka nxjerrë vendimin për të liruar shtëpitë e pronarëve deri në Nëntor 2012. Ky është një vendim shumë i vonuar, por që mund të krijojë situata absurde qoftë edhe me 10 familje qiraxhinjsh, që të mbetur pa mundësi për strehë, nevoja do t’i orientojë të strehohen në çadra tek Avokati i Popullit. Me këtë ustallarët do të krijojnë përsëri justifikimin e rremë se “problemi i kthimit të pronave nuk mund të zgjidhet, sepse krijon probleme, prandaj pranoni zgjidhen tonë”. Nëse Qeveria ka vullnet për të zgjidhur problemin, atëherë le ta fillojë me kthimin tek pronari të ish NB-ve dhe të gjithë pronave që janë të pa zaptuara në zonën turistike? Po ashtu Kryeministri të realizojë zbatimin e ligjit për prishjen e ndërtimeve pa leje me të cilat personat e tretë kanë pushtuar troje në zonat turistike. Mungesa e thellë e shtetit ligjor kërkon ndërhyrje nga ndërkombëtarët, por ne u çuditëm kur nga vetë zoti Stefan Fule, dëgjuam kërkesa për politikën shqiptare për probleme të dorës së dytë dhe jo për pronën që ka shkaktuar konflikte dhe vrasje që realisht janë bilanc lufte. Për këtë ne kërkojmë që ambasadori i BE, zoti Ettore Sequi, i cili e njeh shumë mirë situatën, të saktësojë në raportimet e tij cenimin flagrant të së drejtës së pronësisë dhe të shprehet për respektimin e të drejtës së pronësisë, veçanërisht në zonat turistike, ashtu siç janë shprehur shumë prej drejtuesve të KE-së në përgjigjet që i kanë kthyer shoqatës. Psh. Vvolfgang Rau. Sekretar Ekzekutiv i GRECO shkruan:… “Faleminderit për letrën tuaj të datës 11 Qershor 2010, lidhur me pretendimin për korrupsion në nivel politik lidhur me pronësinë e tokës në zonat bregdetare të Shqipërisë”, ose Kryeministri i Belgjikës, që thotë: “Zoti Kryetar, Faleminderit që sollët në vëmendjen time këtë çështje delikate. Unë do t’i marr ato në konsiderate si Presidenti në rotacion i Bashkimit Europian në Komisionin Europian si edhe në takimet direkte me vete autoritetet Shqiptare”(Bruksel 26 korrik 2010). Me bindjen se komisionari është një institucion i pavarur i Këshillit të Europës, që i është besuar detyra e promovimit të observimit efektiv dhe gëzimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe problemi i ngritur në mënyrë të përsëritur në letrat tona bie nën përgjegjësinë e komisionarit Stefan Fule, ju kërkojmë ju zoti Ettore Sequi, që nëpërmjet jush si ambasador i BE të shprehet publikisht përgjigja e z. Stefan Fule dhe Baroneshës Katherine Ashton për një pyetje: A do të futemi në Europe duke ligjëruar zaptuesit e pronave tona të trashëguara, shkatërrimin e dinjitetit dhe të ardhmes tonë dhe të fëmijëve tanë? Për ne koha zero fillon nga lashtësitë e shekujve dhe jo në vitin 1991 apo në 2013 kur Qeveritarët dhe institucionet e nënshtruara ndaj korrupsionit kanë vendosur të fillojë etapën tjetër të mashtrimit me kompensime për pronat që nuk na i kthejnë sepse duan t’i vjedhin në emër të ligjit. Theksojmë përsëri se. nuk mund të ketë mirëkuptim kur prona në zonat turistike nuk i kthehet subjektit të shpronësuar por ajo përvetësohet nga politikanët dhe klanet mafioze. Bregdetasit kanë durim të mjaftueshëm por nuk harrojnë dhe as nuk falin asnjë nga ata që i mohojnë atdheun dhe ju ofrojnë kompensime bamirësie. Me besim në mirëkuptimin tuaj ju shprehim respekt dhe konsideratë.

*Për Kryesinë e Shoqatës “Bregdeti” Niko Nesturi