Drejtori i CIA-s, Tenet: Çfarë ndodhi në sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001

544
Sigal

Misteret dhe situatën e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, e pasqyron qartë kreu i CIA-s, Tenet në kujtimet e tij: “…Në mëngjesin e 11 Shtatorit, ditën që ndryshoi gjithçka, në tetë e gjysmë unë takova ish-senatorin Dejvid Boren për të ngrënë mëngjes në Hotelin St. Regis, në rrugët 16 dhe K në Uashington. Presidenti ishte jashtë qytetit, duke udhëtuar për në Florida…  Unë u largova paksa nga tryeza dhe ai (Timi) më tha se një aeroplan kishte goditur Kullën Jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë. E kuptova që shumica e njerëzve menduan se përplasja e parë ishte një aksident tragjik. Por përplasja e aeroplanit të dytë me kullën e dytë u tregoi atyre se diçka shumë më e keqe po ndodhte… Menjëherë mendova se kjo kishte të bënte me Al-Kaedën. Ia thashë lajmin senatorit Boren. Ai më përmendi Bin Ladenin dhe më pyeti me zë të lartë nëse kjo është ajo ku ishte përfshirë Musai… Hipa në makinë me Tim Uardin dhe, me dritat e ndezura, filluam të ngasim me shpejtësi për në seli… Ndërsa mbërritën raportet e para për aeroplanët që goditën Qendrën Botërore të Tregtisë, Gjeneral lejtnant Mahmud Ahmedi, shefi i shërbimit ndërinteligjent të Pakistanit (ose ISI), dhe një ndër njerëzit që mund të kishin bërë më shumë për të na ndihmuar në kapjen e Osama bin Ladenit para 11 Shtatorit, ishte në Kapitol Hill me kongresmenin Lindsej Grehem, përfaqësuesin Porter Gos, i cili në fund do të më zëvendësonte mua si Drejtor i CIA-s, dhe të tjerë. … Dy kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë ishin goditur dhe unë nuk mendoja se kishte ndonjë person në sallë që të kishte qoftë edhe dyshimin më të vogël se ne ishim në mes të një mësymjeje në shkallë të gjerë, të orkestruar nga Al-Kaeda. … Në mbarim të goditjes së Pentagonit, filluan të bien telefonat… Një bombë kishte shkuar bosh në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë; Kapitoli dhe Departamenti i Shtetit ishin në flakë. … Përnjëherësh me vendosjen e kontaktit me presidentin Bush dhe me grupin e tij udhëtues, ne u përpoqëm të lidheshim me zyrën tonë në Nju-Jork Siti. …Afërsisht në të njëjtën kohë, zëvendës presidenti telefonoi për të pyetur nëse mund të parashikonim sulme të mëtejshme. Në atë kohë, në Shenksvil të Pensilvanisë kishte rënë një aeroplan i katërt, United Flight 93. Kishte një qetësim të aksionit dhe kjo për mua ishte treguese. “Jo”, i thashë atij. “Unë mendoj se për sot ata mbaruan.” …Ajo pasdite kaloi më së shumti nëpër një mjegullnajë mbledhjesh. Kujtesa historike më tregon se në orën 3.30 të pasdites kishte një telekonferencë, sërish në një linjë të sigurt, me presidentin, i cili kishte zbritur në Air Force Base në Nebraska, ndërkohë që i kishte bishtnuar rrugës së kthimit në Uashington. Presidenti ishte duke folur nga shtabi i nëndheshëm i Komandës Strategjike të Shteteve të Bashkuara. …Gjatë gjithë telekonferencës, Presidenti ishte i përqendruar, i vetëpërmbajtur. Takimi ballë për ballë i asaj mbrëmjeje me të më shërbeu vetëm për të konfirmuar përshtypjen time të parë. Në kohën që unë mbërrita atje, diku pas orës nëntë, Shtëpia e Bardhë ishte një fortesë e armatosur… Makina ime u vendos në një vend parkimi, ndërsa Shërbimi Sekret më shoqëroi nëpër një korridor të gjatë dhe të ndërlikuar, që të çonte te një bunker… Atje ishin Presidenti dhe Zëvendës presidenti, tok me Dik Klarkun, Kondi Rajsin, Kolin Pauellin, Don Ramsfelldin, kryetarin e Shefave të Përbashkët Gjeneral lejtnant Hugh Shelton, si dhe disa të tjerë, përfshi Llajn Çenej dhe Laura Bush.  …Në orën 8:30 atë mbrëmje, duke folur nga Zyra Ovale, presidenti iu drejtua kombit me fjalë sa energjike aq dhe tejet serioze, përfshi edhe shqiptimin për herë të parë të asaj që do të bëhej e njohur si Doktrina Bush. “Unë iu jam drejtuar të gjitha burimeve të shërbimit tonë inteligjent dhe bashkësive të detyrimit ligjor për të gjetur përgjegjësit dhe për t’i sjellë përpara drejtësisë”, i tha ai një audience globale prej rreth tetëdhjetë milionë njerëzish. “Ne nuk do të bëjmë dallim midis terroristëve që kryen këto akte dhe atyre që i strehojnë ata”. Për ne në CIA, doktrina e re donte të thoshte se ishte larguar më në fund vetëpërmbajtja. Ne, tashmë, kishim në sirtarët tona planin për të ndjekur si Al-Kaedën dhe mbrojtësit e saj, talebanët, në Afganistan. Tani ne mund të fillonim ta zbatonim atë. Midis trishtimit të asaj dite, kuptuam se, më në fund, do të jepej autorizimi dhe burimet për të bërë punën, të cilën ne e dinim si bëhej. …Pas fjalimit në Zyrën Ovale, presidenti zhvilloi një takim me krejt Këshillin Kombëtar të Sigurisë, në të njëjtin bunker. Tani ai ishte shndërruar papritmas në një kabinet lufte… Presidenti tha se ne duhej t’i detyronim vendet të zgjidhnin. Zëvendëspresidenti e shihte të arsyeshme të goditeshin në Afganistan objekteve që ia vlenin. Por ajo që unë mbaj mend më shumë se çdo gjë tjetër nga ajo mbledhje ishte sjellja e presidentit, jo fjalët e tij. Ai ishte plotësisht në detyrë, i vendosur, i drejtpërdrejtë. Ai theksoi urgjencën e momentit, ndërsa e bëri të qartë, me fjalë dhe me shembull, atë çfarë priste nga ne, për të menduar se si do të përgjigjeshim…” (Shkëputur nga libri ‘Në sytë e Ciklonit’ me autor Xhorxh Tenet, Drejtoi i CIA-s, shqipëruar nga Xhevdet Shehu).

____________________________________________________________________________________

TRAGJEDIA E 11 SHTATORIT NË SHBA

Tragjedia e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vepër e Al-Qaeda, është ndër më të rëndat. Sipas statistikave zyrtare, si pasojë e rrëzimit të dy kullave binjake në qendër të New York-ut, humbën jetën 2752 viktima. Ndër viktimat, përfshihen më shumë se 400 punëtorë të shpëtimit. Midis tyre ishin 343 zjarrfikës dhe 60 oficerë policie nga Nju Jorku dhe Autoriteti Portual. Mes viktimave llogariten dhe personat që ndodheshin në aeroplanin e rrëmbyer nga terroristët, përkatësisht aeroplani Airlines Flight 77 dhe që u rrëzua, në një pjesë të ndërtesës së Pentagonit, duke marrë jetën e të gjithë pasagjerëve në bord 59 dhe 125 të tjerëve brenda ndërtesës. Gati tre mijë njerëzit, që humbën jetën nga sulmet e 11 shtatorit, Viktimat e tragjedisë së 11 shtatorit të vitit 2001 ishin shtetas të më tepër se 70 vendeve, një botë e tërë në miniature. Emrat e këtyre viktimave të aktit terrorist, janë cilësuar dëshmorë të Kombit Amerikan dhe emrat e tyre janë shënuar në memorialin kushtuar viktimave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Midis tyre, janë dhe tre shqiptarë.