I ndalonin gratë tek hyrjet e pallateve, kapen dy djemtë e rrezikshëm. Policia zbulon detajet

531
Sigal

Dy djem ranë në prangat e policisë në operacionin e koduar “Jewellery”, për goditjen e personave që vidhnin me forcë nga qafa varëset e floririt.

Ata u merrnin me forcë varëset e floririt nga qafa grave të moshuara në hyrje të pallateve. Njëri prej autorëve, person në kërkim me masë sigurie “Arrest në burg” për vjedhje, për llogari të Komisariatit të Policisë Kavajë.

Zbardhen 7 vjedhje me forcë të varëseve të floririt, të kryera nga këta shtetas.

NJOFTIMI

Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve me forcë të bizhuterive grave të moshuara, zbardhjen e disa ngjarjeve të ndodhura më parë, dhe kapjen e autorëve, pas një punë të mirëorganizuar hetimore dymujore, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për dy shtetas të cilët kryenin këto vjedhje, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Jewellery”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

E. T., 34 vjeç banues në fshatin Arapaj, Durrës.

A. G., 35 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Kavajës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Vjedhja”.

Këta shtetas në mesditën e datës 10.12.2019 në lagjen Nr. 16, Durrës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në hyrje të pallatit i kanë marrë me forcë një varëse floriri shtetases I. T., 68 vjeçe dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin tip “Opel” që e përdornin për të realizuar vjedhjet.

Nga veprimet hetimore të kryera duke përdorur edhe metodat proaktive rezultoi se po këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjatë dy muajve të fundit kanë realizuar disa vjedhje të varëseve në lagje të ndryshme të qytetit dhe konkretisht:

-Më datë 12.12.2019, në lagjen Nr. 5, Durrës, kanë vjedhur varësen e shtetases P. G., 64 vjeçe;

-Më datë 04.11.2019, në lagjen Nr. 12, Durrës, kanë vjedhur varësen e floririt të shtetases D. M., 66 vjeçe;

-Më datë 27.10.2019, në lagjen Nr. 13, Plazh, kanë vjedhur varësen e floririt shtetases F. T., 67 vjeçe;

-Më datë 23.10.2019, dyshohet se i kanë vjedhur varësen e floririt shtetases H. A., 68 vjeçe;

-Më datë 15.10.2019, në lagjen Nr. 12, Durrës, kanë vjedhur varësen e shtetases T. B., 71 vjeçe;

-Më datë 10.10.2019, në Rrashbull, kanë vjedhur varësen e floririt shtetases V. H.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti tip “Opel” që e përdornin për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.