Armand Tartari, u ‘arratis’ sapo mori vesh dënimin me 1 vit burg. Gruan dhe dy vajzat i kishte çuar më parë në Francë
Pas Shefit të Shtatmadhorisë Luan Hoxha, që gjeti strehë në SHBA dhe evitoi dënimin me 5 vite burg si një nga shkaktarët e tragjedisë së Gërdecit, një tjetër funksionar i lartë, i dënuar me një vit heqje lirie për të njëjtën tragjedi, i shpëton dënimit duke fituar azil në Francë. Bëhet fjalë për Armand Tartarin, ish-Drejtor i Programim-Buxhetimit në Ministrinë e Mbrojtjes, kohë në të cilën këtë dikaster e kanë drejtuar Fatmir Mediu dhe Arben Imami. Lajmi, me referencë avokatët e Tartarit, është publikuar në media mesditën e së mërkurës. Ndërkohë, azili në Francë për Tartarin, lë hije dyshimi për një mekanizëm perfekt në periudhën e gjykimit, seancave gjyqësore kur ai ishte ende në funksion shtetëror deri në largimin e parakohshëm të familjes dhe njoftimin për largim të tij, në momentin kur merrej vendimi i gjykatës për dënimin me një vit burg. Gazeta “Telegraf” ka mësuar hollësi të kësaj ngjarje, mekanizmin e saj dhe pikëpyetjet që lindin. Tashmë, krerët kryesor në Ministrisë së Mbrojtjes që u akuzuar për tragjedinë më të rëndë të tranzicionit shqiptar, ose janë nxjerrë nga qelitë në kohë rekord për ‘sjellje të mirë’, ose kanë fituar azil në vende të ndryshme të botës. Në qeli kanë mbetur sot vetëm disa oficerë me përgjegjësi më të ulëta, pa lidhje me politikanë e funksionarë të lartë shtetërorë, ndërsa gjeneralë e drejtues të lartë, janë me azil ose në liri
FUNKSIONARI ARMAND TARTARI
Dje në mesditë është konfirmuar se, Armand Tartarit i është dhënë strehim në Francë, duke shmangur ‘de fakto’ dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare. Po kush është Armand Tartari dhe rruga e mistershme deri tek evitimi i qelisë. “Armand Tartari, ishte një nga funksionarët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht Drejtor i Drejtor i Programim-Buxhetimit. Ai e ka mbuluar këtë funksion që kishte në dorë gjithë buxhetin e institucionit, në kohën që kanë qenë titullarë Fatmir Mediu dhe Arben Imami, deri në momentin e ikjes së Tartarit nga Shqipëria. Ai ka qenë në këtë detyrë deri në momentin që mësoi (përflitet një bashkërendim i institucioneve të drejtësisë me funksionarë të lartë që i informonin e para informonin për vendimet duke i ndihmuar dhe në rrugën e shpëtimit) se duhej të mbyllej në qeli si një nga fajtorët e tragjedisë së Gërdecit. Disa muaj më parë se të dënohej dhe ai të ‘zhdukej’ nga Shqipëria, ka dërguar në Francë, atje ku ka studiuar dhe vetë, gruan dhe dy vajzat. Ai ka qenë në funksion dhe ndihmës i afërt i ish-ministrit Arben Imami, deri ditën që u dha vendimi dhe u largua. Ai, kishte një informacion të plotë e siguri për fatin e tij, një mbështetje nga shtetarë të kohës, deri ditën e vendimit”,-shtojnë burimet e konfirmuar të “Telegraf” në Ministrinë e Mbrojtjes.
LIDHJA ME GËRDECIN
Kush është lidhja e Armand Tartarit me tragjedinë e rëndë të Gërdecit. “Përgjegjësia ligjore e Telitit të dënuar me një vit burg, nuk lidhet direkt me tragjedinë që ndodhi e pasojat e saj, por me shpërdorimin e detyrës, me pasoja… Ai ka qenë kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Çmimeve të Municioneve që dërgoheshin në Gërdec. Sipas ekspertëve dhe vendimit të gjykatës, përgjegjësia e tij qëndron në uljen e çmimeve të municioneve me interesa për demontuesit, pronarët e fabrikës së vdekjes dhe shtetarët e lartë të lidhur me interesa direkt apo indirekt. Nga ulja e çmimeve të municioneve, dyshohet se janë përfituar padrejtësisht e në dëm të arkës së shtetit, miliona euro. Në mekanizmin e mbrojtjes, informimit e ndihmës për ‘arratisje’ të Tartarit, është dora e funksionarëve më të lartë të shtetit të kohës kur ndodhi tragjedia”,-shtojnë burimet e mësipërme.
VIKTIMAT
Me azile të të dënuarve, daljen në liri të disa ish-funksionarëve të lartë për ‘sjellje të mirë’ në burg, mos dënimi i asnjë politikani të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, kjo çështje, jo vetëm nuk shpresohet të zbardhet e shkaktarët e vërtetë të marrin dënimin e merituar, i ngjanë një telenovele, ku së pari, drejtësia ishte e vazhdon të jetë nën komandën e shtetit. “Shkaktarët e vërtetë të tragjedisë së Gërdecit, kanë qenë në kupolën e shtetit dhe nuk kanë për të dalë para përgjegjësisë. Në burg kemi mbetur ne pa krahë, pa njerëz të lidhur me ministra e politikanë, e po vuajmë thjeshtë se kemi bërë inventarin e mallit, apo kemi përcaktuar cilësinë e tij. Nëse ne kemi ndonjë përgjegjësi, e themi se nuk mund të kundërshtonim urdhrat që vinin nga larg, pasi fyheshim, dënoheshim e flakeshim nga puna”,-ka pohuar një nga të dënuarit për këtë tragjedi. Në këtë situatë, ‘fajtorët’ e vërtetë mbeten 26 viktimat që humbën jetën e familjarët e tyre që nuk reshtin së kërkuari drejtësi, por ‘dera’ e shtetit dhe e drejtësisë u përplaset në fytyrë.





















