Hysni Mullalli: Ja përgjigja ime për drejtuesit e Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë

629
“Qirje Thoma Konduri dhe Zydi “Heroi” sulmojnë sërish Bashkimin e Ushtarakëve, nga bunkeri i vetmisë të tyre”
– Sipas ligjit të shërbimit ushtarak: “Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në rezervë kryhet nga shtetasit e moshës: 
a) deri në 45 vjeç për ushtarë dhe nën/oficerë meshkuj; 
b) deri në 35 vjeç për ushtare dhe nën/oficere femra; 
c) deri në 50 vjeç për oficerë meshkuj; 
ç) deri në 40 vjeç për oficere femra”. 

Ky nen e nxjerr në pozicion jashtë loje SHKURSH-in, sepse mbi 95% të anëtarëve i ka mbi moshën që kërkon ligji. Shumicën e drejtuesve i ka rreth të shtatëdhjetave, pra nuk janë oficerë në rezervë, nuk e bëjnë dot rolin e ushtarit apo oficerit rezervist dhe as rolin e trajnuesve të ushtarakëve të rinj në rezervë. Me gjithë këto fakte, akoma Ministria e Mbrojtjes e njeh dhe i jep kësaj shoqate, mbështetje financiare dhe materiale, kur ajo që nga krijimi është jashtë mundësive praktike për të realizuar misionin e saj në kuadrin e CIOR-it..

– Pranimi në CIOR është arritje e madhe, por ne nuk na interesojnë rezultatet e CIOR-it, por rezultatet e SHKURSH-it si anëtare e CIOR-it. Na mburren q.Th. dhe Z.h. që CIOR-i ka përfaqësuesin e saj të përhershëm në shtabin e NATO-s. Shumë mirë. Po SHKURSH-i ka ndonjë përfaqësues në Shtabin e Përgjithshëm?! Ka ndonjë oficer të thjeshtë në Qendrën e Personel Rekrutimit?! Ka ndonjë oficer të thjeshtë në zyrën apo sektorin e përkujdesjes sociale?! Ka ndonjë përfaqësues në zyrat e reja të rekrutimit të rezervistëve që janë hapur nëpër qarqe?! Absolutisht, nuk ka asnjë. Por atëherë, përse na mburren q.Th.dhe Z.h. që SHKURSH-in, e njeh Ministria?! Këtu fillojnë dhe mbarojnë të gjitha mburrjet e Z.h. dhe q.Th., ndaj ne nuk mund të ecim më sipas daulles dhe horoskopit të tyre.

– Q.Th. dhe Z.h. shkruajnë se Statusi i tyre, nuk e lejon transformimin dhe bashkimin e shoqatës me shoqata të tjera. Këtë sajesë Z.h. nuk e tha në vitin 2011 kur bëri thirrje për bashkim dhe q. Th nuk e tha në vitin 2015 kur i ktheu përgjigje refuzuese për bashkimin, AKUSH-it. Nëse e kanë “shtuar” tani një nen të tillë, ai është antiligjor se shkel nenin 42 të ligjit Nr.8788/2001 “Për organizatat jofitimprurëse” ku theksohet:“Organizatat jofitimprurëse kanë të drejtë të transformohen ose të bashkohen.”

– Gënjejnë kur thonë se shoqata e k/ajrorëve (nuk i dinë as emrin, se ajo quhet shoqata e aviatorëve), u largua nga Kuvendi. Zoti Astrit Jaupi, Kryetari i Shoqatës të Aviatorëve, është modeli që ata duhet të marrin. Ai nuk i braktisi ata për t’u bashkuar me ne. Ai me shoqatën e tij të aviatorëve kanë vendosur dhe janë të palëkundur në qëndrimin e tyre pro bashkimit. Ai që nga dita e parë dhe deri sot është një nga kontribuesit kryesorë. Ai ishte në panelin drejtues të Kuvendit dhe diskutoi në emër të gjithë shoqatave të armëve dhe shërbimeve. Po ashtu dhe Kryetari i Shoqatës të Forcave Detare, Fitim Halili, ka firmosur të gjitha dokumentet e bashkimit nga dita e parë dhe deri sot. Të dy këta kolegë të nderuar Kuvendi i Bashkimit i ka zgjedhur anëtarë të Këshillit Drejtues dhe anëtarë të Bordit Ekzekutiv.

– Puna e bërë në vitin 1996 dhe deri në vitin 2009 është për t’u përshëndetur. Por Z.h. dhe q.Th.nuk duhet të mburren shumë, se puna që u bë në vitin 1996 dhe arritjet e SHKURSH-it deri në vitin 2009, nuk janë vetëm meritë e “heroizmit” të tyre, por janë meritë e të gjithëve ushtarakët, përfshi dhe ata të ”sojit” tim, që janë në radhët e AKUSH-it. Ata harrojnë që në atë kohën e “heroizmave” në krahun e tyre kanë qenë Bajram Manaj, Nevruz Sako, Eqerem Osmani, Pëllumb Zaimi,Aleksandër Mihali etj, të cilëve sot ua mohojnë kontributin dhe meritat. Këta ia kalojnë edhe humoristit të talentuar fierak Fuat Boçi që pësëriste pa pushim (si këta dy “madhorët”) shprehjen:“Doni më për Belulin?!”.

– Zydi “heroi”, duhet të pranojë me kurajë se është një nga përgjegjësit dhe kontribuesit kryesorë të ndarjes të ushtarakëve,në vitin 2009, sepse SHKURSH-i, nuk është monarki apo mbretëri që kur ikën ai, i le trashëgim të preferuarit të tij fronin mbretëror të SHKURSH-it. Kjo ka qenë arsyeja që disa nga “soji” im i AKUSH-it, ikën dhe hapën siparin e krijimit të shoqatave kioska, që mbinë si kërpudhat pas shiut. Sigurisht që dhe ata që u larguan kanë përgjegjësi shumë të madhe, sepse duhet të qëndronin dhe ta bënin betejën nga brenda shoqatës. Por një gjë duhet ta dinë mirë ata, që shoqatën nuk ua prisha unë, që jam angazhuar në vitin 2015 si anëtar i AKUSh-it, kur betejat e “fitoreve dhe heroizmave” të tyre kishin perënduar. Ndjehen të fyer, kur i cilësoj gënjeshtarë. Po çfarë janë atëherë kur përsëri trillojnë, se – në vitin 1996 kur ata bënin “heroizma”, unë rrija skutave i frikësuar brenda apo jashtë Shqipërisë. Ju them atyre dhe kolegëve që nuk e dinë, se unë në atë kohë kam qenë ende oficer aktiv. Nuk e kam fajin unë që nënat e tyre i kanë pjellë 2 apo 3 pesë-vjeçarë para meje dhe, si rrjedhojë, dolën dhe në rezervë shumë vite para meje. 

Fjalori i këtyre dy figurave “universale, presidenciale, heroike dhe honorifike”, na vërteton faktin se karriera e tyre e “suksesshme” iu paska mësuar mirë dhe fjalorin e rrugës dhe kur bëhet fjalë për këtë fjalor, nuk kishte sesi q. Th., të mos përdorte, fjalën simbol të rrugës “ Kazan”. E di që në moshën e Z.h. dhe q.Th. ndodh që ia futin dhe kot. Këto janë “shpërthime” të moshës, por zhurma e tyre kurrë nuk i kalon muret e shtëpisë. Sipas të thënave të kolegëve të “sojit tim” që deri dje kanë qenë “soji i tyre”, del se ata për shkak të detyrës “heroike” kanë “bashkëpunuar” me shumë parti të mëdha dhe partiçka të vogla, janë ulur si guximtarë në prehrin e tyre, madje ata thonë se në momente kritike për interesa personale, kanë qenë të pa parashikueshëm. Qartazi duket që bashkëpunimi me partitë, u ka mundësuar të përvetësojnë shumë mirë fjalorin e tyre.

Ata, ne “kundërshtarëve” na veshin dështimet dhe na hedhin krahëve nga një pelerinë politike. Në këtë kuadër nderin e parë përsëri ma bëjnë mua, duke tentuar të më veshin pelerinën politike të Sali Berishës. Janë të pa parë, e kanë gjetur dhe ”mikun” tim. Nuk kanë faj, më ngatërrojnë me veten e tyre që partitë i kanë ndërruar si mbreti gratë dhe pelerinat e partive politike i kanë koleksion në dollapin “historik” të SHKURSH-it. Këto pelerina i kanë përdorur si ato qeskat e plasmasit një përdorimshe, që i kanë vënë dhe mbajtur në kokë për 21 vjet rresht, jo vetëm në fushata por dhe kur kanë qenë në hall. 

Z.h., jo vetëm ka zbritur nga “piedestali” i tij honorifik dhe e ka ulur shumë poshtë stekën “presidenciale”, por meqë u ndie i fyer që unë e cilësova si zëdhënës të q.Th., ka marrë një detyrë të re, atë të sulmuesit baltosës. Në replikën e tij, hodhi sa u lodh topa balte mbi mua dhe q.Th. pasi bëri korrigjimin me gropën e plasjes të Z.h., hodhi dhe ai pjesën tjetër që kishte mbetur në govatën prej balte të SHKURSH-it. Këta ushtarakë të “talentuar”, për efekt mashtrimi e përqendrojnë goditjen kryesore tek unë, por në fakt inatin e kanë me AKUSH-in që i “tradhtoi”, i la të vetmuar në bunkerin e ndarjes dhe objekt kryesor sulmi kanë Shoqatën e re: “Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë”. 

Z.h.dhe q.Th., dukshëm kanë marrë huqet e “mikut” që ma servirin mua, Saliut, sepse ngjasojnë dhe reagojnë si ai. Më thanë shokët, që me Saliun i përafron faktori moshë. Ndoshta, por unë jam i bindur që janë kopje e tij, për këto fakte: 

• Ata përdorin fjalor baltosës dhe banal si Saliu; 
• janë në dualitet me njëri tjetrin, si Saliu me Lulin; ushtarakët nuk po e marrin vesh SHKURSH-in e drejton Z.h. apo qirje Thomai; 
• kanë bllokuar gazetat duke fyer dhe sharë këdo, për të spostuar vëmendjen dhe për ta paraqitur bashkimin si përçarje.
Z.h. doli me nismë, në vijën e parë të frontit kundër bashkimit dhe e “realizoi” detyrën e afërt. I takonte q.Th. të dilte i pari si “President” por dhe si artiljer që të bënte PAM-in që sulmi i “heroit” honorifik të kishte sukses. Por q.Th., preferoi të “realizonte” detyrën e largët, atë të braktisjes. Ai u fut në luftim për të plotësuar detyrë e largët, në datën 30 tetor, ditën e Kuvendit të Bashkimit Kombëtar, kur na ktheu krahët dhe si trim i çartur me heroizëm të paparë, u hodh me tërbim në sulm në drejtimin: Tiranë-Athinë, me detyrë kryesore -Rivendosjen e situatës në kufirin shtetëror-. Kapërceu me “trimëri”, lumenj, kodra dhe male, kapi pika dominuese në territorin grek (por jo në kufirin shtetëror,si kemi mësuar ne “të paditurit”), por ai si “fitimtar” i lindur, e ndali “sulmin” në kryeqytetin grek, Athinë, ku ngriti flamurin heroik të SHKURSH-it. Hallall, qirje Thomai!

Më akuzon “heroi” dhe i mban iso qirje Thomai që unë – shpif dhe mashtroj me fjalorin e një rrugaçi -. Për termin “rrugaç” dhe fjalët e tjera fyese që përdorni, ju rekomandoj, të bëjnë kujdes dhe t’i shërbejnë më mirë higjienës të gojës, sepse në pleqëri goja mban erë dhe pa përdorur fjalë të pista. Ata gënjejnë veten duke menduar se kur fjalët dalin nga “goja” lirohen. Fjalët vërtet janë si plumbi që dalin nga goja dhe nuk kthehen më, por ato lenë në gojën e përdoruesve një vatër infeksioni që ngelet rrezik potencial, sidomos në gojën e përdoruesve pleq, që nuk kanë kohë, të kurohen dhe të korrigjohen . 

Z.h. më akuzon mua, se nuk e njoh historinë e shoqatave të ushtarakëve. Unë, pa modesti them që e njoh shumë mirë këtë histori, sepse kam një “bonus plus” që ma ka krijuar vetë Zydi “heroi”. Ai për shkak të moshës do të ketë harruar që mi ka dhuruar personalisht të gjitha librat që ka shkruar për SHKURSH-in, duke i shoqëruar ato me dedikime, ku flet me superlativa për mua dhe punën time. Nuk po citoj dedikimet e tij, sepse po t’i citoja Z.h. do të injorohej, por ky nuk është qëllimi im. 

Kur Z.h. apo q.Th.marrin nisma si ajo e vitit 1996, kanë të drejtë legjitime, madje kanë të drejtë të vetë shpallen dhe heronj. Ndërsa tani që e morëm nismën ne (unë jam njëri, por jo heroi) dhe ribashkuam ushtarakët që kanë përçarë Z.h. dhe q.Th. me shokët e tyre të larguar ose jo në vitin 2009, nuk u del e keqja, po na “mbytin” duke folur publikisht se bashkimi jonë, nuk është bashkim, por përçarje, sepse nuk janë me ne ata të “mëdhenjtë” e ushtarakëve, Zydi “heroi” dhe qirje Thomai. Ata na kërkojnë llogari: Si guxuam ne dhe u bashkuam pa këta heronj? Si dolëm para këtyre dy “prijësve legjendarë? Pse nuk shkuam tek ata nën hijen e çadrës të tyre heroike? Pse nuk u rikthyem tek ata si Genc Pollua, tek Saliu? Na e kanë thënë, na kanë dalë borxhit, madje na i kanë prerë shkurt, po nuk erdhët tek ne, nuk ka bashkim. Kësaj here, kaq kisha për të shkruar. Me porosi të kolegëve të “sojit” tim, në mbyllje ju uroj: “Vegjetoni të vetmuar o “heronjtë” e shoqatës kreshnike të SHKURSH-it”. 
Sigal