Hyqmet Zane: Shqipërisë i duhet një Jat Vashem

321
Sigal

Kujtesa historike ndaj holokaustit nazist, merr gjithnjë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Por nëse në shumë vende të tjera hebrejtë u denoncuan dhe nuk u mbrojtën nga egërsia naziste, në Shqipwri ndodhi e kundërta, ndaj dhe në çdo kohë, jo vetëm në një datë të caktuar, kemi të drejtën të krenohemi me humanizmin e njerëzve që i strehuan dhe i mbajtën nën kujdes familjet hebreje.  Para shumë vitesh në Parlamenti shqiptar u bën nderime për hebrejtë e holokaustit nazist si një akt i vlerësimit që një popull si shqiptarët i bëjnë sakrificave, vuajtjeve dhe flijimit për lirinë dhe paqen njerëzore. Merita e shqiptarëve gjatë Luftës II Botërore është e veçantë në Europën e shekullit XX,  jo vetëm se u rradhitën në krahun e antinazifashizmit, por edhe sepse u rradhitën edhe në krahun e hebrejëve. Kjo është e skalitur jo vetëm në kujtesën historike të popullit shqiptar, por edhe në Jatvashem, në truallin ku hebrejtë kanë të skalitur nderimin e të gjithëve që u dhanë mbrojtje. Deri këtu flasim për vlera, flasim për mirënjohje ndaj një kombi tjetër.

Filozofia shqiptare se “shtëpia jote është e Zotit dhe e mikut”, nënkupton tërësinë e virtyteve të rralla që ka ky komb me mikpritjen e tyre. Këtu buron edhe thelbi i asaj vepre madhore që i ka bërë të famshëm shqiptarët në botë, sepse strehuan, i trajtuan dhe i mbrojtën hebrenjtë gjatë Luftës II Botërore.

Historikisht në Shqipëri mikpritja është zbatuar edhe ndaj italianëve, edhe ndaj austriakëve, edhe ndaj çdo komuniteti tjetër që kërkonte të gjente shpëtim në këtë vend, që për hir të së vërtetës është i bekuar nga Zoti.  Dihen tashmë qëndrimet antisemetiste të filozofisë naziste dhe përndjekja shfarosja dhe tmerri që përjetoi kjo popullatë në kampet e internimit gjerman në çdo vend të Europës ku kishte përqëndrime të izraelitëve. Ka qënë pikërisht Regjenca Shqiptare e drejtuar nga Patër Anton Arapi, Maliq Bushati dhe Lef Nosi, e cila drejtohej me kopetencë atdhetarie dhe ruajti të paprekshëm atributet e shtetit shqiptar dhe cilësive të shqiptarit.

Mirë hebrejtë e kanë bërë, e kanë skalitur mirënjohjen dhe falenderimin e tyre. Po në Shqipëri ende nuk është skalitur memorja historike si në një Jatt Vashem shqiptar jo vetëm për historinë e këtij kombi, por edhe për këtë rast tipik, për ato 63 apo 64 familje shqiptare që i strehuan hebrejtë. Kryefamiljarët e atyre familjeve kanë emrat e tyre, kanë identitetin e tyre, se kanë edhe atë krenari prej shqiptarësh që kanë ditur të bëjnë mirë në kohë të vështira, siç ishte pushtimi i vendit.  Kush i di emrat e këtyre shqiptarëve ? Asnjë ose shumë pak njerëz. Përse ndodh një veprim i tillë, kur shembulli i izrealitëve është një shembull tipik që duhet kopjuar, sepse kemi të bëjmë me ato familje që tashmë kanë hyrë në fondin e artë të përfaqësimit dinjitoz ndërkombëtar shqiptar.  Janë vetë hebrenjtë që e kanë bërë këtë gjë dhe që e kanë thënë faqe gjithë botës se cilët ishin genocidistët dhe cilët ishin mbrojtësit e tyre. Këtu shqiptarët kanë një vend të veçantë që një popull si hebrenjtë dinë ta ruajnë përjetësisht, për shkak edhe të mistifikimit që ata i kanë bërë këtij realiteti.

Me cilësinë e një njeriu investigues jo vetëm për jetën e përditshme, por edhe për rrjedhat historike të kombit shqiptar, e shoh të udhës që të “ngacmoj”, duke bërë një paralelizëm në lidhje me një moment historik. Që në fillim dua të them se historikisht ndaj kombit shqiptar ka ekzistuar një mllef antinjerëzor nga ana e fqinjëve dhe aleatëve të tyre, deri edhe në mohimin e vlerave që kanë Brenda kontribute me vlerësime botërore. Edhe shqiptarët u internuan në kampe përqëndrimi, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe Çamëria, por asnjëherë këto kontribute antifashiste nuk u konsideruan si të tilla.

Do ta nis nga familja ime dhe nga një rast tipik për tu konsideruar jo vetëm nga historianët, por edhe nga ana e politikës dhe shtetit. Babai im, Nuri Emin Zane, pati një fat tragjik në jetën e tij. Ashtu si hebrejtë me të cilët ai ishte mik, u internua në kampet e përqëndrimit Mathauzen e në Dakao më pas. U internua nga Çamëria, e cila është nën juridiksionin territorial të Greqisë, i kapur nga gjermanët, pasi ishte i ndjekur dhe i spiunuar nga grekët dhe bashkë me hebrenjtë e Janinës përjetoi holokaustin nazist. Gjithkush në botë e ka të qartë se ç’do të thotë të përjetosh kampet famëkeqe të nazizmit, ashtu si edhe hebrejtë, me të cilët i lidhte i njëjti fat. Por një fat akoma më të zi, tipik holokaust, por këtë rradhë grek, do të përjetonte ky njeri pas shpëtimit nga holokausti nazist. Si shtetas grek me kombësi shqiptare, im atë së bashku me pesë shqiptarë të tjerë nga Shqipëria u rikthye në Janinë, ku edhe mori vesh genocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ashtu si dhe ndaj familjes së tij. Në këtë mënyrë ky njeri që shpëtoi gjallë nga një holokaust i genocidit nazist, do të duhej t’i shpëtonte edhe holokaustit të genocidit grek, kur duhej të meritonte nderimin si anifashist. Kjo gjë, jo vetëm që nuk ndodhi, por u kërcënua me jetën në Korofillaqinë greke të Janinës, ndërkohë që në Filat, kur vajti të merrte vesh se çfarë kishte ndodhur, i thanë që të ikte se mund ta vrisnin kur u mor vesh se ishte banorë i Çamërisë, ndaj dhe i treguan rrugën për të ikur duke mos ditur se ku i kishte përfunduar familja, ashtu si rreth 40 mijë çamëve të tjerë. Për këtë shqiptar u harrua për një moment holokausti nazist, sepse një holokaust tjetër, ai grek do t’i zinte vendin shpejt. I mbetur në udhëkryqin e jetës, ashtu si miliona hebrenjtë që vajtën në Izrael, në atdheun e tyre, im atë e gjeti të udhës të vinte në Shqipëri bashkë me 5 bashkëatdhetarët e tij me shpresën për t’i shpëtuar pasojave të genocidit grek.

Hebrejtë e kanë një privilegj të tillë dhe e kanë ndërkombëtarizuar çështjen e mbrojtjeve të të drejtave të tyre legjitime, por i quajturi genocide i çfarëdolloj ngjyre qoftë, sado viktima të ketë, ai është genocide dhe këtë më shumë e dinë ata shqiptarë të Çamërisë dhe gjithë banorët e saj martirë të një kohe luftrash, bijtë e të cilës provuan kampet e përqëndrimit nga genocide nazifashist, që provuan genocidin grek dhe atë komunist më pas dhe sot janë të persekutuarit e një shteti si Greqia që shtyp jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe çdo të drejtë tjetër shqiptare, veçanërisht ato çame, siç ishte edhe akti i fundit i mosdhënies së asnjë vize për baballarët tanë e të moshuarit e moshës së tretë që këkronin të vizitonin varret e të parëve të tyre.

Cili Parlament do të nderojë këto viktima të tre genocideve që përbëjnë një rast tipik në historinë botërore për vetë provat dhe faktet që flet historia. Këtu nuk është fjala për një njeri, por u detyrova të spikas një rast tipik se të internuar të tjerë nga Çamëria janë edhe Hajri Fetahu nga Grikohori, Osman Taka nga Filati, Mezan Emin Jonuzi nga Varfanji apo dëshmorët e vërtetë të kësaj treve që tragjikisht përjeton mënxyrat e padrejtësive të një shekulli të tërë.

Cili hebre i nderuar edhe nga Parlamenti shqiptar do të merrte përsipër që të nderoheshin edhe ata bashkëvuajtës të tyre në holokaustin nazifashist, por edhe atë grek siç njihet historikisht Çamëria ?

Sa për genocidin komunist dhe holokaustin e mënxyrave të mëdha 50 vjeçare, janë vetë shqiptarët që duhet të nderojnë viktimat e martirizimit të panderuar ende sot e kësaj dite. Të vjen çudi që në këtë vend nderohen vetëm ata që thuhet se kanë luftuar kundër nazifashizmit, dhe që janë vrarë. Unë personalisht shpreh dhe kam respektin e pakundërshtueshëm për ata bij shqiptarësh dhe familjet e tyre që nxorrën nga gjiri i tyre dëshmorë dhe heronj të tillë.

Familje si Biçakët Librazhd apo Nosët në Elbasan regjimi komunist i persekutoi si shenjë e mosmirënjohes së komunistëve për bijtë e tyre dhe dashurisë për internacionalizimin proletar. Ndoshta Tirana, kryeqyteti ynë, këta emra dhe këto përfaqësues dinjitozë duhet të ketë në ballin e mozaikut kombëtar. Është një turp që nuk di se si kapërdihet nga ata që kanë bërë historinë e shqiptarëve dhe që akademikë ose jo kanë edhe kurajon të dalin e të flasin akoma për dokrrat e pafytyrësive të tyre të të zezave që bënë me historinë e këtij kombi.

Ky mohim i vlerave të atyre 63 apo 64 familjeve shqiptare që mbajtën dhe mbrojtën hebejtë është një mohim për të vërtetat historike që çudit edhe vetë hebrejtë, që nuk e thonë, por e ndejnë se nuk u duhet ai nderim që u bëjnë zyrtarët e një shteti apo një shoqatë i thënçin e miqësisë Shqipëri – Izrael, kur nuk nderohen ata që sot nderohen veçanërisht në Izrael dhe përgjithësisht në të gjithë botën se kështu janë hebrejtë e ruajnë si xhevahir mirënjohjen e tyre. Ka ardhur koha të ketë edhe një Jat Vashem shqitpar.