Humbi profesorin e tij, Meta vlerëson figurën e Ferid Berberit: Prodhoi ikona të peshëngritjes. Një personalitet dhe një legjendë e jashtëzakonshme

250
Sigal

Presidenti i Republikës Ilir Meta është shprehur i trishtuar për ndarjen nga jeta në moshën 75-vjeçare të ikonës së peshëngritjes shqiptare Ferid Berberi, i cili ka qenë njëkohësisht dhe profesor i tij.

Meta shkruan se ai jo vetëm shkëlqeu si kampion dhe rekordmen, por prodhoi edhe shumë kampionë e rekordmenë.
Kreu i Shtetit thotë se do t’i jetë përjetë mirënjohës Profesor Feridit, i cili e tërhoqi edhe atë në magjinë e peshëngritjes. Ai e cilëson një personalitet dhe legjendë të jashtëzakonshme.

MESAZHI I PRESIDENTIT META

Me shumë trishtim dhe dhembje mësova sot për ndarjen nga jeta të Profesorit tim të dashur, Ferid Berberi, një nga kampionët më jetëgjatë në historinë e sportit tonë për më shumë se katër dekada, ish-trajnerit të madh të peshëngritjes të Ekipit Kombëtar dhe Dinamos.
Në rininë e tij ai jo vetëm shkëlqeu si kampion dhe rekordmen, por prodhoi edhe shumë kampionë e rekordmenë, ikona të peshëngritjes tonë, që shkëlqyen edhe në nivel europian e botëror si Aleksandër Kondo, Agron Haxhihyseni, Muharrem Berisha dhe Ardian Kokonozi.
Përjetë mirënjohës Profesor Feridit, i cili më tërhoqi edhe mua në magjinë e peshëngritjes, më edukoi me shumë pasion e dashuri me vlerat më të mira sportive dhe mbi të gjitha se nuk ka arritje dhe suksese pa një punë të jashtëzakonshme dhe të qëndrueshme.
Ai futi metodat me bashkëkohore në programet e stërvitjeve dhe studionte vazhdimisht duke modernizuar sportin e peshëngritjes. Me profesionalizmin dhe përkushtimin prindëror për të përgatitur denjësisht kampionë dhe rekordmenë, ai do të mbetet i paharruar si shembull i çmuar dhe frymëzues i gjeneratave të tëra sportistësh në rrugën e suksesit dhe të fitoreve.
Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Berberi dhe komunitetit sportiv të peshëngritësve, që humbën sot një personalitet dhe një legjendë të jashtëzakonshme të kësaj disipline.
Kujtimet me Profesor Feriditi për një periudhë shumë të bukur të jetës sime, do t’i ruaj përherë të gjalla si atëherë.
Lamtumirë Kampion! Të prehesh në paqen e merituar!

  • foto galeri
  • foto galeri