Humb jetën Drejtori i Sigma Kosovë, Z. Roland Kaçani

701
Sigal

Është ndarë nga jeta një prej drejtuesve më të suksesshëm, që prej themelimit të kompanisë Sigma sh.a, Z. Roland Kaçani.

Ai humbi jetën më 03.11.2019, në një aksident i cili rezultoi fatal për të ndjerin. Z. Kaçani ka punuar në industrinë e sigurimeve që prej vitit 1996, dhe ka qënë pjesë e SIGMA sh.a që prej Prillit të vitit 2003.

Që prej vitit 2005, kur Sigma hapi degën e saj në Kosovë, Z. Kaçani e ka themeluar dhe drejtuar me sukses dhe devotshmëri. Me humbjen e tij, kompania ka humbur një drejtues me vlera të veçanta dhe të besueshëm, i cili i ka bërë ballë sfidave dhe ka ngritur një kompani të suksesshme pavarësisht vështirësive të tregut.

Ne gjithashtu po humbim një person me një karakter të fortë, i cili ka ndërtuar një marrdhënie shumë bashkëpunuese me punonjësit e tij dhe ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm që emri i kompanisë tonë të ketë një reputacion të shkëlqyer në Kosovë.

  1. Kaçani humbi jetën në një moshë shumë të re, vetëm 46 vjeç. Shumë familjarë, të afërm, miq dhe kolegë morën pjesë në funeralin e tij. Dhimbja e shkaktuar ishte mjaft e thellë, veçanërisht për prindërit dhe familjarët e tij. Pavarësisht largësisë dhe angazhimeve të shumta në punë, ai i qëndroi gjithnjë pranë prindërve të tij të mrekullueshëm duke iu mundësuar atyre një pleqëri sa më të qetë.

Për të gjithë miqtë, Landi ishte simboli i njeriut fisnik që me dijen dhe zotësinë e tij ka treguar që me punë, këmbëngulje dhe ndershmëri arrihet gjithçka.

Nuk jemi kurrë gati që t’i japim lamtumirën njerëzve tanë të dashur, megjithëse e dimë që është pjesë e jetës. E ndjejnë humbjen e Landit të gjithë ata që kanë pasur fatin t’a kenë njohur dhe t’a kenë pasur në jetën e tyre. Ai ishte dhe do të mbetet një frymëzim për të gjithë!