“Historia, si mesazh për të ardhmen”, Begaj në Malësi të Madhe për 113-vjetorin e kryengritjes

21
Sigal

Në Malësi të Madhe përkujtohet këtë të shtunë 6 prilli 113-vjetorit të kryengritjes, që shënoi një pikë kthese për shkëputjen e shqiptarëve nga Perandoria Osmane. Në ditën e dytë të qëndrimit në veriun e vendit, Presidenti  Bajram Begaj e kujtoi atë ngjarje, me një mesazh për të mos e braktisur vendin por për ta fuqizuar atë.

“Kryengritja e Malësisë së Madhe nuk është pjesë vetëm e historisë sonë, por edhe udhërrëfyese për të ardhmen që duhet të ndërtojmë, një të ardhme në një Shqipëri demokratike dhe evropiane, ku ia vlen të jetosh”. Presidenti Begaj nderoi protagonistët e kryengritjes që dhanë gjithçka për të shpëtuar trojet shqiptare nga copëzimi dhe ajo çfarë ata lanë për breza të ardhshëm.

“Në memorandumin që udhëheqësit e kryengritjes iu dërguan Fuqive të Mëdha, ku firmëtarë ishin të krishterë e myslimanë, ata kërkuan, ndër të tjera, paprekshmërinë e territoreve shqiptare, njohjen e shqipes si gjuhë zyrtare dhe njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare. Kjo tregon formësimin e një ndërgjegjeje kombëtare, si dhe fuqinë për t’u bashkuar për të mirën e çështjes kombëtare. Nën shtypjen e pushtuesit, ata ditën të ruajnë gjuhën, traditat, kulturën dhe identitetin, që e bëjnë Malësinë e Madhe një zonë unike”, tha Begaj.