Historia pas vrasjes së vëllezërve Haxhia, si u kontraktuan ekzekutorët pas sherrit për paratë e Rinasit

117
Sigal

Të tjera detaje dalin në dritë nga ekzekutimi i dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, në prill të vitit 2020, në Durrës.

Policia ka arrestuar dy autorët e dyshuar të vrasjes, Besian Xhixha dhe Enver Diva.

Të arrestuarit janë nga Fushë Kruja, dhe janë kontaktuar nga Nuredin Dumani dhe Talo Çela, të cilët iu kanë premtuar një shumë të madhe parash, që të vrisnin vëllezërit Haxhia.

Të dy të arrestuarit kanë pranuar që të kryenin vrasjen dhe i kanë ruajtur vëllezërit gjatë periudhës së pandemisë, kur pjesa më e madhe e njerëzve ishin në karantinë.

Ditën që ata kanë vendosur të vrisnin vëllezërit, njëri prej tyre, përkatësisht Enver Diva, ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Për rrjedhojë, ai ju ka thënë Çelës e Dumanit se “nuk mund ta bëj vrasjen, se jam në karantinë, s’më lënë të dal”, shpjegon gazetarja Klodiana Lala.

Kjo ka bërë që Talo Çela të kryejë vetë vrasjen, në bashkëpunim me Nuredin Dumanin, Altin Ndocin dhe Besian Xhixhën.

Ndërkohë, gazetarja Lala thekson se ka dyshime që Xhixha dhe Diva kanë kryer edhe vrasje të tjera me pagesë. Burime të besuara pranë SPAK kanë konfirmuar se këta të dy po hetohen edhe për vrasje të tjera të kryera kundrejt pagesës.

Motivi i vrasjes së dy vëllezërve Haxhia ishte konflikti mes tyre dhe Talo Çelës e Nuredin Dumanit, për lekët e grabitjes së Rinasit.

Ndërkohë, gazetarja Klodiana Lala zbardhi një ditë më parë dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, i arrestuar për vrasjen e vëllezërve.

“Besmir Haxhinë e nxora unë në pritë. I telefonova dhe i thashë hajde të të jap lekët e borxhit. E lamë të shiheshim te tregu i makinave.

Kur pashë makinën e tij e parakalova. Atë moment Talo Çela dhe Nuredin Dumani, qëlluan me breshëri. Sulmi zgjati 3 minuta. Ne nuk e dinim që në makinë me të ishte edhe vëllai tjetër Viktori. Për vrasjen e Dorian Shkozës, dua të them se Talon e informoja unë për lëvizjet e tij.

Vrasjen e Dorianit mendoj e ka bërë Besmir Haxhia dhe Talo, nisur nga karakteristikat trupore. Shofer s’e di kush ka qenë”, kështu ka thënë Alla para hetuesve, duke vijuar më tej se “Kur mbërrita te tuneli në Shënavlash, aty ishte Talo Çela, Altin Ndoci e Nuredini.

Talo kishte maskë me fytyrë njeriu. Nuredini kapuc si RENEA, xhup pa krahë me mbishkrimin OFL. Ata zbritën nga makina e tyre dhe morën tre armë në bagazh. Unë shkova deri aty t’ju dërgoja makinën.

Por Talo me kërcënoi: Ma ke thënë, ti do vish me se sbën dhe me ka kërcënuar. Hipa në Toyotan me targa AA 375 XN. Të tre u futën në automjet. Unë telefonova Besmir Haxhinë dhe lashë takimin”.

Pas krimit ai ka thënë se është përpjekur të fshehë provat, duke u shprehur se “Armët i hodha në kanalin përballë xhamisë me dy minaret. Makinën e lashë te varrezat në Arapaj.

Të nesërmen kam shkuar me biçikletë te makina dhe kam mbledhur gëzhojat dhe i futa në një qese, të cilën e hodha në një rezervuar”.

I penduari ka rrëfyer edhe momentin kur oficeri i zonës i ka kërkuar të paraqitej në polici dhe arsyet përse vendosi të fliste.

“Më telefonoi polici, Arbeni më kërkoi të shkoja në polici. U tremba, por vendosa të shkoj. Tregova ngjarjen. Dërgova policinë te vendi ku hodha armët. Polumbarët i gjetën. I tregova dhe vendin ku hodha qesen me gëzhojat dhe vendin ku lashë makinën e çelësin e saj”.

Klevis Alla ka treguar edhe motivin e vrasjes së dy vëllezërve si dhe miqve të tyre.

“Pas ngjarjes në Rinas, filloi përçarja e grupit të Talo Çelës, Dorian Shkozës, Altin Ndocit e Besmir Haxhisë. Përçarja filloi pasi hyri në lojë lek i madh nga vjedhja e Rinasit”.