Hidrokarburet e puseve të naftës ndotin ujin e pijshëm në Delvinë

826
Sigal

ALARMI/ Akset problematike, shkarja e tokës dhe dëmtimi i shtratit të lumenjve mbledh shtabin e emergjencave në Sarandë

Paraditja e së premtes ka mbledhur në zyrën e n/prefektit (me kompetenca të zgjeruara) të Sarandë-Delvinës, Gjergji Mano, shtabin e emergjencave të n/prefekturës jugore të Shqipërisë. Qëllimi i këtij takimi ka qenë koordinimi i punës ndërinstitucionale për t’u përgatitur në parapritjen e shfaqjes së situatave emergjente, faktorizuar nga acarimi i kushteve klimaterike dhe moti i keq dhe i acartë i shfaqur ditët e fundit.

Shqetësimi

Në këtë takim përfaqësues të institucioneve dhe të pushtetit vendor kanë informuar edhe rrezikun që paraqet lumi i Kalasës dhe ai i Delvinës. Lumi i Kalasës ka dëmtime nga keqpërdorimi i inerteve në prishjen e shtratit të këtij lumi, duke përforcuar tendencat e tij për hyrje në shtratin e vjetër duke shkaktuar në këtë mënyrë përmbytje të sipërfaqeve të tokave bujqësore. Nga dalja e shtratit të lumit të Kalasës aktualisht është dëmtuar rruga automobilistike Tatzat-Kalasë duke ndërprerë komunikacionin e këtyre fshatrave me Sarandën. Rrezikshmëria shtohet në ditët në vijim edhe nga mungesa e fondeve për pastrimin e shtratit të lumit nga inertet e hedhura në të. Po të njëjtën situatë problematike ka edhe lumi i Delvinës nga prishja e kaskadës.

Alarmi

Fakti që ka dhënë alarmin ka qenë informacioni se nga analizat e fundit higjienike del se uji i pijshëm i qytetit të Delvinës del i pakonsumueshëm për qytetarët për shkak të shkallës së lartë të ndotjes që është përcaktuar nga analizat laboratorike të drejtorisë së higjienës, duke përcaktuar edhe shkakun e prejardhjes së kësaj ndotjeje nga shfrytëzimi pa kriter dhe jashtë kushteve tekniko-shkencore i puseve të naftës që ndodhen në periferi të qytetit. Hidrokarburet e lëna pothuaj në mëshirë të fatit, janë bërë shkak që uji i pijshëm i qytetit të mos jetë më me këtë etiketim për konsumatorët e Delvinës, duke u shtuar edhe riskun që tani e tutje duhet të blejnë edhe ujin e pijshëm. Nënprefekti Gjergji Mano ka urdhëruar marrjen e masave urgjente dhe vënin nën kontroll të kësaj situate të rrezikshme për jetën e qytetarëve. Ndërkohë liqenet në këtë rajon janë pa rrezikshmëri dhe hidrovoret në funksion të plotë.

Rrugët dhe shkarjet e tokës

Nga informacioni i servirur n/prefektit Mano paraqesin rrezikshmëri qytetare dy akset rrugore që lidhin Sarandën dhe Delvinën me pjesën tjetër të Shqipërisë dhe pikën e kalimit kufitar të Kakavijës: Qafa e Muzinës dhe ajo e Llogarasë, të cilat në orët e vona të pasdites dhe ato të mëngjesit janë të mbuluara nga ngricat. Për këtë nga firmat kontraktuese u kërkua mbajtja në gatishmëri e këtyre akseve rrugore duke pastruar akullin dhe mbuluar sipërfaqen e rrugës me skorie dhe përbërës stimulues në shkrirjen e akullit. Njëkohësisht vëmendje është kërkuar edhe ndaj fenomenit të shkarjes së tokës përgjatë rrugës nacionale Sarandë-Vlorë, sidomos në fshatin Borsh. Për parandalimin e këtij fenomeni të rrezikshëm për herë të parë është kërkuar nga n/prefekti Gjergji Mano krijimi i një komisioni me specialistë gjeologë për përballimin e kësaj situate.