Hetimi i pasurive të kryebashkiakut Qazim Sejdini dhe disa pyetje “lëndë e parë” në ndihmë të prokurorisë

947
Pas shumë akuzash konkrete, të publikuara në media dhe të denoncuara nga qytetarë e biznese të ndryshme, lidhur me abuzimet e bëra prej kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini gjatë ushtrimit të detyrës, me pasojë dhe bilanc vendosje pasurish të shumta, jo vetëm në Elbasan, por edhe në zona të tjera të preferuara të Shqipërisë (sipas deklaratës së pasurisë), më në fund, duket se kupola e “Rilindjes” ia ka hequr mburojën këtij pushtetari lokal, të akuzuar për shumë raste aferash korruptive e skandale të tjera, duke ia dorëzuar drejtësisë. Katër ditë më parë, prokuroria e Elbasanit, ka nisur një hetim pasuror me bazë të dhënat tatimore edhe për aktivitetet e biznesit për familjarët e kryebashkiakut Qazim Sejdini. Nisja e këtij hetimi për pasuritë e familjarëve të një kryebashkiaku, përfaqësuesi të fuqishëm të pushtetit aktual, tregon se drejtësia ka nisur të veprojë edhe mbi të paprekshmit e, nëse ky hetim ka synim zbardhjen reale të pasurive, bizneseve, llogarive bankare e pronave fizike të familjarëve të kryebashkiakut, ky hap është tregues i nisjes së pastrimit nga jeta publike e drejtuesve dhe të zgjedhurve që përdorin pushtetin për ta shtuar pasuritë personale e familjare nëpërmjet klientelizmit dhe abuzimit me tenderët, me qiratë, me shitje-blerjet, shërbimet, taksat publike, pagesat private me fondet e bashkisë. Burime nga prokuroria, thonë se shkak i përfshirjes së familjarëve të kryebashkiakut të Elbasanit, në listën e hetimit pasuror, janë pasuritë që disponon kjo familje e cila siç thonë në Elbasan, komandon gjithë qytetin, pasi ka mbështetje nga politikanë dhe shtetarë në kupolën e pushtetit! Nuk e dimë, se sa fakte abuzimi pasuror, do të zbulohen nga hetimi që ka nisur për familjen “Sejdini”, por mendojmë që në ndihmë të hetimit të pasurive të tyre, të depozitojmë disa pyetje konkrete, si kujtesë dhe “lëndë të parë” për prokurorinë! Ja pyetjet, që po bëjmë sot:

 Me çfarë aktivitetit është marrë firma “Miqësia”, roli i kryebashkiakut Qazim Sejdini, dhe përse është mbyllur? 
 Çfarë është bërë me dosjen hetimore të trafikut të drogës së kapur në Itali, kaluar nga Elbasani në Portin e Durrësit, transportuar me letra të Agjencisë Doganore “Ujori”, ku është aksionere edhe bashkëshortja e kryebashkiakut Qazim Sejdini? 
 A ka lidhje kryebashkiaku Qazim Sejdini, me një skandal trafiku të 500 mijë fishekëve, kapur në gusht 2003, në pikën doganore-kufitare, Kakavijë? 
 Ç’lidhje ka kryebashkiaku Qazim Sejdini, me tregun privat ku ndodhi incidenti me policinë e shtetit? 
 A ka bërë bashkia pagesa për mbledhje e këshillit bashkiak të Elbasanit, zhvilluar tek një objekt pronë private e kryebashkiakut Sejdini? 
 Cila është firma që fiton tenderët e majmë në bashkinë e Elbasanit dhe a ka lidhje me ndonjë zyrtar “VIP” të kësaj bashkie?
 Sa për qind është rritur vlera e 20 tenderëve me vlerë të lartë, investime për punët publike në bashkinë Elbasan?
 A ka privatizuar objekte publike, kryebashkiaku Qazim Sejdini apo familjarë të tij dhe me çfarë procedurash dhe vlere?
(Në vijim, këto pyetje dhe shumë të tjera, do të kenë përgjigje në “Telegraf”, me konkrete me fakte konkrete)
Sigal