4 milionë lekë për të dalë nga burgu i OSHEE

592
Korrupsioni në sistemin e drejtësisë vazhdon me ritme të llahtarshme, pavarsisht se çdo ditë politika, shoqeria civile, qytetarët dhe organizmat e huaja, flasin dhe thërrasin për “luftën ndaj fenomenit që po shkatërron të tashmen dhe të ardhmen, gjithçka njerëzore dhe ligjore në këtë vend”. Organet e drejtësisë edhe pse janë të akuzuara, të sulmuara dhe shigjetuara çdo ditë nga qytetarët hallexhinj, nga aktorët dhe faktorët e zhvillimeve shoqërore e sociale në Shqipëri, ato vazhdojnë të zhvatin para në këmbim të favoreve, në kurriz të ligjit. Edhe në Elbasan, ka vite që organet e drejtësisë janë vënë nën akuzë nga qytetarët e thjeshtë, nga ish-pronarët të cilëve u është grabitur prona nga vendimet e paligjshme, dhe deri tek ata që paguajnë milionat nën dorë, tek avokati e sekseri për të dalë nga burgu. Para disa ditësh një pronar lokali në urën e Shkumbinit në Elbasan, ka dalë i “pafajshëm” nga Gjykata e Elbasanit, pasi ishte arrestuar nën akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike nga policia. Arrestimi i tij është bërë dy javë më parë, gjatë kontrolleve nga OSHEE, ku u konstatua se ai kishte dy linja dhe vidhte energjinë. Pronari i lokalit ishte vënë nën akuzë, por ai e mohonte atë, ndërkohë që hetimet dhe gjykimi i tij janë mbyllur në kohë rekord, duke fituar lirinë, pasi ka paguar 4 milionë lekë (nga 5 milionë) që i është kërkuar nga sekseri dhe avokati. Personi ka dalë nga burgu dhe pas pagesës së 4 milionë lekëve, tashmë i duhet të përballet edhe me një gjobë të majme prej 10 milionë lekësh, e cila duhet shlyer brënda vitit 2015. Duke folur për “Telegraf” i sapoliruari nga burgu tha se “në biruca ka me dhjetra në mos me qindra që janë arrestuar për mospagesa të energjisë elektrike, dhe atje do të mbeten në rast se nuk paguajnë, ishte një tmerr i vërtetë, 4 milionët i mora borxh tek vëllai, pasi do të mbetesha atje dhe mund të isha dënuar deri 7 vjet”. 
Pazaret me familjarët
Pazaret me familjarët e këtij personi që disponon një lokal në periferinë e Elbasanit, i ka bërë avokati, i cili u ka deklaruar familjarëve se “duhen 5 milionë lekë që të dalë vëllai juaj, ndryshe mbeti në qeli”. Por pamundësia për të paguar aq sa kërkonte avokati, ka detyruar vëllanë e të arrestuarit të nxjerrë 4 milionë lekë nga shtëpia e tij dhe kjo mesele u mbyll me një vendim gjyqsor që e shpallte të arrestuarin për vjedhje energjie “të pafajshëm”. Tashmë arrestimi dhe lirimi i personave që akuzohen për “vjedhje energjie” është kthyer në biznes fitimprurës për avokatët dhe sekserët e tyre, që zhvasin milionat në emër të “pafajsisë” duke premtuar pazare me gjyqtarin e çështjes. Edhe pse përfaqësuesi organit të akuzës shpesh tregohet “kokëfortë” në sallën e gjyqit për të mbrojtur akuzën, duket qartë se kush ka paguar e ka vendimin të paracaktuar dhe del i pafajshëm. Por pafajsia e fituar me lekë, nuk nënkupton lehtësimin edhe nga barra e gjobitjes, pasi qysh ditën e parë që del nga burgu, duhet të nisësh shlyerjen e saj pjesë-pjesë ndaj OSHEE, ndryshe penalizohesh sërish.
Sigal