Nëse doni që Korça të votojë për ju, tregojuni njerëzve që keni hequr dorë nga ndarjet fetare

824
KORÇË- Kohët e fundit, nëpër rrugët dhe kafenetë e Korçës ka nisur të tregohet një anekdotë. Tashmë pothuajse e dinë të gjithë. Nuk ka mbetur askush pa e dëgjuar. Megjithatë, përsëri ka njerëz që e tregojnë me mjeshtëri dhe sërish plas e qeshura sikur e dëgjon për herë të parë. Ka nga ata që qeshin me lot, e nuk pushojnë dot së qeshuri. Dhe vetëm pasi kanë fshirë lotët, thonë: “Shumë e vërtetë! Po kush e ka thurur këtë rrëfenjzë? Ne nuk e dimë zanafillën e lindjes së kësaj anekdote. Ka nga ata që thonë se anekdota është e vjetër, por kishte vite që ishte harruar dhe askush nuk e tregonte, ashtu siç ka të tjerë që thonë se anekdota ka dalë kohët e fundit. Madje ka edhe nga ata që ngulin këmbë se anekdota paska lindur fill pas ardhjes së Niko Peleshit në krye të Bashkisë Korçë, ndërsa me ardhjen e Sotiraq Filos, elementet e rrëfenjzës u përmirësuan dhe tashmë mund të quhet një anekdotë e pëlqyer, që mban brenda vetes jo vetëm të vërtetën ironike, por edhe të papriturën që shkakton humorin e fortë. Rrëfenjza bën fjalë për ata njerëz që e kanë pasur të vështirë të mbijetojnë në qytetin e Korçës për shkak të dasive fetare, pasi kjo e fundit tashmë gjendet e instaluar edhe në institucionet e shtetit. 
Anekdota
Sigurisht, ne do t’jua e tregojmë anekdotën dhe ju do ta kuptoni domethënien e saj, por së pari na duhet të flasim pakës për kontekstin në të cilin është krijuar rrëfenjza, me qëllim që ajo të jetë edhe më e kuptueshme, por edhe bukurinë e humorit të mos e humbasë. Nëse diktatura do të ishte ende gjallë, nuk do të ishte çudi që për një rrëfim të tillë mund të përfundoje në kampin e Spaçit, por sot rrëfënjza të tilla tregohen edhe për presidentët më të mëdhenj të botës, ndërsa anekdota e Korçës duket se përpiqet të vërë në lojë dyshen e famshme Filo-Peleshi, sepse për shkak të kësaj dysheje jeta e shumë korçarëve u bë tepër e vështirë, pasi busulla orientuese e dyshes famoze është dasia fetare, të cilën, ata të dy, e instituticionalizuan edhe në institucionet e shtetit, madje pa pyetur fare nëse ky vend ka shtet, por ndoshta edhe shteti ka frikë nga kjo dyshe anekdotike. Ndaj, tashmë njerëzit e mençur kanë nisur të vënë në përdorim gjuhën e La Fontenit. Të qeshësh me të keqen është më bukur se të qash prej saj.
Dyshja Filo-Peleshi dhe Edi Rama, bëhen tre
Nuk ka asnjë dyshim që për shkak të dyshes Filo-Peleshi, jeta e shumë banorëve të Korçës u bë mjaft e vështirë. Ndodhte kështu për të gjithë ata që nuk i përkisnin besimit ortodoks. Pra, të gjithë ata që nuk besonin te profeti i Filo-Peleshit, do të mbeteshin përjetësisht të dënuar. Për ta dhe fëmijët e tyre nuk do të kishte punësim në Bashki, as në institucionet që vareshin prej saj, por mbi të gjitha as në institucionet që janë në varësi të qeverisjes qendrore. Vërtet në krye të vendit ka ardhur z Edi Rama, por Korça është në dorë të dyshes Filo-Peleshi. Vetë Rama po prezantohet më së miri duke treguar qartë që nuk është gjë tjetër veçse një kopje e shëmtuar dyshes së famshme. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që anekdota doli pikërisht në këtë kohë, sepse fillimisht ishin dy, ndërsa tani u bënë tre. Nuk është çudi që numri i tyre të bëhet edhe më i madh dhe jeta e shumë banorëve të Korçës edhe më e vështirë. Sigurisht, edhe tani ata janë më shumë se katër, madje shumë më shumë se kaq, sepse edhe drejtoritë më të rëndësishme të Korçës drejtohen nga të ngjashmit e Filo-Peleshit. Për këtë gjë flet edhe anekdota, e cila tregon se sa e vështirë është të jetosh e të punosh me njerëz të tillë si Filo-Peleshi-Rama.
Rrëfimi i anekdotës
Tashmë besojmë se kemi mbërritur në çastin e duhur të rrëfimit të anekdotës. Bëhet fjalë për disa njerëz të thjeshtë, që kishin punuar gjithë jetën në punë të vështira dhe tashmë kur po dilnin në pension kërkonin që t’u jepej një pension i veçantë në kompensim të të gjitha atyre që kishin hequr dhe vuajtur përgjatë gjithë jetës. Për këtë arsye, ata u paraqitën në zyrat e shtetit.
Hyn i pari dhe drejtuesi i institucionit e pyet:
– Pse mendoni që ju takon pension i veçantë, ku keni punuar më parë?
– Unë, zotëri, u përgjigj hallexhiu, gjithë jetën time kam punuar për tharjen e kënetave, gjithnjë mes ujit, baltës, malaries…
– Në rregull, iu përgjigj titullari, ju e meritoni pensionin e veçantë
Hyn i dyti
– Po ju ku keni punuar? – e pyetën
– Edhe unë ashtu si ai i pari, kam punuar në punëra të vështira, gjithë jetën në galeritë e minierave, ç’të të them…- Në rregull, edhe ju e meritoni pensionin e veçantë.
Hyn i treti
– Po ju përse kërkoni pension të veçantë?
– Po edhe unë, tha hallexhiu, ashtu si dy të parët, kam pasur punë të vështirë, punoja në uzinën e prodhimit te helmeve dhe…
Në rregull, në rregull, edhe ju do ta merrni pensionin e veçantë.
Hyn i katërti
– Po ju ku keni punuar? – e pyetën
Po lërë ç’më pyet fare, unë kam vuajtur më shumë se ata tre të parët që sapo e përfituan pensionin e veçantë
– Pse – e pyetën, – çfarë pune kini bërë ju?
Si pse? Po unë kam punuar me Korçarë!…
Kjo ishte anekdota që tregon më së miri se sa e vështirë është të jetosh në një qytet që drejtohet nga njerëz si Filo-Peleshi. Këtë tregon edhe anekdota që tashmë është bërë pjesë e humorit të ditës
Ndaj, që dyshja Filo-Peleshi dhe Rama të mos shndërrohen në personazhe anekdotike, u duhet të heqin dorë nga dasitë fetare e t’u tregojnë njerëzve që mes shqiptarëve nuk ka dallime, e të mos tregojnë përralla nëpër mitingje vetëm e vetëm për të rrëmbyer pushtetin, ashtu siç bënë një vit e gjysmë më parë.
Sigal