Sigal

Institucionet hetimore dhe policore evropiane kanë nisur verifikimin e një transferte bankare që ka mbërritur nga Azia në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri. Gjurmimi i shpërndarjes së dy kësteve nga 500 mijë euro, ritransferimi i 1.7 milionë eurove drejt bankave qipriote dhe fati i milionëve të tjerë pas këtij operacioni

Hetim 10 milionë eurove që kanë hyrë në një bankë shqiptare të nivelit të dytë nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik

Institucionet më të rëndësishme hetimore, të sigurisë dhe ato policore kanë nisur verifikimin e një transferte bankare në shifrën e 9 milionë e 760 mijë euro që ka mbërritur nga një ­­bankë aziatike, pjesë e ish-republikave sovjetike. Kjo transfertë, e cila është vendosur nën gjurmimin e organeve të specializuara të policisë evropiane dhe amerikane, fillimisht është depozituar në një bankë, e cila i përkiste një shteti pjesë e rajonit të Ballkanit. Ajo që shqetësoi ekspertët bankarë dhe ata të hetimit kishte të bënte me faktin që, këto para vijnë nga një shtet i njohur tashmë për lidhje të dyshimta me Shqipërinë, për trafiqet e drogës dhe si mbështetës i terrorizmit. Nga paratë e depozituara, sipas burimeve evropiane, por që mbahen anonim, fillimisht janë tërhequr dy këste nga 500 mijë euro dhe që dyshohet se janë dhënë si bakshish për mbulimin e gjurmëve dy shtetasve shqiptarë. Më pas janë transferuar edhe 1.5 milionë euro në një bankë të Qipros ,për llogari të një kompanie mjekësore, e cila ka pasur jo pak telashe në këto dy vitet e fundit. Pjesa tjetër e mbetur afërsisht 7.2 milionë euro është dërguar në një destinacion të çuditshëm, për të cilin organet e hetimit kanë dijeni dhe po e gjurmojnë për të parë edhe lidhjet dhe shkallën e implikimit në këto katër shtete ku është zhvilluar ky operacion. Sipas ekspertëve të hetimit evropian, shumë shpejt do të bëhen publike edhe emrat e të implikuarve dhe qeverisë shqiptare do t’i vihet në dispozicion raporti i plotë hetimor, megjithëse indirekt një orientim paraprak ka përfunduar në tavolinën e kreut të qeverisë, në fund të tetorit 2018.

KE: Në Shqipëri po pastrohen paratë e krimin e organizuar

Shqipëria është bazë e krimit të organizuar, pikë e rëndësishme e trafikut ndërkombëtar të drogës, vend ku pastrohen lehtë paratë dhe ku sundon korrupsioni i shfrenuar, thuhet në raportet e dy viteve të fundit të DASH. Sipas përcaktimeve ligjore, qeveria amerikane konsideron Vend Kryesor të Pastrimit të Parave një vend ku “institucionet financiare të të cilit janë të përfshira në transferta parash që përfshijnë sasi të ndjeshme të ardhurash, të cilat burojnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Mënyra më e mirë për të fshehur të ardhurat e paligjshme janë aktivitetet e shit-blerjes së pronave të paluajtshme, në veçanti në bregun e detit, projektet e zhvillimit (ndërtimi) dhe lojërat e fatit.” E, nëse bixhozi u mbyll në këtë fillimviti, droga, krimi, qarkullimi i parave nga bankat dhe kompanitë offshore vazhdojnë që të jenë burim i fuqishëm i pastrimit të parave, terrorizmit dhe krimit të organizuar. Shqipëria ka zhvilluar analiza risku që shfaqin organizatat jofitimprurëse për financimin e terrorizimit në nivel kombëtar, por numri dhe vlera e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nuk duket të jetë proporcionale me nivelin e kriminalitetit në vend.

Komisioni Evropian, shuplakë Shqipërisë

MONEYVAL, mekanizimi i Këshillit të Evropës kundër pastrimit të parave, i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të shtojnë përpjekjet e tyre në ndjekjen e pastruesve të parave dhe konfiskimin e aseteve të tyre, të lidhura me aktivitete që gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme dhe në trajtimin e rreziqeve terroriste financimit të lidhura me to. Në një raport që është shumë negativ për Shqipërinë vihet në dukje, lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave, ndërkohë që u tërhiqet vëmendja autoriteteve, që ata nuk po marrin masat e duhura për të luftuar këtë fenomen. Kjo situatë ka bërë që Komisioni Evropian të zgjerojë mekanizimin e saj mbikëqyrës për fenomenin e pastrimit të parave në Shqipëri. Sipas konkluzioneve të raportit, “korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe seriozisht dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Ai shton, se dhe hetimet e Drejtorisë së Përgjithshme, për Parandalimin rrallë rezultojnë në aktakuza dhe procedurat e pastrimit të parave të lidhura me vepra të rëndësishme, shpesh janë pezulluar nga prokuroria.

Departamenti Amerikan i Shtetit: Shqipëria për të dytin vit radhazi shpallet vend kryesor i pastrimit të parave

Departamenti i Shtetit e ka futur zyrtarisht Shqipërinë në listën e Vendeve Kryesore të Pastrimit të Parave në botë për të dytin vit radhazi. Ky vendim është bërë i njohur në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Kontrollin e Narkotikëve për vitin 2018. Raporti i këtij viti, i cili mbulon si periudhë vitin 2017, është gati njësoj me raportin e publikuar nga DASH vitin e kaluar dhe tashmë pritet raporti për vitin 2019 që do të analizojë veprimtarinë e organeve ligjzbatuese dhe shkallën e pastrimit të parave të drogës, dhe të krimit të organizuar nëpërmjet veprimtarive ekonomike dhe financiare, ku bankat kanë një rol shumë determinant në parandalimin dhe bllokimin e parave të pista dhe, sidomos atyre të lidhura me terrorizmin. Në raportin e 2018-s shkruhet se arsyeja kryesore për futjen e Shqipërisë në vend kryesor të pastrimit të parave janë “sasitë e mëdha kesh dhe informaliteti i lartë i ekonomisë”. Ndër krimet më fitimprurëse në Shqipëri listohen “trafikimi i drogës, evazioni fiskal, trafikimi i qenieve njerëzore. Shqipëria ka një treg të zi domethënës për trafikimin e të mirave, dhe trafikimi lehtësohet edhe nga kontrolli i dobët në kufi dhe nga punonjësit e doganave”. “Mënyrat më e mirë për të fshehur të ardhurat e paligjshme janë aktivitetet e shit-blerjes së pronave të paluajtshme, në veçanti në bregun e detit, projektet e zhvillimit (ndërtimi) dhe lojërat e fatit. Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të mëdha marijuane, së pari për përdorim në tregun evropian; ajo shërben si vend tranzit për heroinën dhe kokainën afgane, duke shërbyer si një rrugëdalje kyçe për shpërndarjen e heroinës në të gjithë Evropën”.

Kompanitë offshore shqetësojnë KE: Mund të shërbejnë për pastrimin e parave

Prezenca e kompanive offshore në Shqipëri shihet me shqetësim nga institucionet ndërkombëtare. Raporti i fundit i KE-së, që bën vlerësimin e Shqipërisë për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit vë një theks të veçantë për risqet që paraqet prezenca e kompanive që nuk kanë pronësi të qartë, të ashtuquajtura “beneficiary onwnership”, pra ku përfituesit realë nga këto sipërmarrje nuk dihen. Raporti thekson se ato mund të keqpërdoren për pastrim parash dhe bën thirrje që të ketë kushte më të forta dhe më shumë informacion për to. “Janë identifikuar mangësi teknike në lidhje me saktësinë dhe përshtatshmërinë e të dhënave në lidhje me kompanitë offshore si dhe kontrollin e informacionit të personave juridikë si dhe mungesa e masave për të garantuar që bartësit e aksioneve nuk keqpërdoren për pastrim parash, dhe financim të terrorizimit. Viteve të fundit kompanitë offshore kanë rritur prezencën e tyre ne Shqipëri duke përfituar kontrata të rëndësishme koncesionare si në shfrytëzimin e burimeve të natyrës ashtu edhe në shërbime dhe kontrata pune. Rasti më i fundit dhe më flagrant ishte ai i kompanisë offshore “DH Albania”, e cila fitoi dy tenderë me vlerë totale 30 milionë euro për ndërtimin e një pjese të Unazës së Re dhe një linje të brendshme të interkonjeksionit të energjisë, ku mediat zbuluan se kompania kishte dokumente të falsifikuara, çka çoi në anulimin e tenderit.