HELMËS SA TË KISH LEZET…

838
Enver CAKAJ
Sipas dokumenteve të kohës, ky fshat i vogël është vendosur në këto lartësi që nga viti 1600. Ata kanë ardhur nga Molla e Kuqe, një vendbanim në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, që tani quhet “Varret e Shkjaut” për shkak të shumë vrasjeve që kanë ndodhur atje. Atje kanë pasur konflikte serbët me shqiptarët dhe këta të fundit janë larguar sa më thellë, që të mos diktoheshin nga serbët me të cilët ishin në hasmëri. Fillimisht janë vendosur në Grëmsh të Tomoricës dhe pastaj janë shpërndarë në të gjithë fshatrat e rrethit. Vendbanime me emrin Mollë e Kuqe ka edhe në Tropojë, në Selanik të Greqisë dhe në Arrva të Turqisë, por nuk dihet lidhja mes tyre. Erdhën nga erdhën helmësllinjtë, ishin dhe mbetën shqiptarë besnikë të këtij vendi.
Ishte i vetmi fshat që hyri në provim vetëm për të fituar. Fshat i papërfillur në hartë, por madhështor në vepra. Të parën kishte besën e burrit, që ishte binjake me trimërinë. Besnikëria e tyre shkoi deri lart në udhëheqjen e ushtrisë partizane. Piketat i kishte hedhur Komandanti i përgjithshëm në mes të Luftës. Fati i pushtuesve po rrokullisej dhe duheshin hedhur themelet e shtetit të ri. Kush do ta bënte këtë veç atyre që bënë Luftën? Në atë Helmës të vogël do të zhvilloheshin tri ngjarje të rëndësishme, që ta bënin këtë fshat historik. Atje tutje, në Panarit të Korçës do të vendosej kjo histori. Helmësllinjtë ishin nëpër male duke luftuar. Vetëm gratë kishin mbetur, por dhe ato ishin si burrat, dinin t’i dilnin zot vendit. Edhe ato kishin frontin e tyre. Nevruz Bilimani ishte vendosur në çetën e Riza Kodhelit, që më pas u kthye në batalion. Por një ditë, pas një beteje me gjermanët e ballistët, në rrethinat e Voskopojës e heq mënjanë komandanti më i afërt, Ahmet Bala nga Staravecka dhe i thotë, se e kërkonte komandanti i çetës, Riza Kodheli. Ai i dha një urdhër të pakuptimtë: “Duhet të kthehesh pranë familjes, po në fillim do të hidhesh në Panarit se të Kërkon Shtabi i Përgjithshëm! Për një çast mbeti si i hutuar, po edhe pse kërkoi të dinte më shumë, nuk mori shpjegime. Çfarë kishte ndodhur në familje, që të kthehej? Zaten luftë ishte dhe çdo gjë mund të ndodhte. Iku fillikat i mbërthyer nga ankthi. Terë rrugës vriste mendjen se mos kishte shkelur ndonjë rregull të Luftës. Më shumë i uritur se i lodhur, u paraqit tek ajo ndërtesë dykatëshe, ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë.
Rojet e ndaluan, po ai u tha parullën dhe një partizan e shoqëroi deri te Shtabi. Në atë sallë të madhe mundi të njihte vetëm Medar Shtyllën. Ai e diktoi shqetësimin e tij dhe i bëri shenjë që të qetësohej. Në atë qetësi që ra vetvetiu, u ngrit e foli një partizan i shkurtër, i cili ia kishte drejtuar sytë Nevruz Bilimanit. Ai foli me pikatore: “Që sot e tutje do të ndahesh nga batalioni i Riza Kodhelit dhe ngarkohesh me një detyrë shumë të rëndësishme.” Se çfarë ishte kjo detyrë nuk i thanë asnjë fjalë. Xha Nevruzi nuk e kuptoi dhe sikur nuk e priti mirë, por më në fund i erdhi mirë, se afrohej pranë familjes, që kishte nevojë për të. Nuk e dinte ai se do të ishte pranë miqve me vlerë. Se përse nuk mori vesh gjë, përveç lajmit se disa partizanëve që do të vinin në Helmës pas dy-tri ditëve. Kjo s’përbënte ndonjë problem, se në Helmës vinin e iknin andej çdo ditë partizanë. Në shtëpi bisedoi me vëllanë dhe kunatën, por cili ishte ky shërbim i rëndësishëm kur ata po rrinin në shtëpi? Prisnin të zotët e shtëpisë të shqetësuar gjithsesi. Përse do të vinin ata tre partizanë me porosi, kur ajo derë nuk ishte mbyllur e nuk u mbyll kurrë?
Na tregonte i ndjeri Nevruz: “Pasi pimë nja dy kupa raki shtruam bukën. U shtruam dhe jatakët për të fjetur. Mirëpo atij djalit të gjatë nga Gjirokastra i mbetën këmbët përjashta. Mora një shilte dhe ia hodha te këmbët, po ku mbulohej mali. E, ore djalë, i thashë, nuk kam pritur e përcjellë një mik kaq të gjatë ndonjëherë. Ata shikuan njëri-jatrin dhe qeshën. Para se të përshëndeteshim m’u lutën, që llambën e vajgurit të mos e shuaja. Ku ta dija unë se ata djem nuk kishin ardhur për të fjetur, po për të drejtuar Luftën. Kur hedh sytë nga dhoma e tyre, llampa vazhdonte të ishte e ndezur. Vajta shikova te vrima e çelësit, ata nuk flinin, po ishin përmbysur mbi harta e shkruanin. Aty e kuptova, se ata nuk ishin tre partizanë, siç më thanë në Panarit. Shumë vonë e mora vesh, se ai djali i gjatë ishte Enver Hoxha. Atëherë fillova të sillem më me tabijat, po Enveri ishte më i thjeshtë se ne. Na merrte ne dhe dilnim bënim qitje nga Shkëmbi i Meses. Pastaj na mblidhte të tërë dhe fjaloseshim si miq. Pranë shtëpisë time kalonte një vijë ujë. Enveri e shikonte e më thoshte: “E shikon këtë ujë, o xha Nevruzi? Të gjitha ujërat do t’i kthejmë në dritë.” Jalla, jalla, thosha me vete, si u bëka uji dritë? Kishte parë botë i biri i botës. Si duket, për të më bindur mua, ai vuri një motor të vogël te vija dhe u ndez një llambë! Dhe tani, atje, në Helmës Kujtim Lamja me të tjerë po ndërtojnë tre hidrocentrale me ato ujërat që vijnë pa pushim nga zemra e Çukës së Frëngut.
Nga Helmësi ishin drejtuar sytë e të gjithë vendit. Andej pritej të vinte liria e shumëpritur. Atje u mblodh Plenumi i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, që vendosi thirrjen e Kongresit të Përmetit, atje u mblodh Kongresi i Rinisë Antifashiste, atje ishte koka e Partisë dhe Luftës. Por ishin dhe një palë sy të tjerë, që synonin eliminimin e atij Shtabi, që grumbullonte njerëz dhe i hidhte kundër tyre. Të parët ishin ballistët, që vetëquheshin shqiptarë. Në Vlorë ishin kapur robër dy veta, njëri ishte gjerman e tjetri çek, që pretendonte se ishte përkthyes i tij. Si rregull ata do të dërgoheshin pranë Shtabit të Përgjithshëm për t’u saktësuar çfarë qëllime kishin. Ishin ato ditë kur po përgatitej mbajtja e Kongresit të Rinisë. Tre partizanë i sollën ata në Helmës. Të dy i vendosën në shtëpinë e Mehmet Bilimanit. Nuk u vunë hekura, por mbaheshin nën kontroll. Nevruzit nuk i pëlqente kjo dhe i thotë Enver Hoxhës: “Si shumë po ua zgjasni këtyre derrave, pse nuk i vini në plumb. Mirëpo Enveri i peshonte mirë punët. Ai qeshi duke më thënë, se do t’u vijë radha dhe atyre.” Dhe e vërteta e tyre doli duke u zbërthyer çeku. Ai tregoi, se ushtari gjerman donte të futej nëpër shtabet partizane për të marrë informata të rëndësishme. I pari që u pushkatua ishte çeku. E ka varrin ende te Molla e Cafajt. Gjermani nuk dha asnjë fakt për sa akuzohej. Por mjaftonte ky fakt për ta prangosur. Godina burgu nuk kishte, po e shpunë në katuan e Mehmetit dhe i vunë një roje te dera. Gjermanit po i punonte mendja për të shpëtuar nga ai burg dhe i thotë rojës, Qazim Malës nga Vlora, që ta zgjidhte se kishte nevoja personale. E zgjidhi Qazimi dhe e shoqëroi për në tualet. Si mbaroi punë iu lut Qazimit që ta ndihmonte që të pinte ujë. Gjermani mori enën me ujë dhe e godet Qazimin në kokë, por ai nuk bie dhe ndeshen të dy trup me trup, por Qazimi bie. Gjermani vuri re se atje ishte varur një automatik i mbushur me fishekë dhe e merr e drejtohet për nga dhomat ku ishte shtabi. Mirëpo dhomat ishin mbyllur dhe Qazimi e ndjek, i shkon befasisht, i rrëmben armën dhe e qëllon gjermanin për vdekje. Enveri i thirri rojet dhe i përshëndeti për detyrën që kishin kryer. Helmësi mbante mbi supe një peshë të rëndë, por banorët e saj ishin më vigjilentë se rojet e shtabit. Ata e mbajtën dhe e ruajtën kokën e Luftës. Nuk kursyen asgjë për të. Nuriu, vëllai i Nevruzit ishte qejfli perimesh dhe mbolli perime edhe për shtabin. Ndonjëherë të krijohej bindja, se Enveri nuk merrej me punë. Të shumtën e ditës e kalonte me fshatarët aty ku punonin. Ai korrte grurë me ta, shinte grurin në lëmë, lidhte një shami në kokë e hidhte grurin në erë për ta pastruar nga halat. Por më shumë pasion kishte pemëtarinë. Ai shartonte vetë pemët e egra dhe të gjitha u zunë. Edhe sot ato janë në prodhim të mbarë. Por Enveri me shokët e shtabit punonin natën. Një ditë ai vuri re godinën e teqesë së Backës. E kishte parë me dylbi dhe i kishte pëlqyer arkitektura dhe kishte pyetur, se kush e kishte bërë. Kur i treguan, se ai ishte baba Fetau nga Gjirokastra kishte zbritur për ta vizituar teqenë dhe kishte hedhur dy napolona flori. Baba Fetau i kishte thënë,s e ishin shumë ato që hodhi, se jemi në luftë, po Enveri i ishte përgjigjur: “Edhe këtu shumë njerëz vinë, që i pret e përcjell ti me shpenzime.” Në vitin 1944 në zonën Helmës-Staraveckë zbriti një avion anglez me katër veta, të cilët sollën ndihma. U lajmëruan banorët të dilnin e t’i merrnin për t’i shpënë në destinacion, por pesë prej tyre,i morën ndihmat në shtëpitë e tyre. Sipas ligjeve partizane ata u dënuan me pushkatim. E merr vesh kryetari i Këshillit Krahinor të zonës, Jake Backa dhe shkon e i thotë Enver Hoxhës: “Jep urdhër të anulojnë vendimin e pushkatimit, se nuk pushkatohen pesë veta, po një fshat i tërë.” Dhe ai vendim nuk u zbatua. Për ata na tregonte Metulla Bilimani: “Anglezëve u shpinte qumësht Zenepja me të birin, Muharremin. Një ditë, kur po kalonte Muharremi tek çezma, takon Enver Hoxhën që po lante sytë. Ai i thotë Muharremit: “Dëgjo more djalë, i thuaj Anesë, që t’ua hollojë qumështin me ujë anglezëve dhe shituani, se kanë lekë ata derra.” I gjithë Helmësi ishte në luftë. Izet Meçani, Ilmi Myslimi, Rrapi Xhelaku, Hysen Malko, Nevruz Bilimani, Zylfi Myslimi, Qani e Rushan Bilimani, Hysen Hasani, Brahim Bilimani, me pushkë apo pa pushkë ishin në ballë të Luftës. Po ato gra që i shërbenin Shtabit të Përgjithshëm dhe Luftës çfarë ishin? Zenepe Bilimani, Metulla Bilimani, Nurihanë Bilimani, Xhire Bilimani, Fatime Xhelaku, Reko Xhelaku, Sejde Xhelaku, Hatixhe Xhelaku, fëmijë e pleq, ishin në luftë. Ky fshat me dhjetë shtëpi u bë shembull i trimërisë dhe besnikërisë. Nënë Metullasë i thërrisnin gjithmonë: “Nëna e Kongreseve”, sepse kishte marrë pjesë në disa të tillë. Jo se ishte bijë e Bilimanëve, por se ishte e zonja e punës. Për Helmësin dhe helmësllinjtë janë ngritur disa këngë, sepse kanë marrë shkas nga qëndrimi atje i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, po ne po përmendim vetëm një:

Helmës sa të kish lezet,
Kur prite në shtëpi djemtë.
Helmës,ç’fat që pate ti,
Mbajte Enverin në gji!
Kur shkrinte bora e malit,
“Mirë se erdhe”, i the djalit,
Helmës, o fshat historik,
Lum si ti për atë vit!
E fortë besa, i lartë nderi,
Se aty punoi Enveri. 
Sigal