Gripi i shpendëve, MB mbledh industrialistët e rritjes së pulave: Merrni masa urgjente për parandalimin e virusit

513
Sigal

Zv.Ministri
Roni Telegrafi: Jemi vend i rrezikuar, merrni masa urgjente për parandalimin e
virusit dhe aq më tepër, për përhapjen e tij, nëse prekemi

Drejtori i Shërbimit Veterinar, Edi Fero: Shumëfishoni
vigjilencën dhe garantoni biosigurinë. Në çdo rast, konsumatori s’duhet të cënohet

Fero: Si masë të parë, ne bllokuam importin e shpendëve,
të gjallë apo therur, nga të gjitha vendet e prekura

Rreziku nga mbërritja e virusit të Gripit të Shpendëve në vendin tonë dhe
masat paraprake që duhen ndërmarrë, ka detyruar sot Zëvendësministrin e Bujqësisë,
Z.Roni Telegrafi dhe Drejtuesit e Shërbimit Veterinar dhe Sigurisë Ushqimore, që
të mbledhin përfaqësuesit e stabilimenteve të rritjes së shpendëve. Takimi u
zhvillua në ambiantet e Ministrisë së Bujqësisë, ku Zëvendësministri Telegrafi bëri
nje rezyme të shkurtër së situatës së përhapjes së këtij virusi në Evropë dhe që
nuk është shumë larg vendit tonë. “Të gjithë e dimë, ne dhe ju, që jemi të rrezikuar.
Interesi është maksimal, i joni dhe juaj, për të marrë masa, me qëllim që, nëse
ky virus vjen edhe në vendin tonë, dëmet të jenë sa më të pakta në industrinë
tuaj, por që njerëzit të mos preken në asnjë mënyrë”, tha Telegrafi.

Nga ana e tyre, Flamur Laze, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Bujqësore
dhe Edi Fero, Drejtori i Drejtorisë së Shërbimit Veterinar theksuan se, rreziku
është serioz, për shkak të përhapjes së këtij vitusi nga shpendët shtegtar. “Për
shkak të stinës, jemi vend potencial i ardhjes së virusit nga vendet e prekura,
sepse siç e dimë, kjo është periudhë e migrimit të shpendëve të egër drejt
lagunave tona”, iu tha Fero Shoqatës së Pularive, sipas të cilit, “ju të gjithë
e dini se sa shumë dëme shkakton ky virus”.

“Ajo çfarë është pozitive, është fakti që, ky virus nuk është i panjohur
për ju, por është hera e dytë që vjen, ndryshe nga sëmundja e gjedhit (LSD) e
cila u shfaq për herë të parë. Pra, ju të gjithë i dini masat që duhet të
merrni, por në këtë situatë, duhet të dhjetëfishoni gatishmërinë e punën tuaj për
parandalimin e saj dhe të përhapjes, pasi e godet fort sektorin tuaj. Kjo na
godet edhe ne si ministri, por konsumatori shqiptar, me punën e të gjithë ne,
nuk duhet të preket në asnjë mënyrë. Ndaj duhen shumëfishuar, në mënyrë
urgjente, masat për biosigurinë”, theksoi Fero. Më pas, ai iu kërkoi
indutrialistëve të shpendëve, që çdo drejtues teknik i kompanive të tyre duhet
të jetë në gatishmëri dhe çdo makinë transporti, duhet të jenë të gjëndje të
mirë, të kontrollohet kur hyn e del dhe të gjitha rregullat e transportit duhet
të zbatojnë rregullat.

Nga ana e tyre, sipërmarrësit, duke garantuar angazhimin maksimal, kërkuan
që në këtë situatë të monitorohen edhe shpendët e gjalla që vijnë nga importi,
me qëllim parandalimin e ardhjes së virusit. Ndërsa Drejtori i Shërbimit
Veterinar, Z.Fero theksoi se, si masë paraprake, siç dhe e kemi detyrim nga
OIE, në bazë dhe të ligjit, ne kemi bllokuar importin e shpendëve të gjallë apo
të therur, nga të gjitha vendet, të BE apo jashtë BE, ku është raportuar prania
e virusit të gripit të shpendëve.