Greqia rihap aeroportët rajonalë. Pasagjerët do testohen dhe do plotësojnë formularë 48 orë përpara

332
Sigal

Greqia rihapi aeroportet rajonalë ndaj fluturimeve ndërkombëtare ditën e Mërkurë, duke shpresuar për një rimëkëmbje të turizmit pas 3 muajve të karantinës së koronavirusit. Vendi në Mesdhe,  që sapo ka dalë nga kriza 1 dekadë  e gjatë e borxhit,  është përpjekur të heqë barrierat e udhëtimeve për të nxitur sektorin e turizmit, që përbën 20% të ekonomisë dhe punëson mbi 700,000 punëtorë. Dhjetëra fluturime priteshin në ditën e parë të hapjes drejt 14 aeroporteve rajonalë të Greqisë,  që lidhen me disa prej resorteve më të famshme të vendit.

Të gjithë udhëtuesit duhet të plotësojnë një formular të gjurmimit të pasagjerëve (https://travel.gov.gr) të paktën 48 orë përpara se të hyjnë drejt vendit.  Pasagjerët do të jenë gjithashtu subjekt i testeve rutinë në mbërritje.  Dy aeroportet kryesorë të Greqisë u hapën muajin e kaluar, por më shumë fluturime janë lejuar nga data 1 Korrik,  përfshirë vende jashtë Bashkimit Europian.

Bashkimi Europian dha miratim ditën e Martë për udhëtime të punës dhe pushimit ndaj 14 vendeve jashtë kufijve të unionit.  Nga lista fillestare e etiketuar si e “sigurtë”, janë përjashtuar Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, që janë tregje të rëndësishëm të turizmit, kryesisht për Greqinë.  Vendi ka përmbajtur infeksionet e koronavirusit në 3,409 që prej rastit të parë në muajin Shkurt, por ekonomia pritet të tkurret me të paktën 8% këtë vit.

Qeveria konservatore përballet me një detyrë të vështirë të hapjes së Greqisë ndaj vizitorëve të huaj dhe njëkohësisht, parandalimin e përhapjes së virusit. Vendi raportoi 20 raste të reja 24 orë më parë,  ku 9 prej tyre mbërritën me avion. “Është rrezik i llogaritur. Ne nuk nxitohemi me vendimet tona”- tha Ministri i Turizmit Harry Theocharis.  Greqia po ndjek direktivat e BE për vendet që lejohen. Fluturimet direkte nga Britania, Suedia dhe Turqia nuk do të lejohen deri më 15 Korrik.