”Pusho shqip”, Kosova: Kaloni verën në bregdetin shqiptar

339
Sigal

”Pusho shqip” është slogani i këtij sezoni turistik aspak të zakontë. Për të zyrtarizuar hapjen e sezonit turistik veror në Shqipëri sot në Shëngjin, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi u takua me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës, Vesel Krasniqi.

”I ftoj nga këtu të gjithë qytetarët e republikës së Kosovës që vërtet pushimet e tyre t’i kryejnë në në plazhet, në vendet turistike të Shqipërisë, në bregdetin shqiptar sepse këtu veç pushimit, mund të gjeni dhe ngrohtësinë shpirtërore, këtu ne ndihemi si në shtëpinë tonë dhe jemi si në shtëpinë tonë”.

Në takimin e bërë disa javë më parë në Prishtinë ministrat u dakordësuan për hapjen sot të sezonit turistik veror në Shqipëri dhe në fund të tetorit për të hapur sezonin turistik dimëror në Kosovë. Ata ranë dakord dhe për të krijuar një platformë të përbashkët me të gjitha destinacionet turistike, historike, kulturore të përbashkët mes dy vendeve, e cila do t’u shërbente turistëve të huaj nga rajoni, Evropa e më gjerë.

Në këtë takim të sotëm ishin edhe operatorë turistikë, të cilët u shprehën se për t’i ardhur në ndihmë nismës ‘pusho shqip’ kanë bërë edhe ulje në paketat e tyre turistike. Në Lezhë vazhduan edhe sot prishjet e ndërtimeve pa leje. Ndërtesa e radhës u shemb në Kunë të Shëngjinit. Pavarësisht se sezoni turistik ka nisur prej muajit qershor Bashkia dhe IKMT kanë shembur më shumë se 50 ndërtesa në vijën bregdetare.