Gradohen 6 Gjeneralët e rinj, Peleshi: Po rrisim dinjitetin e FA

582
Sigal

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneralmajor Prof. Asoc. Bajram Begaj, i pranishëm gjatë dhënies së dekoratave.

Pas dekretimit nga presidenti i Republikës, në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua ceremonia e gradimit për dhënien e gradës për kundëradmiral Adnand Agastra, gjeneral brigade Editson Zarka, gjeneral brigade Petrit Çuni, gjeneral brigade Ferdinand Dimo, gjeneral brigade Ilir Pujo dhe gjeneral brigade Ylli Pulaj.

Të pranishëm në ceremoni ishin ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Prof. Asoc. Bajram Begaj, zëvendësministrja e Mbrojtjes Dallënddyshe Bici dhe familjarë të gjeneralëve.

Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, ministri Peleshi u shpreh i gëzuar për përmbylljen e procesit të gradimit me një shpejtësi relativisht të mirë krahasuar dhe me eksperiencat e të kaluarës. Ministri e konsideroi këtë një proces motivimi për efektivët e FA, nga ushtari i parë deri te gradat më të larta.

“Nuk është i vetmi proces, i njëjti zhvillim. Ne po përpiqemi të rrisim dinjitetin e FA, i cili është nga më të lartit krahas gjithë institucioneve dhe strukturave të tjera në shtetin shqiptar, i vlerësuar nga publiku si i tillë, por padyshim që ka nevojë për shpërblim më të mirë, ka nevojë për kushte më të mira, ka nevojë për shpërblime me të drejta, për kompensime më të mira qoftë për ushtarakët tanë, qoftë për familjarët e tyre.”, – u shpreh ministri i Mbrojtjes.

Të gjashtë gjeneralët shquhen për nivel të lartë të profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë kudo ku ata kanë shërbyer gjatë karrierës së tyre në Forcat e Armatosura. Kundëradmiral Adnand Agastra aktualisht shërben si shef i Degës së Operacioneve dhe Stërvitjes, në Forcën Detare. Gjeneral brigade Editson Zarka shërben si drejtor i Inspektimit të Përgjithshëm, në Ministrinë e Mbrojtjes, gjeneral brigade Petrit Çuni shërben si përfaqësues ushtarak kombëtar në Përfaqësinë Ushtarake Jashtë Vendit, gjeneral brigade Ferdinant Dimo shërben si komandant në Qendrën e Arsimimit Profesional të Ushtarit në Akademinë e Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Ilir Pujo aktualisht mban detyrën drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes dhe gjeneral brigade Ylli Pulaj shërben si zëvendëskomandant i Forcës Ajrore.