Gracka e votës po mban peng statusin e ushtarakut

512
Sigal

Letër e hapur /  “Lidhja  Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë të Shqipërisë” shprehet e indinjuar nga heshtja e qeverisë dhe gënjeshtrat e Zyrës së Bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam..” Në prag-zgjedhjet elektorale të vitit 2013 dhe në ato të qershorit 2017, premtimi për të zbatuar Statusin e Ushtarakëve n’a erdhi nga politikani Edi Rama në këmbim të votës. Pas shtatë vitesh në pushtet është koha të zgjohemi nga erresira. Ja letra e plotë dhe përgjigja për pensionet

 

“Gracka ” për moszbatimin e statusit të ushtarakut.  Koha të  zgjohemi, mjaft na gënjyen..!

 Në  prag-zgjedhjet elektorale të vitit 2013 dhe në  ato të qershorit  2017, premtimi për të zbatuar Statusin e Ushtarakëve na erdhi nga politikani Edi Rama dhe jo prej Zyrës së Bashkëqeverisjes, e cila  ishte inekzistuese në kohën kur  “kryeministri hije”.

Të nderuar  kolegë ushtarakë,

Komiteti Drejtues i Shoqatës  “Lidhja  Kombëtare  e  Ushtarakëve  Atdhetarë  të  Shqipërisë”  ju ve në dijeni, se më datën 22.11.2018 u ka dërguar memorien  – Letër Publike: 1. Presidentit të Republikës;  2. Kryetarit të Kuvendit Popullor;  3. Kryeministrit të Republikës, z. Edi Rama,  lidhur me shkeljen e të drejtave social -ekonomike të ushtarakëve dhe moszbatimin e statusit të tyre ligjor për 28 vite rresht. Ndonëse kanë kaluar 18 muaj kohë, asnjëri nga tre drejtuesit kryesorë  të Shtetit ekzistues politik, në mënyrë antikushtetuese, nuk ka guxuar të na ka kthejë përgjigje zyrtare, por është prononcuar me një përgjigje krejt hermetike dhe evazive  Zyra e Bashkëqeverisjes, e cila nuk jep asnjë zgjidhje të problemit, por thjesht përpiqet të krijojë përshtypjen se dikush është duke “u marrë” me këtë  problem ende të pazgjidhur  29 vjeçar. Duke dëshiruar zgjimin e indiferentëve dhe ndërgjegjësimin e  ish ushtarakëve atdhetarë, për të reaguar më me vendosmëri se deri më tani, Komiteti Drejtues i Shoqatës  “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve  Atdhetarë  të Shqipërisë” ka menduar t’a publikojë të plotë kthimin e përgjigjes nga ana e Zyrës së Bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Mendojmë se ky fakt tregon pabesinë dhe vendosmërinë e dyadës keq-qeverisëse PS-PD  për të argumentuar me ligje inekzistuese vazhdimin e kalvarit antihuman të gënjeshtrave, manipulimeve e mashtrimeve të institucionit jollogaridhënës të kryeministrit të përkohshëm me prirje të qarta për moszatimin e statusit organik të ushtarakëve. Përse na nxjerr përpara këto “paçavure”  Zyra e Bashkëqeverisjes të z. Edi Rama? I cili na ka premtuar  “solemisht” se do të zbatonte Statusin e Ushtarakëve, si në zgjedhjet elektorale të vitit 2013, ashtu edhe në ato të qershorit 2017?  E dije që po na  gënjeje, sa për të marrë votat e mijëra ushtarakëve, madje po përpiqesh të na gënjesh përsëri? A duhet t’i besojmë përsëri këto gënjeshtra të institucioneve dhe të qeverisë që ai drejton? A duhet të durojmë ironinë dhe talljet e Tij për kërkesat Tona legjitime, të bazuara në statusin e ushtarakut ?

Sqarim paraprak…

Duke dëshiruar zgjimin e indiferentëve dhe ndërgjegjësimin e tyre, duke reaguar më me vendosmëri se deri më tani, Komiteti Drejtues i Shoqatës  “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë të Shqipërisë”,  ka menduar të botojë të plotë kthimin e përgjigjes së ardhur nga ana e Zyrës së Bashkëqeverisjes. Mendojmë se kjo “përgjigje” evazive bazohet te metoda e strategemave antiligjore; te përdorimi i argumentave de jure inekzistuese dhe tautologjia boshe; të cilat mëtojnë pabesinë dhe vazhdimin e kalvarit të mashtrimeve dhe gënjeshtrave të institucioneve të kryeministrit; që antiligjërisht  refuzon të zbatohet statusi i ushtarakut.  Shoqata jonë ndihet e “habitur” nga përmbajtja “paçavure” e përgjigjes tejet mashtruese, me brendi  keqiformuese dhe antiligjore, e ardhur nga Zyra e Bashkëqeverisjes të z. Edi Rama; sepse: në prag-zgjedhjet elektorale të vitit 2013 dhe në ato të qershorit 2017, premtimi për të zbatuar Statusin e Ushtarakëve na erdhi nga politikani Edi Rama dhe jo prej Zyrës së Bashkëqeverisjes, e cila  ishte inekzistuese në kohën kur  “kryeministri hije”  Edi Rama po na gënjente, për të marrë votat e mijëra ushtarakëve, kurse aktualisht, duke përdorur Zyrën e gjoja  Bashkëqeverisjes, përpiqet të krijojë përshtypjen falso sikur ushtarakët gjatë qeverisjes Rama janë trajtuar sipas ligjit. Të nderuar kolegë, ligji organik në fuqi për trajtimin financiar të ushtarakëve është fare i thjeshtë dhe është miratuar me vota unanime nga Parlamenti i Shqipërisë. Në vazhdim do u njohim me përmbajtjen e përgjigjes keqiformuese të ardhur nga Zyra e Bashkëqeverisjes  “Shqipëria që duam”, drejtuar shoqatës sonë, për t’u dhënë mundësinë të njiheni dhe vlerësoni katrahurën e qëllimshme,  të preteduar si gjoja ligjore, lidhur me trajtimin e të drejtave të fituara sipas statusit të ushtarakut.  U sugjerojmë, përpara se të lexoni materialin e poshtëshënuar, t’i bëni pyetje vetes: – përse duhet kjo maskaradë, e parashtruar sikur gjoja është ligjore, ky  mish-mash ligjesh në kundërshtim  me  Kushtetutën dhe të drejtat e fituara sipas statusit të ushtarakut ? Kujt i shërbejnë këto sorollatje dhe tallje me problemet financiare të ushtarakëve, përveçse pushtetarëve jollogaridhënës, që mendojnë vetëm për të përvetësuar paratë e pensioneve  të  ushtarakëve. A mund të pranohen këto trajtesa për ushtarakët e Shqipërisë, që është anëtare e NATO-s ?  Pse nuk bën transparencë qeveria për fondet dhe buxhetin e vendosur për trajtimin financiar të ushtarakëve sipas statusit të tyre ? Paraprakisht mendojmë se përgjigja e dhënë nga ana e Zyrës së Bashkëqeverisjes  “Shqipëria që duam”,  nuk mban parasysh përmbajtjen e Statusit të Ushtarakut dhe detyrimin e institucioneve përkatëse për trajtimin e drejtë financiar. Për më tepër gjykoni vetë…

 Ja përgjigja e ardhur nga “Zyra e Bashkëqeverisjes”

   Kthim Përgjigje. Përshëndetje Lidhja kombëtare Ushtarake Atdhetare . Përgjigje ndaj kërkesës tuaj me Numër: 100126.

Të nderuar,

Duke ju falenderuar për besimin e treguar ju bëjmë me dije se ankesa juaj e adresuar në Platformën e Bashkëqeverisjes  ”Shqipëria që Duam ” u delegua për trajtim pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë:

Bashkëngjitur do të gjeni përgjigjen zyrtare të ardhur nga ky Institucion për këtë çështje:

”Strukturat rajonale të sigurimeve shoqërore për periudhën  01.01.1999-30.06. 2009, në caktimin e përfitimeve  suplementare që rrjedhin nga vjetërsia në shërbim të ish-ushtarakëve, ka zbatuar dispozitat e ligjit nr. 8087, datë 13.03.1996  “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe Vendimit nr. 579, datë 08.12.1999.  Në nenin 11 të ligjit nr.8087, datë 13.03.1996,  i ndryshuar, është përcaktuar se:  Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur përfituesi rititullohet ushtarak aktiv apo punësohet. Subjektet përfituese sipas këtij ligji, janë ushtarakët të cilët kanë vite shërbimi me status në Forcat e Amatosura. Për efekt  të përfitimeve suplementare, vitet pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.7496, datë 3 korrik 1991 “Për statusin e ushtarakut në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Llogaritja e përfitimeve suplementare është bërë mbi bazë të dokumentacionit të dërguar nga ministritë përkatëse. Ligji nr. 8087/1996 (I ndryshuar me ligjin nr. 8521/1999), nuk u ndryshua me ligjin nr. 9210, datë 23.03.2004,  “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, por u shfuqizua me ligjin nr.9418, datë 20.05.2005,  “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar me ligjin nr. 9481/2006, ligje për të cilat nuk janë nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e tyre. Pra,  për shkak të mosnxjerrjes së akteve nënligjore për zbatimin e ligjeve nr.9418/2005 dhe nr. 9481/2006, strukturat e sigurimeve shoqërore kanë vazhduar të zbatojnë ligjin nr. 8087/1996, të ndryshuar deri më datë 01.07.2009. Nga data 01.07.2009, ka hyrë në fuqi dhe është zbatuar Ligji nr. 10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve  të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të Punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Bazuar në ligjin nr.10142, datë 15.05.2009 dhe mbi bazë të dokumentacionit të dërguar nga ministritë janë caktuar përfitime suplementare edhe për ushtarakët të cilët e kanë ndërprerë karrierën para hyrjes në fuqi të ligjit nr.7496, datë 3.7.1991 “Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura”, të ndryshuar. Në nenin 14 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, përcaktohet: “Kur  përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, që nuk lidhen me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993  “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Bazuar në nenin 31 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, shfuqizohen: Ligji nr.8087, datë 13.3.1996  “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisësë Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit”, të ndryshuar. Ligji nr.9418, datë 20.5.2005  “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,  Dekreti nr.758, datë 1.2.1994 “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”; Ligji nr.8661, datë 18.9.2000  “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”; Pikat 1 e 2 të nenit 35 të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”;  Neni 89 i ligjit nr.9749, datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit”; pikat 1 e 2 të nenit 39 të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003  “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar; Nenet 24, 25 pika 1, 42 pika 4 dhe 43 të ligjit nr.9357, datë 17.3.2005 “Për statusin e punonjësit të SHISH-it”. Ligji nr.10142, datë 15.05.2009  është  kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila me vendimin nr. 33, datë 24.06.2010  shfuqizoi  kufirin tavan të masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të vendosur me ligjin nr. 10142, datë 15.5.2009, i cili ishte përcaktuar sa dyfishi i pensionit maksimal, si dhe interpretoi nenin 29 për rillogaritjen, por nuk e shfuqizoi. Mbi këtë gjykim dhe problematikë  Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ nr. 5, datë 10.11.2010, i cili ndryshoi rrënjësisht formulën e llogaritjes së përfitimeve. Akti normativ mori fuqinë e ligjit, me ligjin nr. 10367, datë 23.12.2010.  Bazuar në vendimin nr. 793, datë 24.9.2010  të  Këshillit të Ministrave “Për zbatimin e ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009” të ndryshuar, u krye rillogaritja e përfitimeve mbi bazën e Modelarit 03 “Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën neto mesatare referuese”, dokument i cili, u plotësua nga strukturat e ministrive të linjës dhe më pas u përcoll zyrtarisht pranë strukturave rajonale të sigurimeve shoqërore, që zbatojnë procedurën e llogaritjes apo rillogaritjes së përfitimit. Zbatimi i formulës së pensionit të përcaktuar me ligjin nr.10367,  dt.23.12.2010  “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit nr. 5, datë 10.11.2010, të Këshillit të Ministrave”, me efekte financiare nga 1.7.2009, solli si pasojë rillogaritjen e pensioneve të parakohshme dhe ato suplementare, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme rezultuan debitorë. Nisur nga numri i madh i debitorëve që rezultuan nga rillogaritja, u miratua ligji nr. 46/2016 “Për faljen e detyrimeve që kanë ish ushtarakët në skemën e sigurimeve suplementare, nga rillogaritja e pensioneve, në zbatim të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009  “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Sa më sipër, në zbatim të ligjit nr.46/2016 dhe VKM nr.704, datë 12.10.2016, detyrimet e papaguara nga përfituesit, deri në datën 01.06.2016, që kanë rrjedhur nga rillogaritja e pensioneve, sipas ligjit nr. 10142, date 15.05.2009, të ndryshuar, u falën. Gjithashtu, shumat e detyrimeve të krijuara  nga rillogaritja e përfitimeve suplementare dhe të paguara (të shlyera) deri në 31.10.2016, iu kthyhen çdo përfituesi  përgjatë periudhës  Nëntor 2016 – Maj 2017. Sa më sipër, Instituti i Sigurimeve Shoqërore cakton përfitime suplementare mbi bazë të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Me konsideratë, Zyra e Bashkëqeverisjes. Faleminderit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore.”.

Kjo ishte përgjigjja e Zyrës së Bashkëqeverisjes  “Shqipëria që duam” e  Z. Edi Rama.

   A do të vazhdojmë t’i besojmë akoma këto gënjeshtra, apo të reagojmë ?

A duhet të durojmë ironinë dhe talljet e servira nga institucionet e qeverisë  Rama -2 ? A duhet  t’i besojmë përsëri këto gënjeshtra dhe abuzime të Tij, që neglizhojnë kërkesat Tona legjitime? apo të reagojmë të bazuar në statusin e pazbatuar të ushtarakut ?

Të nderuar kolegë, ju lemë Juve të gjykoni, të vleresoni nëse janë apo jo këto “manovra” të pushtetit, që antiligjërisht godasin kauzën tonë ligjore. Jepni mendimet dhe propozimet tuaja, nëse duhet  t’u besojmë ende premtimeve të kryeministrit  Rama. Nëse duhet  të vazhdojmë të qëndrojmë të paorganizuar, të përçarë dhe t’u besojmë “kryetarëve” të atyre shoqatave, të cilat, me veprimet apo mosveprimet e tyre, kanë si qëllim realizimin e përfitimeve  personale dhe të na mashtrojnë Ne, ushtarakët, sipas “urdhërave” antiligjorë të partive – shtet.

A e di ndokush çfarë roli luan në zbatimin e statusit të ushtarakut ministria “kukull” e mbrojtjes, si dhe zotërinjtë gjeneralë të politizuar të Shtabit të Përgjithshëm?

U ftojmë përsëri të bashkojmë energjitë  tona me qëllimin e vetëm zbatimin e statusit të ushtarakëve, duke venë në lëvizje shoqatat tuaja dhe duke propozuar veprime konkrete të përbashkëta, deri në zgjidhjen përfundimtare  të çështjes lidhur me të drejtat tona kushtetuese! U bëjmë thirrje të dërgoni faktet e tjera nga përvoja juaj për padrejtësi dhe shkeljet antiligjore të bëra deri më tani ndaj secilit prej Nesh dhe t’i bashkojmë ato në një padi ligjore ndaj vet Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes, Ministrit të Financave dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që të japin llogari përpara ligjit për shpërdorim detyre…U bëjmë me dije se ekspertët tanë ligjorë dhe konstitucionalistë, për disa muaj rresht kanë punuar për të argumentuar të  gjitha shkeljet dhe mospërputhjet ligjore dhe kushtetuese, për të ngritur padi në gjykatat tona të nivelit të zakonshëm dhe kushtetues të gjykimit, si dhe ato ndërkombëtare në Strazburg.

A duhet t’a besojmë z. Kryeministër, premtimet e Tij tallëse dhe të gënjeshtërta sa herë kërkon votat tona për të marrë “timonin”?  A do të mbrojmë me dinjitet të drejtën tonë kushtetuese për të pasur të zbatuar statusin e ushtarakut ?  Kushdo që s’pranon padrejtësitë e bëra ndaj ushtarakëve dhe familjeve të tyre, që jetojnë në kufijtë e varfërisë, të mos presë të na i falë dikush të drejtat tona, por të bëjë dallimin midis ushtarakëve që vazhdojnë të ruajnë dinjitetin e tyre dhe lakejve të pushteteve politikë.

Në përfundim, u bëjmë thirrje të bashkohemi në veprime të vendosura, të themi me zë të fortë “MJAFT NA GËNJYET”…! Thirrjes sonë të mëparshme u janë përgjigjur ushtarakë nga gjithë qytetet e Shqipërisë, si dhe kanë bërë kërkesa për krijimin dhe bashkimin e seksioneve që do të kenë program veprimi të përbashkët. ZGJOHUNI…! Nuk na i fal askush të drejtat tona dhe dinjitetin tonë si ushtarakë, nëse s’bëhemi faktor në vendimarrje lidhur me zbatimin nen për nen të Statusit të Ushtarakut. Nesër do të botohet analiza juridike, që shoqata jonë i bën letrës së dërguar nga Zyra e Bashkëqeverisjes  “Shqipëria që duam”,  ku hidhet  “dritë  mbi  errësirën”  dhe mëtohen shkeljet e rënda të Drejtorive Rajonale të ISSH dhe QPR të Ministrisë së Mbrojtjes; të cilat, duke konsumuar prej vitesh veprën penale të mashtrimit, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal, brenda 7 vitesh kalendarikë, “me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit”, u kanë përvetësuar mijra ushtarakëve mbi 69 milionë euro.

Komiteti Drejtues i Shoqatës “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve  Atdhetarë”

   Tiranë, më 21 Maj 2020.

Som

A duhet t’a besojmë z. Kryeministër, premtimet e Tij tallëse dhe të gënjeshtërta sa herë kërkon votat tona për të marrë “timonin” ? A do të mbrojmë me dinjitet të drejtën tonë kushtetuese për të pasur të zbatuar statusin e ushtarakut…?