Prof. Dr. Elmaz Sherifi/ Ka ardhur koh, që t’i japim fund tmerrit në qeverisje, në mënyrë kushtetuese dhe institucionale

295
Sigal

T’i japim fund tmerrit në qeverisje, në mënyrë kushtetuese e institucionale

Prof. Dr. Elmaz Sherifi

“Mbërritëm në epokën Hamletiane”!  Zhvillimet politike të këtyre ditëve, po provojnë para opinionit kombëtar dhe atij ndërkombëtar, se klasa politike në Shqipëri, me mënyrën e qeverisjes ngjasojnë me periudhën historike  angleze, kur Uilliam Shekspiri  hyri në letërsinë botërore, si shkrimtari më i madh i të gjitha kohrave. Shekspiri me veprat e tij, Makbethi, Hamleti dhe Otello, pasqyroi tragjedinë e qeverisjes nga lufta e egër për pushtet. Veprat e tij, me Biblën e Kuranin dhe Deklaratën e të Drejtat dhe Lirive Themelore të Njeriut  konsiderohen shtyllat, mbi të cilat u krijua identiteti i Europës Moderne. Por, klasa jonë politike institucionale sheh tek tragjeditë shekspiriane, vetëm  anën artistike e letrare, me Ledi Makbethë e Hamlet, që kanë  ëndërra për pushtet dhe as e kuptojnë  anën politike të analizës shekspiriane, se kundër kujt drejtohej ajo luftë! Anglia ishte djepi i themelimit të jetës politike parlamentare, sepse  me Magna Carta Libertatum e nënëshkruar nga mbreti Johani Pa Tokë me 1215 u afirmua përfaqësimi i popullit në institucionin që u emërtua “Magnum Concilium”/ Këshilli i Madh, më 1265 u emërtua Parlament, më 1322 u formua Dhoma e Lordëve, më 1344 Dhoma e Komunave dhe me 1430 u miratua edhe ligji për zgjidhjen e deputetëve. Por, më vonë, filloi degjenerimi qeverisjes dhe u krijua një qeverisje që në jurispudencë quhet Qeverisja e Monarkisë Absolute. Kjo formë qeverisje ka marrë tiparet e kohës Makbethjane e Hamletiane, me të cilat Filozofi Surealist i së Drejtës, identifikon presidentin, kryetarin e PD, dhe me Ledi Makbeth, nënkupoton kryetaren e LSI. Shumë bukur i trajton nga ana letrare, dhe si aktor i tragjedisë performoi me frymëmarrje të vështirë e plot emocion pardje në foltore të parlamentit, duke mos e kuptuar aspak Shekspirin që i referohej. Shekspiri te tragjeditë e tij, në luftën për pushtet, nuk “guxonte” ta shtjellonte hapur Dunkanin, që i kishte përqëndruar të gjitha pushtetet, dhe më 1625 e shpërndau edhe parlamentin, e në vitet 1629-1640  mbreti Karli I e trajtonte parlamentin si instrument personal, njësoj si është Teatri Politik në Shqipëri. Ngjasojmë, sepse kemi, një Kuvend të Sajuar me deputetë listarë, që pasi u futën në listën e “baballarëve të kombit” nga PD e LSI, ditën e shajnë qeverisjen “Leviantane”, (përbindëshin) e Hobsit, ndërsa natën ulen në gjunjë e luten t’i shtohen ditët qeverisjes “Leviantane”. Me sjelljen komike, ose janë krejt të paaftë, ose janë tepër të djallëzuar e makbethianë, pasi këtë qeverisje e mbajnë me paterica vetëm ata! Nëse ata nuk do të ishin futur në parlament, ashtu si vepruan qindra të tjerë, Shqipëria do kishte hyrë në zgjedhje të parakohëshme dhe sot nuk do kishim për t’i parë skenat e dhunshme ndaj “idealistëve”, që shkelmin e policit sadist mbi kokën në tokë,”mbreti” ynë e konsideron “përqafim me përmallim” ! Edhe ministri i përbrendshëm ka deklaruar, se çdo sjellje e policëve, pasqyron qeverisjen e tij, veprimet janë shembëlltyra e tij, prandaj ai nuk shikon asnjë element dhune, por përqafime “dashurie” ndaj artistëve që mbronin Teatrin. Mos o zot! Po çfarë konsiderojnë këta Dunkanë, dhunë? Mos ndoshta prerjen e fytit? Larg qoftë! Hobsi me Leviantanin e tij, i tmerruar nga luftrat civile, pranonte, më mirë një qeverisje të formës së Monarkisë Absolute, se sa, bellum omnium contra omnes, pra, se sa të gjithë, kundra të gjithëve. Situata absurde solli në qeveri Oliver Cromuellin, i cili e dënoi me vdekje mbretin me 1649 e shpalli Republikën. Sot në Shqipëri Republika, si formë qeverisje, ka rënë. Parlamenti është fasadë. Qeveria identifikohet me një njeri, pushteti gjyqësor është i paralizuar, pasi nuk ka Gjykatë të Lartë, dhe KED e drejton një, të cilit mandati i ka përfunduar 6 vjet më parë, por nuk mund, as të vetëlargohet, e as e zëvendësojnë, sepse duhet pikërisht aty. Gjykata Kushtetuese nuk funksionon e rolin e saj e kryen vetë kryeministri. Shoqëria civile ka humbur pa nam e pa nishan – si thuhet në Salarinë time, media është sfumuar nga ERTV, vetëqeverisja vendore është degjeneruar nga votimet absurde të vitit kaluar e janë rikthyer këshillat popullore të rretheve. Të gjitha këto janë justifikuar me Reformën në Drejtësi! Tani çuditërisht edhe përfaqësuesit e BE, dhe ambasadorja e SHBA hedhin në tregun mediatik teza të çuditshme. Deri para shkatërrimit barbar të Teatrit Kombëtar, evokonin suksesin e Reformës në Drejtësi. Pas “tragjedisë”, bëhen pyetje aspak të denja, duke hedhur dyshime për marrëveshje që bllokojnë reformën! Uau! Është e suksesshme, apo ka dështuar Reforma? Unë kam patur me kohë opinionin, se ndryshimet kushtetuese, i dhanë fund Kushtetutës, pasi është cënuar parimi i madh, që një Kushtetutë e miratuar me referendum, nuk mund të ndryshohet me ligje parlamentare, aq më keq, nga një parlament krejt i paaftë e “një color”, si është sot. Tani qeverisja nuk pasqyron parimet e shtetit të së Drejtës. Ajo ka degjeneruar në një monarki të pa shpallur, prandaj ligji absurd i miratuar për t’ja dhënë ndërtimin e Teatrit Kombëtar me dedikim një subjekti privat të preferuar, quhet edhe nga opinionistët  “nul” e anullohet me vendim qeverie dhe interpretimin e bën vetë “mbreti”! Ka mbërritur koha që kjo klasë politike eunuke, duhet të pastrohet, pasi pushteti absolut ka krijuar korrupsion absolut. Nepotizmi korruptiv ka pushtuar institucionet, administratën, këshillat e bordet. Varfëria është rritur, është shuar besimi, dhe rinia e njerëzit e ditur po largohen nga “sytë këmbët”. Vëllezër shqiptarë! T’i japim fund tmerrit në qeverisje, në mënyrë kushtetuese e institucionale, se sa një tmerr makbethian i pafund!