Grabitja e Bankës, tendencë për ta paraqitur vjedhjen mafioze si ordinere

520
Sigal

Zbulohet skema, Bitraj i fuste në brez paratë e vjedhura, nipi e priste te dera e Thesarit. Asnjë kontroll për grabitjet!?

TIRANË- Asnjë reagim zyrtar për denoncimin dje në gazetën “Telegraf” të grabitjes së relikeve të arit në vitin 1993  në tunelet e Rezervave në Krrabë, ndërkohë që, konstatohet një përpjekje që grabitjen e miliona eurove në rezervat e Linzës ta paraqesin si grabitje ordinere. Në komunikimin zyrtar të ditës së djeshme, mes të tjerave thuhet se, ‘paratë nxirreshin nga nën këmisha nga i akuzuari dhe i jepeshin nipit”! Ndërsa për kontrollet, disa të tillë që përcaktojnë ligjet e rregulloret, hesht Fullani, vartësit dhe shefat e tij!. Kështu, sipas komunikatës zyrtare, dy javë pas zbulimit të skandalit të vjedhjes së thesarit të Shqipërisë është zbardhur edhe skema e nxjerrjes së parave. Ardian Bitraj i merrte paratë nga kasaforta e emisionit dhe më pas drejtohej për në tualet, ku i fuste poshtë rrobave. Në derë të institucionit, atë e priste nipi, i cili e dërgonte në shtëpi me makinë. Deri tani për skandalin e vjedhjes së 7.13 milionë dollarëve nga thesari i Bankës së Shqipërisë janë 9 të ndaluar. Petrit Ramohitaj, Liljana Tusha, Lavdim Cani, Myzejen Belba dhe Dhimitër Davidi u ndaluan gjatë mbrëmjes së djeshme, ndërsa dje në mëngjes u ndalua edhe Bashkim Xhilaga, shef i arkës “stok dhe në veprim” në Bankën e Shqipërisë, i cili ishte personi i shpallur në kërkim. Ndërkohë që, nesër Gjykata e Tiranës  do të japë masën e arrestit për 6 të ndaluarit e grabitjes së Bankës së Shqipërisë. Po si bëhej vjedhja? Bitraj hynte në kasafortën e Drejtorisë së Emisionit të Parave me qese të zeza, të cilat i mbushte me para. Më pas ai shkonte në tualet dhe aty i fuste paratë poshtë rrobave, duke i nxjerrë më pas jashtë institucionit më të sigurt në Shqipëri. Jashtë rrethimit të vendit të tij të punës e priste nipi i tij Klevis Bejtja me makinë, i cili e dërgonte për në shtëpi. Bejtja është fiksuar nga kamerat e sigurisë së godinës së Drejtorisë së Emisionit, aty ku ai priste dajën e tij, sa herë që vidhte para në kasafortë. Nga deponimet e Ardian Bitraj është mësuar se ai nuk ka implikuar kolegët e tij të punës, duke e cilësuar të gjithë vjedhjen si të ideuar nga ai. Mësohet se, hapja e kasafortës bëhej me rakordim të tre persona dhe është e çuditshme se si tre çelësat kanë qenë vetëm në dorën e Bitraj. Më pas çelësat dorëzoheshin tek Petrit Ramohitaj përgjegjës i arkës në veprim apo në kasafortën që mbahej nga specialistja e Liljana Tushe dhe përgjegjësja e stokut Mimoza Bruzia. Në sitën e hetuesve pritet të kalojë dhe puna e operatorit të kamerave të kasafortës,pasi e gjithë ky film është luajtur nën hundën e tij. Shumë pikëpyetje dalin nga këto njoftime zyrtare. Ndërkohë, Fullani as që ka ndër mend të japë dorëheqjen.