Territorialja, Rama: Dulen e kam mik, i keqardhur nëse largohet

370
Sigal

TIRANË- Në një konferencë për mediat nga selia e Kryeministrisë, Edi Rama theksoi se me reformën e djeshme “Shqipëria garanton në mënyrë bujare dhe largpamëse një trajtim të posaçëm për minoritetet. Vangjel Dulen e kam pasur mik dhe do ta kem pavarësisht në cilin koalicion do jetë. Do të isha i keqardhur, që me reformën që duhet të ndihet mirë çdo shtetas shqiptar, por dhe shtetasit shqiptarë me kombësi greke, të ishte sebep për tu larguar nga koalicioni. Ne jemi në një koalicion, por nuk jemi në një kazermë. Në këtë rast këndvështrimet tona ishin të papërkueshme. Për ne, Himara është si Tirana Durrësi, Korça, Tropoja dhe të gjitha Bashkitë e tjera të Shqipërisë. Me reformën e djeshme Shqipëria jep një shembull të shkëlqyer për të gjithë fqinjët dhe padyshim si një vend europian në Europë, sepse garanton në mënyrë bujare dhe largpamëse një trajtim të posaçëm për minoritetet…”- deklaroi Kryeministri. Kryeministri Rama theksoi se, reforma territoriale u miratua pa Partinë Demokratike, por jo pa opozitën. “PD nuk është në zotërim të monopolit të opozitës. Dje me reformën janë bashkuar në një seancë debati dhe votimi dhe përfaqësues të partisë së dytë më të madhe të opozitës, të cilët gjej rastin t’ i falënderoj për qasjen konstruktive ndaj një procesi ku kam keqardhjen më të plotë për PD”. I pyetur nëse maxhoranca do të veprojë edhe me reformën në drejtësi, njëlloj si me reformën territoriale, në rast se opozita nuk bëhet pjesë e saj, kryeministri tha se: Ne do bëjmë gjithçka për të dëgjuar por do të udhëheqim”,- u shpreh Rama.