Gjyqtarët letër Presidentit kundër Tahirit

498
Sigal

TIRANE – Tre ditë pas letrës të Ministrit të Punëve të Brendshme Sajmir Tahiri drejtuar Presidentit të Republikës Bujar Nishani për të hetuar dhe marrë masa ndaj gjyqtarëve që kanë dhënë 65 vendimet e dyshuara si të kundraligjshme dhe abuzive në masat e arrestit apo dhe vendimet gjyqësore, vjen dhe reagimi i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë.

Po me një letër të hapur drejtuar Presidentit të Republikës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Komisionit të Ligjeve pranë Kuvendit, Delegacionit të Bashkimit Europian dhe misioneve të asistencës në Shqipëri, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon që qasja e trajtimit në publik të ankesave ndaj gjyqtarëve duhet t’i përmbahet këtyre standardeve dhe parimeve, në të kundërt dëmton pavarësinë e gjyqësorit, besimin e publikut tek drejtësia dhe interesat e mirëadministrimit të drejtësisë në përgjithësi.

Unioni i Gjyqtarëve ka renditur të gjitha pikat e legjislacionit ndërkombëtar që mbrojnë gjyqtarët, ndërsa ende nuk ka sjellë ndonjë reagim për rastin e gjyqtarit në Pogradec, Dhimitër Pojanaku, të arrestuar në flagrancë duke marrë rryshfet.

Korrupsioni në gjyqësor ka qenë një ndër pikat kryesore thuajse në të gjitha raportet ndërkombëtare për Shqipërinë. Solidariteti mes vetë gjyqtarëve dhe politizimi i rasteve sa herë që konstatohen apo përgatiten reforma, e ka bërë gjithnjë e më të vështirë goditjen e rasteve të korrupsionit në gjyqësor.

LETRA E PLOTË
Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me gjyqësorin, në emër të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, anëtarë me të drejta të plota në Shoqatën Ndërkombëtare të Gjyqtarëve, që ka status këshillimor në Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Evropës, na lejoni të risjellim edhe njëherë në vëmendjen tuaj standardet ndërkombëtare bashkëkohore të trajtimit të ankesave ndaj gjyqtarëve dhe vendimeve të tyre, në raport me publikun e gjerë.

Së pari, Parimet Bazike të Kombeve të Bashkuara mbi Pavarësinë e Gjyqësorit, në pikën 17 të tyre parashikojnë se “Një akuzë apo ankesë e bërë ndaj një gjyqtari në kapacitetin e tij/saj profesional dhe gjyqësor duhet të shqyrtohet me shpejtësi dhe drejtësi, bazuar në një procedurë të përshtatshme. Gjyqtari duhet të ketë të drejtën e një procesi të drejtë dëgjimor. Hetimi i rastit në fazën fillestare duhet të mbahet konfidencial, përveç kur vetë gjyqtari kërkon ndryshe”.

Së dyti, Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës drejtuar shteteve anëtare mbi Gjyqtarët: Pavarësinë, Efiçencën dhe Përgjegjësitë (2010), në pikën 16 të tij, parashikon se “Vendimet e gjyqtarëve nuk duhet të jenë subjekt rishikimi, përveç procedurës apeluese ose rishikuese, sikurse parashikohet në ligj.”, ndërsa në pikën 18 se “Teksa komenton vendimet e gjyqtarëve, pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ duhet të shmangin kriticizmin që minon pavarësinë ose besimin e publikut tek gjyqësori. Ata gjithashtu duhet të shmangin veprimet që mund të tregojnë mungesën e vullnetit të tyre për t’iu bindur vendimeve të gjyqtarëve, përveç se mund të deklarojnë qëllimin e tyre për të apeluar.”

Sa më lart, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë vlerëson se qasja e trajtimit në publik të ankesave ndaj gjyqtarëve duhet t’i përmbahet këtyre standardeve dhe parimeve, në të kundërt dëmton pavarësinë e gjyqësorit, besimin e publikut tek drejtësia dhe interesat e mirëadministrimit të drejtësisë në përgjithësi.

Duke Ju falenderuar për mirëkuptimin e bashkëpunimin, me respekt,

Bordi Drejtue