Gjykata Kushtetuese shfuqizon tatimin 15 % për profesionet e lira

33
Sigal

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën për shfuqizimin tek ligji “Për Tatimin Mbi Të Ardhurat”, nenin për profesionet e lira, pas ankimit të bërë nga Partia Demokratike dhe shoqëria civile. Vendimi është marrë këtë të enjte me shumicë votash, teksa është bërë publike nga kryetarja e Kushtetueses, Holta Zaçaj përmes një komunikate për mediat. Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo ishte një masë joproporcionale dhe se këto kategori do duhet të taksohen në 2029 si të gjithë bizneset e tjera të vogla.“Gjykata ka vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit si dhe vetë diskrecionit të tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja dh, fjalia e dytë dhe e tretë, e ligjit numër 29/2023, dhe neni 4 i VKM, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës si dhe të parimit të proporcionalitetit. Gjykata arriti në këtë përfundim duke mbajtur në konsideratë skemën tatimore dhe në veçanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 për qind ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish filloi që të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre që të përshtateshin me skemën e re tatimore.Në përfundim, gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës, dhe shfuqizimin e nenit 69, pika dh, fjalia e dytë dhe e tretë dhe e ligjit, 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM 753/2023, rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit dhe vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.” – tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.Ky ligj ishte miratuar në Mars të vitit 2023 nga socialistët në Kuvend, teksa ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti. Sipas ligjit të miratuar në Kuvend, të vetëpunësuarit e profesioneve të lira (26 lloje aktivitetesh, të ndara në 169 profesione) nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0 %, por do të tatoheshin 15% për fitimin deri në 14 milionë lekë dhe 23% për fitimet mbi këtë shumë.Tashmë, ata që kanë të ardhura deri në 14 milionë lekë nuk do paguajnë tatim. Ndërsa ata që marrin mbi 14 milionë lekë do të taksohen 23%. Ndërsa, pas 31 dhjetorit të vitit 2029 profesionet e lira do të paguajë tatimin si të gjitha bizneset e vogla.Nga 1 janari i këtij viti, kur ligji i ri nisi zbatimin me profesionet e lira, ishte paditur 4 herë në Gjykatën Kushtetuese.Qindra profesionistët e lirë mbajtën një protestë më 13 Qershor para Gjykatës Kushtetuese, të cilët i bënë thirrje kësaj gjykate për të marrë një vendim, duke e shfuqizuar ligjin për tatimin mbi të ardhurat ndaj profesioneve të lira, e cila sjell eliminimin e shtresës së mesme në Shqipëri.