Gjykata e Vlorës vendos në sekuestro pasuritë të dyshuarve si grup i trafikut të drogës

290
Sigal

Pasuritë e një grupi të dyshuar narkotrafikantësh të arrestuar në shkurt të vitit 2019 u vendosën në sekuestro preventive të martën me një vendim të Gjykatës së Rrethit të Vlorës. Prokuroria, me kërkesë të së cilës është bërë sekuestro, njoftoi bllokimin e pasurive të Raul Zenunaj i njohur me pseudonimin (Babushi), të familjarëve të tij (E.Z, M.Z dhe V.Z) dhe Artur Malos. Po ashtu u sekuestruan edhe pasuritë e një personi me inicialet S.B.

“Prokuroria Vlorë ka dyshime të arsyeshme se të ardhurat e paligjshme të përfituara nga aktiviteti kriminal i zhvilluar në shtetin Italian, janë investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme në qytetin e Vlorës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Një përfaqësues ligjorë i Zenunajt dhe Malos nuk u arrit të gjendej deri në publikimin e këtij shkrimi. Të dy ata ndërkohë rezultojnë të arrestuar në Itali, pas një operacioni të përbashkët mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Antimafias Italiane.

Grupi në të cilin bëjnë pjesë edhe dy të sipër përmendurit, akuzohet se ka trafikuar 8 ton kanabis për në Itali dhe se i janë kapur 3 tonë të tjera në Shqipëri. Në shkurt 2019 u njoftua arrestimi i 17 personave, 6 prej të cilëve u kapën në Vlorë.

Prokuroria njoftoi se kishte vendosur në sekuestro si prona të Zenunaj apo të lidhura me të 8 apartamente dhe dy dyqane me një sipërfaqe rreth 1500 metra katrorë në apartamente e dyqane. Vetëm në kontratat e përmendura nga prokuroria vlera e apartamenteve është mbi gjysmë milioni euro.

Ndërkohë është sekuestruar 5 mijë metra tokë arë, truall, një bodrum, një shtëpi 4 kate, dhe makina në emër të Zenunaj dhe të afërmve të tij.  Ndërkohë Malos dhe personit me inicialet S.B, që BIRN nuk mundi ta identifikonte, iu sekuestruan 2 apartamente, një sipërfaqe trualli dhe dy makina.