Gjuetarët italianë vrasin shpendët e rrallë në Liqenin e Pogradecit

1334
Edhe pse sezoni gjuetisë është mbyllur zyrtarisht për çdo lloj gjueti në një hotel buzë liqenit në orët e vona të mbrëmjes kanë mbërritur disa xhipa me disa gjuetarë të huaj të shoqëruar më vendas. Kjo ngjare ka shokuar drejtuesit e shoqatës së gjuetarëve. Kryetari gjuetarëve të rrethit të Pogradecit Tomi Tore thotë se ky është një abuzim, padyshim është një skandal. Ky është një fenomen që ka çuar në rënien në masë të një numri të madh llojesh kafshësh dhe shpendësh. Sekretari i shoqatës së gjuetarëve Paqësor Gorellari thotë për gazetën “Telegraf” se ka mbi 15 vjet që vijnë rregullisht në Shqipëri gjuetarë të huaj sidomos nga Italia dhe nga Greqia të cilët shoqërohen nga tregtarë dhe matrapazë vendas të cilët janë future në garë kush të sjelli sa më shumë gjuetarë të huaj. Në emër të futjes sa më shumë të biznesmenëve të huaj dhe turistëve janë krijuar disa agjenci me gjuetarë të huaj të cilët jo vetëm që gjuajnë në sezonin e ndaluar por përdorin mjete ndjellëse të ndaluara të ushtrimit të gjuetisë si regjistratorë zëri të kafshëve dhe të shpendëve të cilat i ndjellin tek vend i pritës. Përdorimi i prozhektorve të fuqishëm është një teknikë ka pasoja masakruese dhe është e ndaluar në të gjithë botën. Por në këtë lloj gjuetie janë përfshirë “të fortët “ të cilët me licencë apo pa licencë sjellin këtë gjuetarë të huaj klandestinë duke kryer këtë gjueti të dhunshme. Me mishin e këtyre kafshëve dhe shpendëve tona të egra ata bëjnë tregti në lokalet përtej detit në Itali apo në Greqi. Në Shqipëri ka rreth 12 mijë gjuetarë, thotë sekretari Paqësor Gorellari, dhe gjithë kjo shoqatë e apasionuar pas natyrës duke e parë gjuetinë si një sport argëtues dhe shlodhës vëren me keqardhje se në këto 15 vjetet e fundit nuk është bërë asnjë investim nga shteti për rezervatet e gjuetisë dhe e keqja tjetër janë këta gjuetarë e huaj që nuk iu dhimbset asgjë dhe gjuajnë barbarisht edhe në sezonin e ndaluar dhe me mjete kategorikisht të ndaluara. 
Zhdukja e specieve të rralla
Kështu janë zhdukur specie të veçanta si fazani, thëllëza e fushës, kaprolli dhe janë drejt zhdukjes derri i egër, lepuri fushës dhe thëllëza e malit. Dhe për këtë lipset që të angazhohet ministria e Mjedisit, Drejtoria e Pyjeve apo dhe Komisariatet e Policisë të cilët duhet të kontribuojnë që të shpëtojnë këto specie nga kjo gjueti masakruese. Duhet të ruhen ekuilibrat e të ashtuquajturit zinxhir ushqimor në atë që quhet ekuilibër biologjik. Gjuetia barbare e këtyre gjuetarëve të huaj me “të fortë “ se vendas, me mjete masakruese të ndaluara si regjistratorët imitues dhe prozhektorët të fuqishëm do të prishi këtë ekuilibër biologjik dhe nesër do të jetë vonë pasi do të ketë më shumë çifte se sa kafshë dhe shpendë për t`u gjuajtur. Pa i treguar për profesionin bisedojmë me një gjuetar italian. Quhet Filippo Manzaro dhe është rreth 70 vjeç. Ka veshur kostumin e gjuetisë lara-lara dhe me armë në dorë pret gjahun. Është pronari i një restoranti me emër në Milano. – Kam ardhur vetë me këta gjuetarët italianë dhe këta miqtë shqiptarë që na shoqërojnë, kemi ardhur enkas nga Italia për këtë zog të rrallë që ne e quajmë ‘Alodra’ ndërsa tek ne njihet me emrin ‘Lauresha’. Një zog i bukur me bisht të gjatë. Ja për këtë kemi ardhur, thotë gjuetari italian, dhe kap një zog të vrarë nga çanta. Kur i themi që po shkelni ligjet se gjuetia është e ndaluar me ligj ai bën sikur nuk kupton dhe largohet në kërkim të gjahut. Nuk u bë qameti, hidhet dhe thotë gjuetari vendas që shoqëron italianët, miku duhet respektuar këta për këtë zog kanë ardhur nga Italia e ne t’ju themi është sezon i ndaluar. Është vërtet një fakt i hidhur që gjuetarët vendas respektojnë ndalimin e gjuetisë dhe vinë të huajt dhe zhvillojnë gjueti kundrejt çdo rregulli.
Sigal