“Më 14 Maj konfirmoni vazhdimësinë e zhvillimit në Elbasan”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri në një takim me banorë të zonës së Përrenjasit ku bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja prezantuan projektet për 4 vitet e ardhshme.
Gjiknuri nënvizoi se fitorja e zgjedhjeve çimenton marrëdhënien bashki- qeveri për t’i çuar përpara këto punë. “Në fakt në këtë komunikim për zgjedhjet e 14 Majit ne duhet të kemi të qarta mesazhet politike që duam të përçojmë. Më 14 Maj nuk është çështja vetëm Gledi, që patjetër është kryetari i bashkisë dhe e meriton të jetë kryetari i bashkisë, por mbi të gjitha ju konfirmoni vazhdimësinë e zhvillimit në Elbasan. Që një kryetar bashkie këtu të ecë përpara dhe të ketë mundësinë e ndryshimit të Elbasanit duhet patjetër të ketë nga mbrapa mbështetjen e qeverisë shqiptare. Ndërhyrjet nëpër lagje, ndërhyrje që bëhen nëpër shumë zona që kanë nevojë të formalizohen më shumë, vijnë si rezultat, sepse një pjesë të mirë të projekteve kryesore i mbulon qeveria shqiptare. Ne më 14 Maj duhet ta çimentojmë këtë marrëdhënie bashki- qeveri për t’i çuar përpara këto punë”,- tha ai.
Numri dy i socialistëve komentoi dhe alternativën përballë që është përfaqësuesi i dyshes Berisha-Meta. Ai tha se kundërshtari nuk ka asnjë ofertë për qytetarët e Elbasanit dhe ka filluar të hapë thesin e mashtrimeve. “Nuk i duhet Elbasanit, por dhe kujtdo qyteti tjetër të madh, që të bëjë eksperiment politik duke e çuar votën tek opozita për ta kthyer Elbasanin në një lloj bunkeri politik. Për çfarë e do kundërshtari politik të fitojë Bashkinë e Elbasanit? Për të punësuar ca militantë dhe për të filluar luftën politike, që e frymëzojnë ata nga Tirana. Pjesa më e madhe e qytetarëve duan që zhvillimi i nisur të ecë përpara. Kundërshtarin politik ju e njihni, ka qenë ish-kryetar i Partisë Demokratike për shumë vite, ka qenë pushtetar, ka pasur gjëra në dorë, ka bërë emërime, ka promovuar kuadro dhe e dini shumë mirë si i ka bërë në atë kohë, sesi qeverisej Elbasani në atë kohë. Ka konkurruar për kryetar bashkie, tashmë është i përzgjedhur i Ilir Metës dhe Sali Berishës. Këta dy e kanë përzgjedhur. Ai mendon se do i gënjejë mendjen ndonjë qytetari. Kjo do të thotë se ai këtu ka thjesht një axhendë politike të atyre dy njerëzve. Vjen këtu dhe hap “thesin” e mashtrimit”,- deklaroi Gjiknuri.





















